Analiza

Zgjohu Europë!

George Soros

Eshtë koha që Bashkimi Europian të hedhë një vështrim kritik nga vetvetja. Duhet të ketë diçka që nuk shkon në BE, përderisa Rusia e Putinit është kaq e suksesshme, edhe në terma kohëshkurtër. Burokracia e BE nuk ka më monopolin e pushtetit dhe ajo ka shumë pak arsye për të qenë krenare. Duhet të mësojë të jetë më e bashkuar, fleksibël dhe efiçiente. Dhe vetë europianët duhet të shohin më nga afër Ukrainën e re. Kjo do i ndihmonte të rroknin frymën që mbizotëronte atëherë kur krijohej Bashkimi Europian. Duke shpëtuar Ukrainën, Bashkimi Europian do të shpëtonte vetveten

merkel putin poroshenko

Europa po përballet me një sfidë nga Rusia, ndaj vetë ekzistencës së saj. As udhëheqësit europianë, as qytetarët e Europës nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë sfidë, dhe as nuk dinë si ta përballojnë atë. Mendoj se shkaku i kësaj është fakti se Bashkimi Europian në përgjithësi dhe eurozona në veçanti e kanë humbur rrugën, pas krizës financiare të vitit 2008.
Rregullat fiskalë që mbizotërojnë aktualisht në Europë kanë shaktuar shumë pakënaqësi popullore. Partitë antiEuropë kanë arritur pothuajse 30% të vendeve në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, por deri kohët e fundit ato nuk kanë patur një alternativë ndaj BE-së për të parashtruar. Tani Rusia po ofron një alternativë që paraqet një sfidë themelore ndaj vlerave dhe parimeve mbi të cilat u ngrit Bashkimi Europian që në krye të herës. Ajo bazohet në përdorimin e forcës, që manifestohet në shtypjen brenda vendit dhe agresionin jashtë tij, përkundër sundimit të ligjit. Ai që të trondit është fakti që Rusia e Vladimir Putinit ka rezultuar në disa drejtime superiore ndaj Bashkimit Europian – më fleksibël dhe një burim konstant befasish. Kjo i ka dhënë një avantazh taktik, të paktën në terma kohëshkurtër.
Europa dhe Shtetet e Bashkuara – secila për arsyet e veta – janë të vendosura që të shmangin çdo konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë. Rusia po e shfrytëzon hezitimin e tyre. Duke shkelur detyrimet e veta në marrëveshje, Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka krijuar enklava separatiste në Ukrainën lindore. Në gusht, kur qeveria e krijuar së fundmi në Kiev rrezikoi të fitojë luftën e nivelit të ulët në Ukrainën lindore kundër forcave separatiste të mbështetura nga Rusia, presidenti Putin pushtoi Ukrainën me forca të rregullta ushtarake, në shkelje të hapur të ligjit rus që përjashton rekrutët nga shërbimi i jashtëm, pa miratimin e tyre.
Në 72 orë, këto forca shkatërruan disa qindra mjete të armatosur të ushtrisë ukrainase, që ishte një pjesë e rëndësishme e forcës së saj luftuese. Sipas gjeneralit Wesley Clark, ish Komandant i Përgjithshëm i Forcave të NATO-s në Europë, rusët kanë përdorur disa sisteme të lëshimit të raketave të pajisur me municione që thërrmohen si dhe me koka termobarike (një armë edhe më çnjerëzore që duhej të kish dalë jashtë ligji) me një efekt shkatërrimtar. Ushtarakët vendas nga qyteti ukrainas i Dnepropetrovskit pësuan më shumë humbje, sepse ata komunikonin me celularë dhe si pasojë vendondodhja e tyre gjendej lehtësisht prej rusëve. Deri tani, Presidenti Putin e ka zbatuar një marrëveshje armëpushimi me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko të firmosur në 5 shtator, por Putini ruan të drejtën ta vazhdojë armëpushimin sa kohë që e sheh në avantazh të tijin, ose përkundrazi të nisë një sulm në shkallë të gjerë.
