Analiza

Zgjatja e negociatave me Iranin, një motiv shprese?

Thierry Coville

Studjues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

A lejoi java e kaluar e negociatave afrimin e pozicioneve të Perëndimorëve dhe Iranit? A ishte një ngjarje e shënuar vizita e ministrit të punëve të jashtme të Arabisë Saudite?

negociatat

Vendimi për zgjatjen e negociatave shpjegohet me një afrim të pikëpamjeve të palëve të ndryshme, edhe pse ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare finale. Kështu u shpreh presidenti iranian Hassan Rohani gjatë fjalimit të tij, i ritransmetuar në televizionin iranian në mbrëmjen e datë 24 nëntor; ai deklaroi se logjikat e të dy kampeve ishin afruar dhe se tani ishte koha që “kjo të regjistrohej në letër”. John Kerry, Sekretari i Shtetit i SHBA, i ngarkuar për negociatat me Shtetet e Bashkuara, deklaroi se do të ishte marrëzi të ndalej tani. Ky afrim i pikëpamjeve mundet gjithashtu të shpjegohet me afrimin e afatit kohor. Vizita e ministrit saudit gjatë ditës së fundit të negociatave u perceptua shumë keq nga iranianët, duke i skandalizuar thellësisht ata, pasi Arabia Saudite është rivali i tyre kryesor në rajon. Një numër gazetash iraniane në titujt e tyre do të shkruanin se vizita e tij ishte e bazuar vetëm në vullnetin për të bërë që negociatat të dështonin. Unë do të miratoja një pikëpamje më të matur duke vlerësuar se sauditët në realitet synonin të evokonin pozicionet e tyre për programin bërthamor iranian, por gjithashtu për të qenë në dijeni për avancimin e negociatave. Nëse kjo përpjekje synonte t’i lëndonte iranianët, e sigurt është që vizita i kishte arritur objektivat e saj. Iranianët u tronditën sepse e konsideruan vizitën si një tentativë ndërhyrjeje e brendshme saudite.

Si shpjegohet ky vendim i negociatorëve për të dhënë një afat shtesë prej shtatë muajsh për të negociuar (deri më 30 qeshor 2015)? Cilat do të jenë modalitetet e zbatimit të kësaj zgjatje të negociatave?

Në fakt, ky është plani i përbashkët i veprimit, i vendosur më 24 nëntor të vitit 2013 në Gjenevë i cili do të zgjatet për 7 muaj. Pra jemi në të njëjtin kuadër të negociatave. Kalendari i vendosur nga palët propozon që të arrihet një marrëveshje e parë politike midis palëve për muajin mars të vitit 2015, ndërsa një marrëveshje më globale (përfshirë detajet teknike) duhet bërë më 1 korrikun e vitit 2015.

Por pika mosmarrëveshjeje ende ka midis palëve: për numrin e centrifugave që Irani mundet të zotërojë dhe ritmin për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare të imponuar regjimit iranian. Megjithatë, lëshime janë bërë si nga njëra anë ashtu dhe nga tjetra. Ideja e ndarë nga negociatorët është se zgjatja e kësaj dinamike pozitive do të lejojë të arrihet në një marrëveshje, dhe për këtë ata gjithmonë janë optimistë. Sipas gjuhës së diplomacisë iraniane, “është koha e cila ( ….) ka munguar”. Të gjitha palët (5+1 dhe Irani) e kuptojnë se në rastin më të keq të skenarëve do të ishte ndërprerja e negociatave, të dilej nga kuadri i Gjenevës dhe të ndaheshin pa marrëveshje, sepse skenarët alternativë janë jashtëzakonisht të rrezikuar. Në të vërtetë, një gjë e tillë do të bënte që Irani të vazhdonte programin e tij bërthamor ndërsa fuqitë perëndimore do të forconin sanksionet e tyre, gjë që do të shpinte në një përshkallëzim të ri të tensioneve.

Çfarë rreziqesh përfshin ky vendim për të shtyrë datën e negociatave? Kjo shtyrje a rrezikon të forcojë në të dy vëndet palën e kundërshtarëve për çdo marrëveshje?A është optimizmi gjithmonë i përshtatshëm?

Eshtë krejtësisht e qartë që kjo zgjatje e negociatave përfshin rreziqe dhe do të përdoret nga të “fortët” e të dy kampeve për të kritikuar negociatat në vazhdim. Nga ana iraniane, është e qartë se konservatorët, më radikalët, do të përfitojnë nga rasti për të denoncuar negociatat dhe të kërkojnë ndërprerjen e tyre duke zhvilluar një retorikë sipas së cilës është e padobishme për të negociuar me amerikanët dhe evropianët se këta të fundit nuk janë të besueshëm, ata kërkojnë vetëm të dobësojnë Republikën islamike dhe se Irani ka bërë tashmë shumë konçesione, pa fituar asgjë. Në anën amerikane, republikanët si më virulentët e shohin këtë shtyrje pa dobi për të negociuar me Iranin, se negociatat i lejojnë regjimit iranian veçse të fitojë kohë dhe të përparojë në programin e tij bërthamor dhe se asgjë nuk është arritur gjatë një viti dhe është e nevojshme t’i kthehen mënyrës së fortë, duke votuar sanksione të reja.

Interesante do të jetë se si këto tensione politike të brëndshme do të menaxhohen nga qeveria iraniane dhe ajo amerikane. E sigurt në Iran është se roli i Udhëheqësit (ayatollah Ali Khamenei) do të mbesë qëndror. Pika thelbësore për presidentin Rohani do të jetë të dijë nëse ai do të ruajë mbështetjen e udhëheqësit suprem. Në të vërtetë, ai i cili ka pranuar parimin e negociatave. Nëqoftëse Rohani ruan mbështetjen e ayatollahut për strategjinë e tij të negociatës, ai do të jetë në gjëndje të ndjekë diskutimet me fuqitë e mëdha, edhe nëse do të vihet në vështirësi në Parlament. Nga ana e tij, Barack Obama do të kërkojë t’i bëjë thirrje republikanëve duke u kërkuar atyre të mos të përpiqen të prishin edhe shansin e fundit për të gjetur një marrëveshje me Iranin, për t’i dekurajuar ata të votonin sanksione shtesë që do t’i shpinte në një dalje nga kuadri i negociatave – Plani i Përbashkët i Veprimit i vendosur në Gjenevë në vitin 2013 parashikon që asnjë sanksion shtesë kundra Iranit nuk mund të jetë votuar ndërkohë që vazhdojnë negociatat – dhe duke i shpjeguar atyre që sot nuk ekzistojnë alternativa të besueshme për të rregulluar këtë krizë.

PERGATITI: S.METANI/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button