Ekonomi

Xhungla e Wall Street-it, “e zbërthyer”

Ne mund të shmangim krizat e ardhshme financiare, nëse e shohim ekonominë si një ekosistem, thonë Henrik Jensen, Xhefri Uest dhe Eduardo Viegas

Screen Shot 2015-04-09 at 09.28.50

“Pse askush nuk e pati vënë re?”, ishte pyetja e famshme e Mbretëreshës, pasi shpërtheu kriza e kredive e vitit 2008. Disa vjet pas asaj krize, ishim ulur në një kafe në Londër, duke medituar mbi një pyetje të ngjashme. Në fakt, po diskutonim mbi një paradoks bazë në ekonomi dhe financa. Të gjitha shkollat kryesore të mendimit ekonomik, kanë një premisë themelore që gjatë një periudhe afatgjatë, forcat e kërkesës dhe ofertës, arrijnë një ekuilibër dhe konvergojnë rreth një pike relativisht të mesme e të qëndrueshme.
Në mënyrë të ngjashme, koncepti i “çmimit të drejtë”, ku vlera e një aktivi arrin një pikë të mesme, në të cilën një blerës dhe shitës të bien dakord, është një gur themeli i teorisë së financave. Sipas këtyre teorive, krizat financiare lindin, kur sistemi devijon shumë larg nga ekuilibri apo çmimi i drejtë. Zbulimi i emergjencës së një krize, duhet të jetë kësisoj diçka e lehtë, sa kohë që, ne kemi nevojë vetëm për të gjetur distancën kyçe nga ekuilibri.

Por atëherë, përse nuk është aq e thjeshtë? Historia dëshmon se ekonomitë dhe tregjet, nuk sillen tamam sipas mënyrës që parashikojnë teoritë. Ashtu si proceset evolucionare në botën natyrore, ato përjetojnë periudha stabiliteti, të ndërprera nga periudha paqartësie dhe sjelljesh kaotike, të cilat shpesh shfaqen papritmas. Ne besojmë, se mund t’i sigurojmë Mbretëreshës një përgjigje të qartë, mbi pyetjen e saj.

Nëse agjensitë qeveritare dhe institucionet financiare, patën vlerësuar më herët se tregjet kanë shumë të përbashkëta me ekosistemet e gjalla, dhe për pasojë nxiten nga proceset evolucionare afatgjata, atëherë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm, duhet të kishin qenë ato të duhurat, për të identifikuar anomalitë që shkaktuan krizën financiare.

Le të shtjellojmë konceptin: analiza tradicionale ekonomike dhe financiare, përpiqet të shpjegojë ngjarjet ekonomike, nga aryestimi i lidhjes midis ngjarjeve të shkuara dhe atyre të tashme, të gjitha nën kufizimet e një teorie të caktuar ekonomike. Prandaj, nga një analizë tipike mund të lexoni: “tregjet shënuan rënie, ndërsa investitorët po investojnë mbi kapitalin”, ose “interesi i bonove, u rrit pas njoftimit më të fundit të Bankës së Anglisë”.

Këto analiza, kanë tendencë të përqëndrohen në një, ose edhe disa ngjarje të ndryshme, për të shpjeguar lidhjen shkakësore ndërmjet së shkuarës dhe të tashmes, në një mënyrë përfundimtare. Në kontekstin e krizës financiare të vitit 2008, analiza tradicionale financiare lokalizon çrregullimin e tregut në vitet ‘80 dhe ’90, si shkakun kryesor të rënies.

Megjithatë, kjo është njëlloj si të thuash, që një person u bë diabetik sepse konsumoi shumë ushqime të gatshme, gjatë viteve të fundit. Ndërsa mund të jetë e saktë të thuhet, se ka një lidhje midis diabetit dhe ushqimit të gatshëm, kjo sëmundje në fakt është pasojë e gjenetikës, si dhe mënyrës së jetesës. Ajo ndërtohet mbi jetën e një individi, fillimisht pa treguar asnjë simptomë të ekzistencës së saj.
Me fjalë të tjera, nuk është thjesht një çështje e shkakut dhe pasojës, por një proces dinamik që evoluon ngadalë, bazuar në prirjen para- ekzistuese të një sëmundje, që në fund manifestohet në një mënyrë relativisht të papritur. Pra, si tek diabeti ashtu edhe te kriza financiare, nuk është vetëm zbulimi i fenomenit që është i rëndësishëm – ky është zakonisht shumë pak me rëndësi, dhe shumë i vonë si informacion.

Me rëndësi të madhe është kuptimi i prirjes, për fenomenet që krijohen. Sikurse thotë matematikani Benua Mandelbro, në mënyrë që të kuptojmë forma fraktale në natyrë, “mos mendoni mbi atë çfarë shihni, por çfarë duket se prodhon ajo që shihni”. Ne përdorëm këtë pikëpamje në kërkimin e fundit, në të cilin analizuam një gamë të gjerë të të dhënave historike të biznesit, nga industri dhe zona të ndryshme.

Zbuluam se krizat financiare nuk shkaktohen si rrjedhojë e ngjarjeve të veçanta ekonomike apo zhvillimeve rregullative, por më tepër si rezultat i një procesi evolutiv afatgjatë, që rregullon ekulibrin rritje-zbritje dhe blerjet. Në mënyrë të pashmangshme, ky proces çon në shfaqjen e ekosistemeve të zhbalancuara – të ngjashme me oligopolin apo monopolin, e të përbërë nga disa subjekte shumë të mëdha, por të ngathta “shumë të mëdha, për të dështuar”, së bashku me subjekte shumë të vogla.

