Analiza

ZGJEDHJA E GJERMANISE / Do jetë Perëndimi, apo Rusia?

Markus Feldenkirchen

Për dekada të tëra, pozicioni i Gjermanisë në Perëndim mbeti i padyshimtë. Pas spiunimit nga NSA si dhe skandaleve të tjerë politikë, shumë gjermanë duan një pavarësi më të madhe nga SHBA, Por a do të thotë kjo një afrim më i madh me Moskën?

German Chancellor Merkel looks at the empty seat of U.S. President Barack Obama during the Nuclear Security Summit in The HagueJohn Emerson nuk pushon asnjëherë së buzëqeshuri. Mbrëmjen e të premtes, 4 korrik – Dita e Pavarësisë – ambasadori i SHBA shtrëngoi duart mbi tapetin e kuq, në një recepsion që ambasada e tij organizoi në ish aeroportin Tempelhof të Berlinit, i cili tashmë është transformuar në park. Emersoni përshëndeti të ftuarit me gazin e zakonshëm të një diplomati. Ai takoi një radhë të pafund biznesmenësh, zyrtarësh të qeverisë dhe njerëz të famshëm, dhe ndonëse mund ta shihje që po djersinte, buzëqeshja i mbeti e palëvizur, a thua donte të përcillte mesazhin që në botë gjërat vazhdonin të shkonin shumë mirë.

Kjo ka qenë një skenë e zakonshme në takimet e fundit mes zyrtarëve amerikanë dhe gjermanë. Por prapa fasadës së përsosur, marrëdhëniet me krisen. Edhe teksa punëtorët po dekoronin Fushën e Tempelhof me flamuj të vegjël të premten që kaloi, një lajm po qarkullonte në kryeqytetin e Gjermanisë, i cili fare mirë mund të çojë në nivele gjithnjë e më të ulët marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Berlinit.

Gjatë marrjes në pyetje, një punonjës i agjencisë së zbulimit të huaj gjerman, Bundesnachrichtendienst (BND) u tha autoriteteve gjermanë se u kishte shitur dokumenta sekretë amerikanëve. Duke parë që gjatë një kontrolli në apartamentin e tij u gjet teknologji enkriptimi, është e qartë se shitja e informacionit të klasifikuar nuk ka qenë ide e tija.

Të mërkurën, skandali i spiunazhit mori një dimension të ri, kur hetuesit në Zyrën Federale të Policisë kontrolluan shtëpinë dhe zurën e një punonjësi të Ministrisë së Mbrojtjes, që zyrtarët dyshuan se kishte spiunuar gjithashtu për amerikanët.

Të dy këta zhvillime janë vetëm përplasja e fundit në një marrëdhënie mes Gjermanisë dhe SHBA, e cila ka vuajtur shumë vitet e fundit. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel i ka braktisur tashmë shpresat se SHBA do të vijë në vete dhe do u vërë fre agjencive të zbulimit. Gjatë vizitës së fundit të Merkelit në Uashington, Presidenti Obama nuk ishte i gatshëm as për firmosjen e një marrëveshje mos-spiunimi, që do i ofronte pakëz siguri Gjermanisë.

Ndjenja antiamerikane

Megjithatë, Kancelarka priste që të paktën amerikanët të frenoheshin dhe të mos angazhoheshin në incidente të tjerë sikletosës – ajo nuk ka interes të shohë një rritje të ndjenjave antiamerikane në Gjermani, një zhvillim që në fund nuk do i ofronte zgjedhje tjetër, përveç se të distancohet sërish nga amerikanët. Por mund të ketë mbërritur edhe në këtë pikë.

Deri pak ditë më parë, BND nuk e kishte hetuar tërësisht skandalin e spiunazhit. Por në thelb ai nënkupton që amerikanët paguan një spiun për të kopjuar dokumenta për ta, disa prej të cilëve i përkisnin komisionit parlamentar të ngritur për të investiguar veprimtarinë e NSA në Gjermani. Do të ishte një nivel i ri guximi.

Edhe raportet e parë ishin të mjaftueshëm për të zemëruar anëtarë të rëndëisshëm të qeverisë gjermane të koalicionit, e cila përbëhet nga konservatorët kristian demokratë dhe socialdemokratët e majtë – aq shumë sa disa prej tyre mendojnë që shërbimet e fshehtë amerikanë janë në gjendje të bëjnë gjithçka.

Mes Lindjes dhe Perëndimit

Por, a është kjo pikërisht çfarë kërkon Kancelarja? Ajo do të preferonte të shihte gjermanët të qëndronin me rrënjë të forta në aleancën perënidmore, dhe besnikë ndaj partnerëve amerikanë. Por ajo ka vërejtur gjithashtu se sa shumë ndjenja antiamerikane ka shkaktuar skandali i spiunazhit i SHBA dhe ky i fundit, që përfundoi me dëbimin e kreut të CIA-s në Berlin, një gjë e paprecedentë kjo mes aleatësh.

Fondacioni Koerber porositi kohët e fundit realizimin enjë studimi për qasjen e gjermanëve ndaj politikës së jashtme të Gjermanisë. Me cilin vend duhet të bashkëpunojë Gjermania në të ardhmen, ishte pyetja? Afro 56 % thanë SHBA dhe 53 % thanë Rusia.

Këtu qëndron edhe tensioni më i thellë. Nga njëra anë, gjermanët janë të zhgënjyer prej amerikanëve dhe veprimtarinë e tyre të pafund të spiunazhit. Në të njëjtën kohë, ata kanë shfaqur një nivel mbresëlënës simpatie ndaj rusëve dhe presidentit të tyre, Vladimir Putin, në krizën e Ukrainës. Dhe kjo gjë ngre pikëpyetjen themelore për identitetin e Gjermanisë. Në terma kohëgjatë, gjermanët do të duhet të vendosin se cilën palë preferojnë.

Në 25 vitet që nga rënia e Murit të Berlinit, kjo çështja ka qenë gjithnjë e më pak si prioritet për shkak të kontrastit mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe u duk se ishte eleminuar polarizimi mes SHBA dhe Rusisë. Gjermania nuk kishte pse zgjidhte një anë, për arsye se nuk kishte një vijë ndarëse. Por kriza e Ukrainës dhe skandali i NSA i kanë dhënë fund kësaj faze rehatie, dhe tani që antagonizmi mes Perëndimit dhe Rusisë ka shpërthyer sërish, Gjermania nuk mundet të shmangë më pyetjen se cilës anë i përket.

Sipas një sondazhi të Spiegel, 57% e gjermanëve mendojnë që vendi i tyre duhet të bëhet më i pavarur nga SHBA kur vjen fjala tek politika e jashtme. Gjithashtu po ngrihen pikëpyetje të sikletshme, përfshirë edhe atë nëse marrëdhënia e ngushtë e Berlinit me Perëndimin ka qenë thjeshtë një fenomen kalimtar. /Marrë me shkurtime nga Der Spiegel/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button