Histori

Z. Gorbaçov, shembe këtë mur!

Fjalimi i historik i mbajtur para Portës së Brandenburgut në Berlin, nga Presidenti i SHBA, Ronald Reagan, ne 12 qershor 1987. Për shumëkënd, fjalët e tij drejtuar udhëheqësit sovjetik, Gorbaçov, u shndërruan në simbolin e fillimit të shembjes së Perdes së Hekurt

Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse kërkon paqen, nëse kërkon begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëse kërkon liberalizimin: Eja këtu, tek kjo portë! Z. Gorbaçov, hape këtë portë! Z. Gorbaçov, shembe këtë mur!

C41250-34Fjala e presidentit Ronald Reagan ne Porten e Brandenburgut ne Berlinin Perendimor, Gjermani, 12 Qershor 1987
Kancelari Kohl, Z. Kryebashkiak Diepgen, zonja dhe zotërinj: 24 vjet më parë, Presidenti John F. Kennedy vizitoi Berlinin dhe i foli popullit të këtij qyteti si dhe të gjithë botës, që nga ndërtesa e Bashkisë. Që atëherë, dy presidentë të tjerë kanë ardhur në Berlin secili gjatë mandatit të tij. Dhe sot, unë vetë zhvilloj vizitën time të dytë në qytetin tuaj.
Ne presidentët amerikanë vijmë në Berlin, sepse është detyra jonë të flasim, në këtë vend, për lirinë. Por unë dua të rrëfej, se na tërheqin në këtë vend edhe gjëra të tjera: ndjenja e historisë në këtë qytet, më shumë se 500 vjet më i lashtë se kombi ynë; bukuria e Gunevaldit dhe Tiergartenit; mbi të gjitha, nga kurajo dhe vendosmëria juaj. Ndoshta kompozitori Paul Lincke kuptonte dicka nga presidentët amerikanë. Unë, ashtu si shumë presidentë të tjerë para meje, kam ardhur këtu sot sepse kudo ku shkoj, cfarëdolloj gjëje që bëj: Ich hab noch einen Koffer in Berlin. 9Unë kam ende një valixhe në Berlin).
Takimi ynë sot transmetohet në të gjithë Europën Perëndimore dhe Amerikën Veriore. Di që po shihet dhe dëgjohet edhe në Lindje. Për ata që dëgjojnë në të gjithë Europën Lindore, kam një fjalë speciale: Ndonëse nuk mundem të jem me ju, jua drejtoj këto fjalë ju, ashtu sikurse atyre që ndodhen mu këtu para meje. Sepse unë bashkohem me ju, ashtu si bashkohem me bashkatdhetarët tuaj në Perëndim, me këtë besim të pandryshueshëm: Es gibt nur ein Berlin. (Ka vetëm një Berlin).
Prapa meje ngrihet një mur që rrethon sektorët e lirë të këtij qyteti, pjesë e një sistemi të madh barrierash që ndajnë të gjithë kontinentin e Europës. Nga Balltiku, më tej në jug ato pengesa ngrihen mespërmes Gjermanisë, në një prerje të madhe telash me gjemba, betoni, qensh kufiri dhe kullash rojesh. Më tej në jug mund të mos ketë një mur të dukshëm. Por atje mbeten rojat e armatosur dhe pikat e kontrollit  – mbetet një kufizim i të drejtës për të udhëtuar, një instrument për t’u imponuar burrave dhe grave të zakonshme, vullnetin e një shteti totalitar. Megjithatë, këtu Në Berlin Muri ngrihet më i dukshëm; këtu, duke ndarë mespërmes qytetin tuaj, ku fotografitë e lajmeve dhe ekranet e televizorëve kanë ngulitur një herë e mirë në mendjet e botës, këtë ndarje brutale të kontinentit. Përballë Portës së Brandenburgut, gjithësecili është gjerman, i ndarë prej të ngjashmëve të tij. Cdo njeri është një berlinez, i detyruar të vështrojë një plagë.
Presidenti von Weizsacker ka thënë: “Cështja gjermane është e hapur, sa kohë që Porta e Brandenburgut është e mbyllur”. Sot unë them: Sa kohë që porta është e mbyllur, sa kohë që ky mur do të lejohet të qëndrojë në këmbë, nuk është vetëm çështja gjermane që mbetet e hapur, por çështja e lirisë së të gjithë njerëzimit. Megjithatë, unë nuk kam ardhur këtu për t’u ankuar. Sepse në Berlin unë gjej një mesazh paqeje, edhe në hijen e këtij muri, një mesazh triumfi.
