Analiza

Xhihadi i Katarit

Katari po destabilizon disa vende dhe po rrezikon sigurinë e demokracive laike edhe përtej rajonit. Për hir të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, ky elefant duhet zbutur

Brahma Chellaney

Stitched Panorama

Katari mund të jetë i vogël, por aktualisht ai ka një impakt shumë të madh në të gjithë botën arabe. Duke përkrahur xhihadistët e dhunshëm në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe më tek, ndërkohë që mbështet SHBA në luftën kundër tyre, ky vend i vockël e i pasur me gaz – më i pasuri në botë sa i përket pasurisë për frymë – është transformuar nga një zekth rajonal, në një elefant të madh dhe “batakçi” ndërkombëtar.
Duke përdorur burimet e tij shumë të mëdhenj, dhe i nxitur prej një ambicieje të pafre, Katari është shndërruar tashmë në një nyje për lëvizjet radikale islamike. Xhamia e Madhe plot llambadarë në Doha – kryeqyteti i pasur i Katarit – është një pikë grumbullimi për militantë që shkojnë për xhihad në vende të shumëllojshëm, si Jemeni, Tunizia dhe Siria. Si rezultat, Katari tani rivalizon Arabinë Saudite – një tjetër shtet vehabit me pasuri shumë të mëdha në burime natyrore – në eksportimin e ekstremizmit islamik.
Por ka dallime të rëndësishëm mes Katarit dhe Arabisë Saudite. Vehabizmi i Katarit është më pak i rreptë se sa ai i Arabisë Saudite; për shembull, gratë në Katar lejohen që të ngasin makinën dhe të udhëtojnë të vetme. Në Katar, nuk ka një polici fetare që ruan moralitetin, edhe pse klerikët e Katarit mbledhin haptas fonde për kauzat e militantëve jashtë vendit.
Si pasojë, ndoshta nuk është habi që, teksa udhëheqja sklerotike e Arabisë Saudite ndjek politika reaksionare që i kanë rrënjët në një kuptim puritan të Islamit, mbretërorët më të rinj në moshë të Katarit kanë adoptuar një qasje largpamëse. Katari është vendi i kanalit satelitor Al Jazeera si dhe i Education City, një lagje jashtë Dojas ku janë ngritur shkolla, universitete dhe qendra kërkimore.
Mospërputhje të tilla reflektohen edhe në politikën e jashtme të Katarit. Në të vërtetë, marrëdhënia e këtij vendi me SHBA bie drejtpërdrejtë ndesh me lidhjet e tij me lëvizjet radikale islamike.
Në Katar ndodhet baza ajrore Al Udeid – me 8000 ushtarakë amerikanë dhe 120 avionë, duke përfshirë edhe superserbatorë për rifurnizim në ajër – prej ku SHBA drejton sulmet e veta ajrore në Siri dhe Irak. Kampi As-Sayliyah – një tjetër vend për të cilin Katari nuk merr pagesë qeraje – shërben si Komandë Qendrore e SHBA. Në korrik, Katari ra dakord të blejë 11 miliardë dollarë armë nga SHBA.
Veç kësaj, Katari ka shfrytëzuar hapësirën e tij të manovrimit ndaj islamistëve që financon për të ndihmuar në lirimin e pengjeve perëndimorë. Dhe ai organizoi bisedime të fshehtë mes SHBA dhe talebanëve afganë që jetojnë në Pakistan. Për të facilituar negociatat, Katari ofroi një shtëpi, me mbshtetjen e SHBA, për misionin diplomatik de facto të talebanëve – si dhe për pesë liderët afganë të talebanëve që u liruan në fillim të këtij viti nga burgu i Guantanamos.
Me fjalë të tjera, Katari është një aleat i rëndësishëm i SHBA, një furnizues i islamikëve me armë dhe fonde, dhe në të njëjtën kohë një ndërmjetës për paqen. Shtojini këtyre dhe pozicionin e tij si furnizuesi më i madh në botë me gaz natyror të lëngshëm si dhe vendndodhja e një prej fondeve më të mëdhenj sovranë, dhe bëhet e qartë se Katari ka shumë hapësirë për të manovruar – si edhe forcë të konsiderueshme në nivel ndërkombëtar. Qeveria e Gjermanisë e zbuloi këtë gjë, kur u detyrua të tërheqë deklaratën e ministrit të saj të zhvillimit, i cili kish thënë se Katari pati luajtur një rol qendror në armatimin dhe financimin e Shtetit Islamik.
Ndikimi në rritje i Katarit ka pasoja të rëndësishme për ekuilibrin e fuqive në botën arabe, disomos në lidhje me rivalitetin e këtij vendi me Arabinë Saudite. Kjo dinamikë kompetitive, që ka dalë në sipërfaqe vetëm kohët e fundit, përfaqëson një largim prej një historie të punuari varg, njëri pas tjetrit, për të eksportuar ekstremizmin islamik.
Si Katari, edhe Arabia Saudite kanë ofruar me bujari armë dhe financime për ekstremistët sunitë në Siri, duke i hapur derën shfaqjes së Shtetit Islamik. Të dy kanë mbështetur dhe fuqizuar talebanët afganë. Dhe të dy kanë kontribuar për transformimin e Libisë në një shtet të dështuar duke mbështetur militantët islamikë. Gjatë fushatës së NATO-s në vitin 2011 për rrëzimin e Kolonelit Muamar Gedafi, Katari dërgoi fshehtas edhe trupa këmbësore në Libi.
Megjithatë, sot Katari dhe Arabia Saudite janë në anë të kundërta. Katari, bashkë me Turqinë, mbështet lëvizjet islamike tradicionale si Vëllazëria Myslimane dhe degët e saj në Gazë, Libi, Egjipt, Tunizi, Irak dhe Levant. Kjo e vendos kundër Arabisë Saudite dhe vendeve si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jordania, sundimtarët e të cilëve i shohin këto lëvizje si rreziqe ekzistencialë, teksa disa prej tyre, si Sauditët, investojnë në fuqizimin e regjimeve autokratikë si i tyri.
Në këtë kuptim, kursi i Katarit ka prodhuar një çarje të rrallë brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, anëtarët e të cilit të marrë së bashku zotërojnë gjysmën e rezervave botërore të naftës. Konkurrenca mes monarkive të Gjirit, që çoi disa prej tyre të tërhiqnin ambasadorët nga Katari në mars, po intensifikon dhunën dhe paqëndrueshmërinë në të gjithë rajonin. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe, me ndihmën e egjiptianëve, kanë realizuar në fshehtësi sulme ajrorë në gusht për të ndalur militantët islamikë të mbështetur nga Katari që të merrnin kontrollin e kryeqytetit të Libisë, Tripolit.
Udhëheqësit e Katarit janë të gatshëm të sfidojnë fqinjët e tyre për një arsye të thjeshtë: Ata besojnë se lëvizjet tradicionale islamike që ata mbështesin – që sipas mendimit të tyre përfaqësojnë aspirata të mëdha politike – në fund fitojnë. Duke pritur që këta grupe t’i japin gjithnjë e më shumë formë politikës arabe, duke rrëzuar regjimet e të fortëve, Katari ka vendosur t’i fuqizojë.
Duke vepruar kështu, Katari po destabilizon disa vende dhe po rrezikon sigurinë e demokracive laike edhe përtej rajonit. Për hir të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, ky elefant duhet zbutur. /Project Syndicate/
* Brahma Chellaney, Profesor i Studimeve Strategjike në Qendrën për Kërkime Politike në New Delhi
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button