Në shtator, Presidenti Poroshenko vizitoi Uashingtonin ku pati një mikpritje entuziaste gjatë një seance të përbashkët në Kongres. Në fjalimin e tij, ai kërkoi armë mbrojtëse “vdekjeprurëse dhe jo vdekjeprurëse”. Megjithatë, presidenti Obama refuzoi kërkesën e tij për raketa Javelin, që mund të përdoren kundër tankeve që përparojnë. Poroshenkos iu dhanë radarë, por për se mund të përdoren ata pa raketa? Vendet europianë janë njësoj hezitues që të ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën, nga frika e një reagimi të Rusisë. Vizita në Uashington i dha presidentit Poroshenko një fasadë mbështetjeje, por me shumë pak përmbajtje.
Po kaq shqetësuese ka qenë vendosmëria e udhëheqësve zyrtarë ndërkombëtarë për të ndalur angazhimet e tyre financiarë ndaj Ukrainës, deri pas zgjedhjeve të 26 tetorit atje. Kjo ka shkaktuar një trysni të shmangshme ndaj rezervave të valutës në Ukrainë si dhe ka shtuar frikën për një krizë financiare të rëndë në vend.
Tani ka rritje të presionit nga donatorët, në Europë apo në SHBA, për “dorëzaninë” e mbajtësve të bonove të borxhit sovran ukrainas, domethënë që këta të marrin përsipër humbjet në investimet e tyre, si parakusht për vazhdimësinë e asistencës zyrtare për Ukrainën, gjë që do të vinte në rrezik paratë e taksapaguesve. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Qeveria e Ukrainës e kundërshton me forcë këtë propozim, pasi ai do të çonte Ukrainën drejt një falimenti teknik, e si pasojë do ia bënte të pamundur sektorit privat të rifinanconte borxhin e saj. Dorëzania e kredidhënësve privatë do të kursente shumë pak para dhe do ta bënte Ukrainën tërësisht të varur nga donatorët zyrtarë.
Për t’i ndërlikuar gjërat, Rusia po përdor njëkohësisht karrotat dhe shkopinjtë. Ajo po ofron – por nuk po firmos – një marrëveshje për furnizimin me gaz që do të plotësonte nevojat e Ukrainës për dimrin. Në të njëjtën kohë, Rusia po përpiqet të pengojë furnizimin me gaz që Ukraina e siguron prej tregut europian, përmes Sllovakisë. Në po të njëjtën mënyrë, Rusia po negocion me OSCE-në për monitorimin e kufijve, ndërkohë që vazhdon të sulmojë aeroportin e Donetskut si dhe portin e Mariupolit.
Eshtë e lehtë të parashikosh se çfarë rezervon e ardhmja. Putini do të presë rezultatin e zgjedhjeve të 26 tetorit dhe më pas do i ofrojë Poroshenkos gazin dhe të tjerat që ai ka kërkuar, me kushtin që ky të emërojë një Kryeministër të pranueshëm për Putinin. Kjo do të përjashtonte këdo që është i lidhur me fitoren e forcave që rrëzuan qeverinë e Viktor Yanikovichit duke rezistuar për muaj të tërë në sheshin Maidan. Mendoj që nuk ka gjasa që Poroshenko të pranojë një ofertë të tillë. Nëse e bën, do të humbasë mbështetësit e Maidanit; pas kësaj do të ringjalleshin forcat e rezistencës.
Pas kësaj, Putini do të preferonte fitoren më të vogël, që ende mund ta arrijë: ai do të hapte me forcë një rrugë tokësore nga Rusia në Krime dhe Transnistri, përpara dimrit. Përndryshe, ai thjeshtë mund të ulet dhe të presë kolapsin ekonomik dhe financiar të Ukrainës. Dyshoj që ai mund të presë për mundësinë e një ujdie të madhe, ku Rusia do të ndihmonte SHBA kundër ISIS-it – për shembull duke mos furnizuar Sirinë me raketat S300 që i ka premtuar, duke ruajtur kështu dominimin ajror të SHBA – dhe në këmbim Rusia do të lejohej të kishte kontrollin e saj në fqinjësinë e afërt. Dhe më e keqja është që Presidenti Obama mund ta pranojë një ujdi të tillë.