Në po këtë kohë në pranverë të 1945-ës, populli i Berlinit doli prej vendstrehimeve dhe pa shkatërrimin. Mijëra milje larg, populli i Shteteve të Bashkuara zgjati dorën për ta ndihmuar. Dhe në vitin 1947 Sekretari i Shtetit – siç jua kanë thënë – George Marshall shpalli krijimin e atij që do të bëhej i njohur si Plani Marshall. Duke folur saktësisht 40 vjet më parë, si këtë muaj, ai tha: “Politika jonë është e orientuar jo kundër një vendi apo një doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit dhe kaosit”.
Në Rajshtag pak çaste më parë, pashë një ekspozitë që përkujtonte 40-vjetorin e Planit Marshall. Më preku sidomos një tabelë mbi një strukturë të djegur e të rrënuar që po rindërtohej. Unë e kuptoj që berlinezët e brezit tim mund të kujtojnë të kenë parë shenja të tilla në të gjithë sektorët perëndimorë të qytetit. Në tabelë ishte shkruajtur thjeshtë: “Plani Marshall po ndihmon këtu për të forcuar botën e lirë”. Një botë e lirë dhe e fuqishme në Perëndim, kjo ëndërr u bë realitet. Japonia u ngrit nga rrënojat dhe u bë një gjigand ekonomik. Italia, Franca, Belgjika – pothuajse çdo komb në Europën Perëndimore rilindi politikisht dhe ekonomikisht; u krijua Komuniteti Europian.
Në Gjermaninë Perëndimore dhe këtu në Berlin, ndodhi një mrekulli ekonomike, Wirtschaftswunder. Adenaueri, Erhardi, Reuteri dhe udhëheqës të tjerë kuptuan rëndësinë praktike të lirisë – që ashtu sikurse e vërteta mund të lulëzojë vetëm kur gazetarit i jepet liria e fjalës, edhe mirëqenia mund të vijë vetëm kur fermeri dhe biznesmeni gëzojnë lirinë ekonomike. Udhëheqësit gjermanë reduktuan tarifat, zgjeruan tregtinë e lirë, ulën taksat. Vetëm nga viti 1950 deri në vitin 1960, standarti i jetesës në Gjermaninë Perëndimore dhe në Berlin u dyfishua.
Aty ku katër dekada më parë kishte rrënoja, sot në Berlinin Perëndimor kemi prodhimin më të madh industrial se sa çdo qytet tjetër në Gjermani. Blloqe zyrash që gumëzhijnë, shtëpi dhe apartamente të bukur, bulevardë madhështorë si dhe lëndinat e parkland. Aty ku kultura e një qyteti dukej se ishte shkatërruar, sot ka dy universitete të famshëm, orkestra dhe një opera, teatro të panumërt dhe muzeume. Aty ku dikur kishte mungesë, sot ka bollëk – ushqime, veshje, automobilë – mallrat e mrekullueshëm të Ku’damm. Nga shkatërrimi, nga rrënojat, ju, berlinezët, në liri keni ndërtuar një qytet që renditet edhe një herë si një prej më të mëdhenjve mbi tokë. Sovjetikët mund të kenë patur plane të tjerë. Por, miqtë e mi, disa gjëra sovjetikët nuk i kishin parashikuar – Berliner Herz, Berliner Humor, ja, und Berliner Schnauze.
Në vitet 1950, Hrushovi parashikonte: “Ne do ju varrosim”. Por në Perëndim sot, ne shohim një botë të lirë që ka arritur një nivel begatie dhe mirëqenieje, të paprecedentë në të gjithë historinë njerëzore. Në botën komuniste, ne shohim dështim, prapambetje teknologjike, rënie të standarteve të shëndetit, mungesë edhe të gjërave më themelore – shumë pak ushqim. Edhe sot, Bashkimi Sovjetik nuk mundet ende të ushqejë vetveten. Pas këtyre katër dekadave, përpara të gjithë botës ka një konkluzion të madh e të pashmangshëm: Liria sjell begatinë. Liria zëvendëson urrejtjet e vjetra mes kombeve me njerëzillëk dhe paqe. Liria është fitimtarja.
