Horizonti.al

Zbulohet mumja e Shahut të parafundit të Iranit

Një kufomë e mumifikuar u zbulua në Iran në mbetjet e një mauzoleu mbretëror dhe besohet se mund të jenë mbetjet e Reza Pahlavi –it, Shahut të Persisë dhe themeluesit të dinastisë me të njëjtin emër. Zbulimi i bë në Teheran, kryeqytetin e vendit dhe drejtori i këshillit bashkiak për trashëgiminë kulturore, Hassan Khalilabadi tha se është e mundur që trupi të jetë i Pahlavi-it. Sipas raportimit të IRNA-s mbetjet u gjetën gjatë punimeve të faltores shiite të Abdol Azim Hassani në Shahr-e-Rey, i ngritur në shek 9-të jashtë qytetit. Bëhet fjalë për të njëjtin vend, ku më parë ishte një mauzole mbretëror dhe Khalilabadi sinjalizoi se trupi ishte tërhequr nga xhamia dhe ishte varrosur.

Pahlavi mori pushtetin në Iran në vitin 1929 dhe u kurorëzua Shah, Perandor i Perandorisë Perse duke filluar kështu dinastinë që edhe sot mban emrin e tij në mërgim. Gjatë mbretërimit të tij ndërmori një fushatë të modernizmit të vendit dhe udhëhoqi një qeveri laike. Kundërshtarët e tij e kritikuan autoritarizmin dhe represionin mbi pakicat etnike. Në vitin 1941 u rrëzua nga britanikët dhe sovjetikët që pushtuan vendin duke patur frikë se Pahlavi do të hynte në Luftën e Dytë Botërore përkrah Gjermanisë naziste, për të cilën kishte simpati. Vdiq në vitin 1944 në ekzil në Johanesburg dhe 4 vite më vonë trupi i tij u riatdhesua dhe u vendos në mauzoleumin mbretëror të Shahr-e-Rey së bashku me faltoren Abdol Azim Hassani. Në vend të tij erdhi i biri, Mohammad Reza Pahlavi, i cili do të ishte Shah i Persisë nga 1941 deri në revolucionin islamik të 1979 kur u përmbys dhe u vendos regjimi teokrat shiit. Një vit më vonë në 1980 funksionarët religjozë urdhëruan shkatërrimin e varrit për të zgjeruar faltoren e Abdol Azim Hassani. Qysh atëherë u konsiderua i humbur, edhe pse pati spekullime se i biri e kishte tërhequr fshehtazi jashtë vendit para se të largohej në mërgim. Dinastia vazhdohet nga i nipi me të njëjtin emër dhe princ trashëgimtar, Reza Pahlavi që gjendet në mërgim në SHBA. Që andej i kërkoi në Twitter qeverisë iraniane që të mos fshihte asgjë pas zbulimit të mbetjeve të gjyshit të tij. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button