Analiza

Zbrazëtia e retorikës së Perëndimit

Ana Palacio

Afro 70 vjet më parë, kur George Orwell ekzaminoi tendencën drejt ambiguitetit, ai ofroi shpjegimin disi të thjeshtë se “fjalimi dhe shkrimi politik janë kryesisht mbrojtja e të pambrojtshmes”. Me fjalë të tjera, gjuha e mjegullt është e nevojshme për të fshehur realitete të pakëndshëm. Dhuna masive kundër popullsive civile është “paqësim” dhe spastrimi etnik është një “transferim i popullsisë”. Siç thoshte Orwelli, “armiku i madh i gjuhës së pastër është mungesa e sinqeritetit”

Screen Shot 2015-04-16 at 11.21.27Mes sfidave të shumta që has Perëndimi, njëra prej tyre injorohet vazhdimisht: të dhënit pas retorikës boshe. Që nga parulla e papranueshme e Presidentit Barack Obama gjatë mandatit të parë, “të udhëheqësh nga prapa”, deri tek versioni më i fundit gjerman i “udhëheqjes nga qendra”, frazat boshe janë shndërruar në monedha të politikave të jashtme të qeverive perëndimore.

Sigurisht, kompleksiteti dhe paparashikueshmëria e çështjeve ndërkombëtare e forcojnë prirjen e politikanëve për të qenë sa më të paqartë. Dhe sot, me mjedisin gjeopolitik më të komplikuar dhe më pak të parashikueshëm se kurrë, udhëheqësit tanë kanë edhe më pak nxitje për të ofruar atë lloj guximi dhe qartësie që kërkon një politikëbërje efikase. Fatkeqësisht, një situatë të keqe e kemi përkeqësuar edhe më shumë.

Deklaratat strategjike luajnë një rol të rëndësishëm në sinjalizimin e kundërshtarëve, aleatëve, qytetarëve dhe institucioneve qeveritarë, për drejtimin që merr një vend dhe qëllimet që ai ka. Kur deklarata të tilla kërkojnë interpretime të pafundëm, atëherë impakti i tyre dobësohet dramatikisht.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për dykuptimësi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Historia është e mbushur me episode, kur ambiguiteti strategjik ka qenë i dobishëm. Për shembull, disa historianë thonë se vendimi, në vitin 1950, i Sekretarit të atëhershëm të Shtetit të SHBA, Dean Acheson, për të përjashtuar “Korenë e Jugut” nga perimetri i mbrojtjes prej SHBA, i dha një sinjal Koresë së Veriut dhe Bashkimit Sovjetik se Amerika nuk do ta mbronte Jugun, edhe nëse sulmohej.

Problemi me paqartësinë e sotme është se kjo nuk është strategjike. Mendoni bazën e arsyetimit të Barack Obamës për politikën e tij të jashtme – e ashtuquajtura “doktrina Obama” – që ai më në fund e ofroi, në vijim të deklaratës për marrëveshjen-kuadër në lidhje me programin bërthamor të Iranit. “Ne do të angazhohemi, por ne ruajmë të gjithë aftësitë tona”.

Në sipërfaqe, kjo deklaratë ka kuptim. Por ajo na lë me më shumë pyetje, se sa përgjigje. Cfarë sinjali ka lëshuar në të vërtetë Obama? Cilët, sipas këndvështrimit të tij, janë kufijtë e angazhimit të SHBA? Në cilat kushte, SHBA do të përdorte aftësitë e veta?

Afro 70 vjet më parë, kur George Orwell ekzaminoi tendencën drejt ambiguitetit, ai ofroi shpjegimin disi të thjeshtë se “fjalimi dhe shkrimi politik janë kryesisht mbrojtja e të pambrojtshmes”. Me fjalë të tjera, gjuha e mjegullt është e nevojshme për të fshehur realitete të pakëndshëm. Dhuna masive kundër popullsive civile është “paqësim” dhe spastrimi etnik është një “transferim i popullsisë”. Siç thoshte Orwelli, “armiku i madh i gjuhës së pastër është mungesa e sinqeritetit”.

Deri në një farë mase, vëzhgimet e Orwellit janë ende të vërtetë. Por problemi sot është i ndryshëm: politikanët po përdorin politikën e mjegullt, më pak, sepse politikat e tyre janë në thelb të pambrojtshme, dhe më shumë sepse kanë frikë mos u duhet të mbrojnë ndonjë pozicion, cilidoqoftë ai. Ndërkohë që ka një sërë arsyesh për këtë heshtje, kur vjen fjala tek marrëdhëniet ndërkombëtare, dy janë më të spikaturat. 