Pra, ndërsa disa kompani të mëdha vazhdojnë të bëhen më të mëdha, mesatarisht nuk e përmirësojnë ecurinë e tyre. Këtu, ne theksojmë rëndësinë e një perspektive mbi ekosistemet: është pikërisht ndërvarësia ndërmjet të gjitha kompanive, që rritja e shfrenuar e një apo disa kompanive, çon drejt një çekuilibri sistematik, të ngjashëm me rritjen e pakufizuar të qelizave që ne konstatojmë tek sëmundjet kanceroze. Zhvillimi i çekuilibrit është mesa duket i kudogjendur, duke e shfaqur veten në krizën globale financiare të vitit 2008, krizën bankare japoneze të viteve ‘90, dhe ishte i pranishëm edhe në krizën e sistemit hekurudhor të Britani të Madhe në fillim të viteve ‘20, gjë që shkaktoi shtetëzimin e saj nga qeveria në vitin 1921. Ky mekanizëm, mund të përmblidhet në një formë të thjeshtë: sa më e madhe të jetë prejardhja e kompanisë (numri i subjekteve të fituara, të cilat pastaj janë pjesë e kompanisë), aq më të mëdha janë gjasat, që kompania të bashkohet përsëri, duke shkaktuar një varg reagimesh pozitive. Duke u rrikthyer tek analogjia jonë me diabetin, mekanizmi i prejardhjes është një e metë gjenetike në tregjet e lira, dhe çon në fillimin e një gjendje kronike. Në hulumtimet e mëhershme, kemi zhvilluar një mjet për të vlerësuar ekosistemet e tregjeve financiare, të cilat identifikuan dy mekanizma, të cilat veprojnë si katalizatorë për daljen nga një krizë. E para është kopjimi që bankat duhet t’i bëjnë modeleve më të suksesshme të biznesit (në terma afatshkurtër), çka çon në humbjen e diversitetit dhe elasticitetit. E dyta janë investitorët, si menaxherët e fondeve, që shtojnë oreksin e tyre për rrezikun, duke u përpjekur të bëjnë më mirë sesa konkurrentët. Sipas mendimit tonë, këto dy çështje për bankat,

ekuivalenti i ushqimit të shpejtë dhe alkoolit tek një person në prag të diabetit – faktorë që përshpejtojnë dhe nxisin fillimin e sëmundjes. Pasi ne e pranojmë pikëpamjen, se gjatë një periudhe të evolucionit afatgjatë, tregjet e lira kanë të meta të rëndësishme, të cilat përfundimisht do të na çojnë drejt krizave, atëherë kjo të shpie në një numër pasojash të pritshme. Në vend se të kërkojmë “jo shumë bum ekonomik, por as dështim”, sikurse ish- kryeministri i Britanisë së Madhe Gordon Broun veproi, rregullorja duhet të fokusohet në:(a) ngadalësimin e zhvillimit të ç’ekuilibrit të ekosistemit dhe (b) zbutjen e efekteve të një ç’ekuilibri të tillë.

Prandaj, debati i nxitur ideologjikisht se tregjet kërkojnë më shumë rregullim ose mund të rregullojnë vetveten, mund të zhvendoset në një parim më produktiv:rregullorja e re, duhet të vihet në zbatim, vetëm nëse ajo ndihmon në ruajtjen e diversitetit të përgjithshëm të lojtarëve ekonomike në sistem. Një shqetësim i madh për ne, është se rregullat e shtuara, që prej krizës financiare të vitit 2008, në fakt po e pakësojnë diversitetin, dhe për këtë arsye po na rezervojnë probleme edhe më të mëdha për të ardhmen.

Betejat taktike

Është e rëndësishme të theksojmë, se ne besojmë që teoria ekonomike dhe financat tradicionale, kanë merita të rëndësishme në të drejtën e tyre. Nuk po mëtojmë t’i diskreditojmë këto shkenca, siç është bërë në modë kohët e fundit, në favor të kompleksitetit dhe shkencës evolucionare. Teoritë tradicionale punojnë mirë, dhe janë të dobishme për vlerësimin e luhatjeve të tregut, brenda

një dritareje të kufizuar kohore, si në periudha të qëndrueshme, ashtu edhe të paqëndrueshme. Megjithatë, ato nuk janë korniza e saktë, për të matur prirjet afatgjata dhe periudhat e tranzicionit, të tilla si shfaqja e një krize apo edhe rikthimit i mëvonshëm në stabilitet. Në këto raste, ne besojmë se është më e përshtatshme një qasje evolucionare. Të dy kornizat janë komplementare. Ekonomia tradicionale dhe teoria e financave, mund të na ndihmojë për të fituar ditë për ditë betejat taktike, ndërsa kompleksiteti dhe shkenca evolucionare, na ndihmojnë të kuptojmë drejtimin dhe rreziqet, me të cilat po përballemi nga një pikëpamje strategjike.

Jemi duke punuar me analistë dhe tregtarë nga disa institucione globale, duke eksploruar këtë qasje të re të “ekosistemit të biznesit”, për të zhvilluar një menaxhim risku “të zgjuar” dhe metodat analitike strategjike. Dëshmia, se proceset evolutive qeverisin botën tregtare, shihet qartë. Për shembull, kafeneja në Londër ku ne zhvilluam takimin tonë, është e rrethuar nga ndërtesa të madhërishme, të cilat dikur kanë shërbyer si zyra dhe depo për korporatat e mëdha të revolucionit industrial. Sot ato janë kafene dhe hotele. Gjërat kanë evoluar. Dhe tani është koha për të zhvilluar mënyra të reja, për analizimin e botës tregtare, bazuar tek rregullat që ne vëzhgojmë në natyrë. / New Scientist / a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button