Dhe tani, edhe vetë sovjetikët, ndonëse në mënyrë të kufizuar, mund të fillojnë të kuptojnë rëndësinë e lirisë. Dëgjojmë shumë nga Moska për një politikë reformash dhe hapjeje. Disa të burgosur politikë janë liruar. Disa transmetime të agjencive të huaja të lajmeve nuk bllokohen më. Disa sipërmarrje ekonomike janë lejuar të operojnë më të lira prej kontrollit shtetëror.
A është ky fillimi i ndryshimeve të thellë në shtetin sovjetik? Apo janë thjeshtë gjeste simbolikë, që synojnë të ngjallin shpresa të rreme në Perëndim, ose të forcojnë sistemin sovjetik pa e ndryshuar atë? Ne e mirëpresim ndryshimin dhe hapjen; sepse ne besojmë që liria dhe siguria shkojnë krah për krah, se përparimi i lirisë së njeriut vetëm mund ta forcojë kauzën e paqes në botë. Ka një shenjë që sovjetikët mund ta bëjnë dhe që do të ishte e pagabueshme, që do të çonte dramatikisht përpara kauzën e lirisë dhe paqes.
Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse kërkon paqen, nëse kërkon begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëse kërkon liberalizimin: Eja këtu, tek kjo portë! Z. Gorbaçov, hape këtë portë! Z. Gorbaçov, shembe këtë mur!
Unë e kuptoj frikën dhe dhimbjen e ndarjes që ka pllakosur këtë kontinent – dhe unë ju betohem për përpjekjet e vendit tim, për të ndihmuar në shërimin e këtyre plagëve. Ne në Perëndim duhet t’i rezistojmë ekspansionit sovjetik. Ne duhet të ruajmë sisteme mbrojtës të papushtueshëm. Megjithatë ne kërkojmë paqen: kështu që duhet të përpiqemi të reduktojmë armët në të dy krahët.
Duke filluar 10 vjet më parë, sovjetikët sfiduan aleancën perëndimore me një rrezik të ri e shumë të madh, qindra raketa bërthamore të reja dhe më të rrezikshme SS-20, në gjendje të godasin çdo kryeqytet të Europës. Aleanca perëndimore u përgjigj duke u angazhuar në vendosjen e kundër-raketave, nëse sovjetikët nuk binin dakord për të negociuar një zgjidhje më të mirë: domethënë, eleminimin e armëve të tilla në të dy krahët. Për shumë muaj, sovjetikët refuzuan të negociojnë seriozisht. Teksa aleanca, nga ana e saj, u përgatit të vendoste raketat, pamë ditë të vështira – ditë protestash si ato të vitit 1982, gjatë vizitës time në këtë qytet – dhe më vonë sovjetikët u larguan nga tryeza e negociatave.
Por gjatë gjithë kohës, aleanca mbeti e vendosur. Dhe unë i ftoj ata që protestuan atëherë – unë ftoj ata që protestojnë sot – që të mbajnë vesh mirë këtë fakt: Për arsye se ne qëndruam të palëkundur, sovjetikët u rikthyen në tryezë. Dhe për arsye se ne qëndruam të palëkundur, sot ne jemi shumë pranë shansit që, jo vetëm të kufizojmë rritjen e armatimeve, por të zhdukim nga faqja e dheut, për herë të parë, një kategori të tërë armësh bërthamore.
Ndërkohë që unë flas, ministrat e NATO-s po takohen në Islandë për të këqyrur progresin e propozimeve tanë për të eleminuar këto armë. Në bisedimet e Gjenevës, ne kemi propozuar shkurtime të mëdhenj në armët strategjike të sulmit. Dhe aleatët perëndimorë kanë bërë propozime largpamës për të reduktuar rrezikun e luftërave konvencionale si dhe për të ndaluar tërësisht armët kimike.