E para është atmosfera politike hiperbolike në demokracitë perëndimore, ku cikli 24-orësh i lajmeve dhe mediat sociale e kanë sjell në rend të ditës politikën e llojit “TE KAPA!” Shtoji kësaj edhe pasigurinë tipike të marrëdhënieve me jashtë, dhe nuk mund të habitesh që politikanët do të preferonin më mirë të nxirrnin nga goja fjali boshe, se sa të rrezikonin të thonin diçka që do t’u plaste mu përpara fytyrës. Në të vërtetë, mjafton të shohësh serinë disa-vjeçare të komenteve – të karakterizuar nga partitizmi, thashethemet, dhe armiqësia – pas sulmit ndaj ambasadës së SHBA në Bengazi në vitin 2012, për të kuptuar ankthin e udhëheqësve.

Arsyeja e dytë është më themelore: zbehja e sensit të qëllimit dhe bindjes, që karakterizon demokracitë perëndimore sot. Ndërkohë që, për shembull, presidentët John F. Kennedy, apo Ronald Reagan, u përballën qartaz me Bashkimin Sovjetik në fjalimet e tyre në Murin e Berlinit, një seri udhëheqësish perëndimorë kanë folur vetëm me tundje koke dhe shkelje sysh për situatën në Ukrainë, si dhe qëndrimin agresiv të Kinës ndaj fqinjëve të saj.

Nuk është e vështirë të bësh dallimin. Gjatë Luftës së Ftohtë, siguria e Perëndimit se kishte avantazhin moral frymëzonte vetëbesim, në fjalë dhe në vepra. Ndonëse Perëndimi ka ende avantazhin moral në shumë çështje të rëndësishme – si në rastin e Shtetit Islamik, apo pushtimin e Ukrainës nga Rusia – sistemi global sot është i ndarë jo aq qartësisht. Sfidat e brendshme sociale, që kanë vënë në pikëpyetje drejtësinë sociale të modelit liberal të Perëndimit, e kanë forcuar edhe më heshtjen e politikanëve.

Ndërkohë që udhëheqësit mosbesues perëndimorë ofrojnë mesazhe të ngatërruar, ata lejojnë aktorë cinikë me narrativa më të thjeshta dhe më imponuese, shpesh herë të bazuara në gënjeshtra dhe shtrembërime, që të fitojnë mbështetje me më shumë lehtësi. Në Europë, ngjitja e populistëve demagogë në të dy anët e spektrit politik, e mishëron më së miri këtë fenomen. Po kështu, Presidenti Vladimir Putin, i pashqetësuar prej fakteve apo fajit, ka shfrytëzuar pakënaqësitë e thella dhe pasiguritë në audiencën e brendshme dhe atë ndërkombëtare, për të sajuar narrativa imponuese që mbështesin politikën e tij kundrejt Ukrainës.

Udhëheqësit perëndimorë nuk kanë pse i druhen të vërtetës. Faktet janë në anën e tyre. Ai që nevojitet është vetëbesimi për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të ngritur mbi vlerat liberale – dhe të mbështeten argumentat me veprime. Në fund të fundit, deklaratat e forta nuk kanë asnjë vlerë, nëse nuk pasohen me veprime; më keq, ato dëmtojnë besueshmërinë e deklaratave në të ardhmen.

Obama e mësoi këtë në mënyrën më të keqe, kur ai hoqi një “vijë të kuqe” kundër përdorimit të armëve kimike nga Siria dhe më pas nuk arriti të veprojë me forcë, kur Siria e shkeli atë vijë. Doktrina Obama nuk mund të jetë e besueshme, nëse SHBA nuk është e gatshme që të përdorë aftësitë që presidenti është zotuar se do t’i ruajë. Ky është një detyrim i kufizuar jo vetëm tek Obama. Të gjithë politikëbërësit perëndimorë do të duhet të lëvizin përtej konsideratave mendjengushta politike dhe anktheve që i kanë mbërthyer, me qëllim që të paraqesin një vizion të qartë strategjik.

Zakoni i retorikës boshe është i vështirë të thyhet. Në të vërtetë, Orwelli paralajmëroi kundër potencialit të tij për të dobësuar mendimin kritik, pasi “çdo frazë e tillë vë në gjumë një copëz të trurit”. Por, ndërkohë që ekuilibri global i fuqive zhvendoset drejt Lindjes dhe drejt Jugut, Perëndimi duhet të bëjë atë që nevojitet për të siguruar vazhdimësinë e influencës së tij – dhe kjo do të thotë marrje e një qëndrimi të vendosur, të qartë dhe të besueshëm ndaj sfidave strategjike që ka përpara.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Mealy-Mouthed West – BOTA.al

Leave a Reply

Back to top button