Analiza

“Xhihadi si anti-depresiv”. Pikat e nxehta të Luftës së Shenjtë

xhihadiLufta e Shenjtë e viteve Dhjetë të këtij shekulli është shndërruar në një markë, dhe nuk ka qenë asnjëherë kaq joshëse. Ka ndjekësit e saj, financohet dhe sponsorizohet në rrjetet socialë dhe mbi të gjitha ka logon e saj: ISIS, shkrimi në arabisht me gërma të bardha në një sfond të zi. Thirrja e saj po bëhet rrezikshëm e parezistueshme për myslimanët e brezit të dytë, të lindur në Perëndim dhe për këtë arsye më të ndjeshëm ndaj mesazhit të lashtë të Xhihadit, të ofruar disi në versionin pop.

“There is no life without jihad”, nuk ka jetë pa xhihadin, është titulli i një videoje 13 minutëshe të shpërndarë në YouTube, në të cilën shfaqen tre të luftëtarë të rinj me nënshtetësi angleze, të cilët shpjegojnë aty arsyet e zgjedhjes së tyre për t’u bashkuar me luftëtarët e ISIS. Ndodhen në pyll, me kallashnikovët të varur në shpinë dhe me mjekrrën ende të shkurtër në fytyrë. Flasin anglisht, me sytë drejtuar tek telekamera dhe u drejtohen bashkëmoshatarëve të tyre myslimanë në Mbretërinë e Bashkuar: “Lërini punët tuaja të dhjamosura, makinën tuaj të madhe”. Dhe shtojnë: “Kura për depresionin është xhihadi. Ejani të provoni nderin që po provojmë ne, ejani të provoni gëzimin”. Përkthimi: lufta shëron gjithçka dhe të bën të ndihesh i gjallë, eleminon atë shpikje moderne që është depresioni, një sëmundje e Perëndimit të butë, dembel dhe të droguar me pasuri.

Një sfidë drejtuar Perëndimit, e shpjeguar me gjuhën e tij dhe me vetë kodet e tij të komunikimit, e cila bëhet edhe më e fortë, pasi e lëshon një 20-vjeçar mysliman i rritur në Kardif, i cili deri disa muaj më parë dëshironte të bëhej mjek dhe ishte pranuar nga katër universitete, siç tregon babai i tij i dëshpëruar.

Dhe duket vërtetë një tjetër epokë, ajo e pamjeve të Osama bin Ladenit që shpërndaheshin nga al Kaeda dhe transmetoheshin nga Al Xhazira, pamje të errëta dhe me zërin plot zhurmë. Atëherë, destinacioni ishte Perëndimi, armiku që duhej frikësuar me një lider fantazmë, për të cilin duhej dhënë prova e ekzistencës. Sot al Kaeda pothuajse është zhdukur dhe filmimet e ISIS janë xhiruar me telekamera në definicion të lartë, me titra dhe u ofrohen mediave botërore përmes rrjeteve socialë. Por mbi të gjitha, objektivi i kësaj fushate masive komunikimi janë vetë myslimanët, ata të transferuar në Amerikë dhe në Europë, të dembelosur dhe “borgjezuar” prej konsumizmit. Objektivi: të thirren në armë dhe të luftojnë për Islamin, ose të binden që të financojnë luftën e shenjtë, për të krijuar një Kalifat të madh islamik që shtrihet nga Iraku, në Siri.

Dhe duket se fushata publicitare ka qenë e suksesshme: sipas burimeve ndërkombëtarë, “marka” ISIS është bërthama terroriste më e pasur e botës, si dhe ajo që ka tërhequr numrin më të madh të luftëtarëve joirakenë, me më shumë se 80 përqind të rekrutëve që janë të huaj. Xhihadistët europianë janë tashmë 2300, një pjesë e mirë të ardhur nga Franca dhe Britania e Madhe.

Veprimtaria mediatike e ISIS dhe ajo në internet vazhdon të rritet, me gjetje gjithnjë e më të ngjashme me ato të markave të kompanive të mëdha. E fundit në rendin kohor është bombardimi në Twitter me hashtag-un #AllEyesOnISIS (të gjithë sytë nga ISIS). Blici telematik i nisur nga ISIS përmes faqes së vet në internet ka bërë thirrje për të mbledhur me mijëra mbështetës kibernetikë të Xhihadit, të cilët e kanë mbushur rrjetin social me tweet-e në mbështetje të terroristëve. Mesazhet vijnë nga e gjithë bota, nga Italia, Australia e Nepali. Pjesa më e madhe janë në anglisht, shpesh herë u shtohet edhe një foto me simbolin e ISIS, dhe duken si mesazhe kartolinash pushimesh, më shumë se sa pjesëmarrje në një luftë fetare që ka shkaktuar tashmë mijëra të vdekur. Sot, lufta e shenjtë luftohet edhe me smartphone. /Il fatto quotidiano/

Leave a Reply

Back to top button