Ndërkohë që ne ndjekim këtë reduktim të armëve, unë ju betohem se ne do të ruajmë kapacitetin për të frenuar agresionin sovjetik në çdo nivel që mund të ndodhë. Dhe në bashkëpunim me shumë prej aleatëve tanë, SHBA po ndjek Nismën e Mbrojtjes Strategjike – për të mbështetur strategjinë e frenimit jo vetëm në sulme, por edhe në sistem mbrojtës që vërtetë mbrojnë; shkurt, për sisteme që nuk vënë në shënjestër popullsinë, por e mbrojnë atë. Me këta mjete ne synojmë të rrisim sigurinë e Europës dhe të gjithë botës. Por nuk duhet të harrojmë një fakt shumë të rëndësishëm: Lindja dhe Perëndimi nuk e shohin me mosbesim njëri-tjetrin sepse jemi të armatosur; ne JEMI të armatosur sepse nuk besojmë njëri-tjetrin. Dhe dallimet tanë nuk janë për armët, por për lirinë. Kur Presidenti Kennedy foli në këtë qytet 24 vjet më parë, liria ishte e rrethuar, Berlini ishte nën rrethim. Dhe sot, pavarësisht të gjithë presioneve mbi këtë qytet, Berlini është i sigurtë në liri. Dhe liria vetë është duke transformuar globin.
Në Filipine, në Amerikën Jugore dhe Qendrore, demokracia ka rilindur. Në të gjithë Paqësorin, tregjet e lirë po bëjnë mrekulli pas mrekullie në drejtim të rritjes ekonomike. Në kombet e industrializuar po ndodh një revolucion teknologjik – një revolucion i shenjuar prej përparimit të shpejtë dhe dramatik në kompjuterë dhe telekomunikacion.
Në Europë, vetëm një shtet dhe ata që ai kontrollon refuzojnë t’i bashkohen komunitetit të lirisë. Megjithatë, në këtë epokë të dyfishimit të rritjes ekonomike, të informacionit dhe inovacionit, Bashkimi Sovjetik ndodhet përballë një zgjedhjeje: Duhet të bëjë ndryshime themelorë, ose do të mbesë prapa.
Kështu që, e sotmja paraqet një moment shprese. Ne në Perëndim jemi gati të bashkëpunojmë me Lindjen për të nxitur hapjen e vërtetë, për të rrëzuar pengesat që ndajnë njerëz, për të krijuar një botë më të sigurtë dhe më të lirë. Dhe sigurisht që nuk ka vend më të mirë se sa Berlini, vendi i pikëpjekjes së Lindjes dhe Perëndimit, për t’ia filluar. Popull i lirë i Berlinit: Sot, ashtu sikurse në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara janë për zbatimin e plotë të të gjithë pjesëve të Marrëveshjes së Katër Fuqive të vitit 1971. Le ta përdorim këtë rast, 750-vjetorin e këtij qyteti, për të hyrë në një epokë të re, për të kërkuar një jetë më të plotë dhe më të pasur për Berlinin e të ardhmes. Së bashku, të ruajmë dhe zhvillojmë lidhjet mes Republikës Federale dhe sektorëve perëndimorë të Berlinit, gjë që e lejon marrëveshja e 1971-shit.
Dhe unë ftoj Z. Gorbaçov: Eja të punojmë që të afrojmë edhe më shumë pjesët Lindore dhe Perëndimore të qytetit, me qëllim që të gjithë banorët e Berlinit të gëzojnë përfitimet që vijnë prej të jetuarit në një prej qyteteve më madhështorë të botës.
Për të hapur edhe më shumë Berlinin ndaj të gjithë Europës, Lindjes dhe Perëndimit, le të zgjerojmë hapësirën ajrore të hyrjes në këtë qytet, duke gjetur mënyra për të bërë më të volitshëm fluturimet civilë drejt Berlinit, si dhe më të rehatshëm e më ekonomikë. Ne mezi presim ditën kur Berlini do të shndërrohet në një prej nyjave kryesore të aviacionit në Europën qendrore.
Me partnerët tanë francezë dhe britanikë, SHBA po përgatitet për të sjellë samitet ndërkombëtarë në Berlin. Do të ishte gjëja e duhur, nëse Berlini do të shërbente si vendtakim për samitet e Kombeve të Bashkuara, apo konferencat botërore mbi të drejtat e njeriut dhe kontrollin e armëve, apo çështje të tjera që kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar.
Nuk ka mënyrë më të mirë për të krijuar shpresën për të ardhmen, se sa të ndriçoni mendjet tuaja, dhe ne do të ishim të nderuar të sponsorizonim shkëmbime verorë të të rinjve, aktivitete kulturorë, si dhe programe të tjerë për të rinj berlinezë nga lindja. Miqtë tanë francezë dhe britanikë, jam i sigurtë se do të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe kam shpresën që në Berlinin lindor mund të gjendet një autoritet për të sponsorizuar vizitat nga të rinjtë e sektorëve perëndimorë.
Një propozim i fundit, që e kam më për zemër: Sporti përbën një burim gëzimi dhe fisnikërimi, dhe ju mund të keni vënë re që Republika e Koresë – Korea e Jugut – ka ofruar të lejojë që disa aktivitete të Olimpiadës së 1988 të zhvillohen në Veri. Gara ndërkombëtare sportive të të gjithë llojeve mund të zhvillohen në të dy anët e këtij qyteti. Dhe a ka mënyrë më të mirë për t’i treguar botës hapjen e këtij qyteti, se sa të ofroheni në të ardhmen për të organizuar Olimpiadën këtu në Berlin, në lindje dhe në perëndim? E thashë që në këto katër dekada, ju berlinezët keni ndërtuar një qytet të madh. E keni bërë pavarësisht kërcënimeve – përpjekjeve sovjetike për të vendosur markën lindore, bllokëdën. Sot, ky qytet lulëzon, pavarësisht sfidave që janë të dukshme edhe nga vetë prania e këtij Muri. Cfarë ju mban këtu? Sigurisht, shumë gjëra mund të thuhen për guximin dhe qëndresën tuaj. Por unë besoj se ka diçka më të thellë, diçka që përfshin të gjithë mënyrën si shfaqet dhe ndihet Berlini si dhe mënyrën e jetesës – jo thjeshtë ndjenjën. (Askush nuk do mundej të jetonte gjatë në Berlin pa u çliruar nga emocionet)
Eshtë diçka, që mendoj se ka parë vështirësitë e jetës në Berlin, por ka zgjedhur t’i pranojë, që vazhdon të ndërtojë këtë qytet të mirë dhe krenar, në kontrast me një prani tërësisht totalitare përreth tij, e cila refuzon të çlirojë energjitë apo aspiratat njerëzore. Diçka që flet me një zë të fuqishëm afirmimi, që i thotë po këtij qyteti, i thotë po të ardhmes, po lirisë. Me një fjalë, unë dua të them se ajo që ju mban ju berlinezët është dashuria – një dashuri e thellë dhe e qëndrueshme.
Ndoshta kjo është në rrënjë të dallimit më themelor mes Lindjes dhe Perëndimit. Bota totalitare prodhon prapambetje, sepse ajo dhunon kaq shumë shpirtin, pengon impulsin njerëzor që të krijojë, të shijojë, të adhurojë. Për botën totalitare, edhe simbolet e dashurisë dhe adhurimit janë fyerje. Vite më parë, përpara se gjermano-lindorët të fillonin të ndërtonin kishat e tyre, ata ngritën një strukturë laike: kullën e televizionit në Alexander Platz. Që atëherë, autoritetet kanë punuar të korrigjojnë atë që e shohin si defektin kryesor të kullës, duke përdorur bojë dhe kemikate të çdo lloji në sferën e qelqtë në majë. Megjithatë, edhe sot, kur dielli bie mbi atë sferë – atë sferë që qëndron mbi të gjithë Berlinin – drita bën shenjën e kryqit. Atje në Berlin, ashtu sikurse dhe vetë qyteti, shenjat e dashurisë, simbolet e adhurimit nuk mund të shtypen.
Teksa hodha sytë pak çaste më parë nga Reichstag-u, i cili mishëronte unitetin gjerman, vura re fjalë të shkruajtura nëpër mure, ndoshta nga ndonjë berlinez i ri në moshë: “Ky mur do të bjerë. Besimi bëhet realitet”. Po, në të gjithë Europën, ky mur do të bjerë. Sepse ai nuk mundet t’i rezistojë besimit; nuk mundet t’i rezistojë të vërtetës. Muri nuk mundet t’i rezistojë lirisë.
Dhe përpara se ta mbyll, do të doja të thoja një fjalë. Kam lexuar, dhe më kanë pyetur që kur kam qenë këtu, në lidhje me disa demonstrata kundër vizitës sime. Dhe dua të them vetëm një gjë, dhe atyre që demonstrojnë. Dua t’i pyes nëse ata e kanë pyetur ndonjëherë veten që, nëse do të kenë qeverinë që me sa duket kërkojnë, askush nuk do të jetë më në gjendje të bëjë atë që ata po bëjnë.
Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve.
Përkthimi në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button