Ky do të ishte një gabim tragjik, me pasoja gjeopolitike të mëdha. Pa nënvlerësuar rrezikun që vjen nga ISIS, do të argumentoja se ruajtja e pavarësisë së Ukrainës duhet të ketë përparësi; pa të, edhe aleanca kundër ISIS do të shpërbëhej. Kolapsi i Ukrainës do të ishte një humbje e rëndë për NATO-n, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Një Rusi fitimtare do të kishte shumë më tepër ndikim brenda BE-së dhe do të paraqiste një rrezik të madh ndaj shteteve balltike me pakicat e mëdha etnike ruse që ata kanë. Në vend të mbështeste Ukrainën, NATO-s do i duhej të mbronte vetveten, në tokën e saj. Një gjë e tillë do të ekspozonte SHBA dhe BE ndaj rrezikut që aq shumë kanë dashur ta shmangin: një konfrontim i drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë. Bashkimi Europian do të bëhej edhe më i përçarë dhe i paqeverisshëm. Përse duhet që SHBA dhe vendet e NATO-s të lejojnë të ndodhë kjo?
Argumenti që ka mbizotëruar edhe në Europë, edhe në SHBA, është se Putini nuk është Hitleri; duke i dhënë gjithçka që ai kërkon në mënyrë të arsyeshme, mund të parandalohet përdorimi prej tij i forcës. Në ndërkohë, sanksionet kundër Rusisë – që përfshijnë, për shembull, kufizime të transaksioneve të biznesit, financës dhe tregtisë – do të kenë efektin e tyre dhe në terma kohëgjatë, Rusia do të duhet të sprapset me qëllim që këta sanksione t’i lehtësohen pak.
Janë shpresa të rrejshme që burojnë prej një argumenti po kaq të rrejshëm dhe pa prova faktike ku të mbështeten. Putini ka përdorur në mënyrë të përsëritur forcën dhe është i prirur ta bëjë sërish, nëse nuk has një rezistencë të fortë. Edhe nëse është e mundur që kjo hipotezë në fund të rezultojë e vlefshme, është tejet e papërgjegjshme mospërgatitja e një Plani B.
Ekzistojnë dy kundërargumenta që janë më pak të dukshëm, por edhe më të rëndësishëm. Së pari, autoritetet perëndimorë e kanë injoruar rëndësinë e asaj që unë e quaj “Ukraina e re”, e cila lindi me rezistencën e suksesshme të Maidanit. Shumë zyrtarë që kanë një histori marrëdhëniesh me Ukrainën kanë vështirësi në përshtatjen me ndryshimet revolucionarë që kanë ndodhur atje. Marrëveshja e Asociimit me BE që u firmos kohët e fundit, është negociuar fillimisht me qeverinë e Yanukovichit. Ky udhërrëfyes i detajuar ka nevojë të përshtatet për një situatë tërësisht të re. Për shembull, udhërrëfyesi kërkon zëvendësimin gradual dhe ritrainimin e gjyqësorit për një periudhë prej pesë vitesh, ndërkohë që publiku po bën thirrje për një rinovim të menjëhershëm dhe radikal. Siç e thotë kryebashkiaku i ri i Kievit, Vitali Klitschko: “Nëse vendos kastravecë të freskët në një enë me turshi, edhe ata shumë shpejt do të bëhen turshi”.
Ndryshe nga sa thuhet në disa rrëfime që qarkullojnë dendur, rezistenca në sheshin Maidan u udhëhoq prej ajkës së shoqërisë civile: të rinj, shumë prej të cilëve kishin studiuar jashtë vendit dhe kishin refuzuar t’i bashkoheshin qoftë qeverisë, qoftë biznesit pas rikthimit të tyre, për arsye se i konsideronin të dy të neveritshëm. (Nacionalistët dhe antisemitët përbënin vetëm një pakicë në protestat kundër Yanukovichit). Ata janë udhëheqësit e Ukrainës së re dhe janë të vendosur kundër “Ukrainës së vjetër”, me korrupsionin e saj të shfrenuar dhe qeverisjen e paaftë.
Ukraina e re duhet të përballet me agresionin rus, rezistencën burokratike brenda dhe jashtë vendit, dhe konfuzionin në popullsinë e saj. Cuditërisht, ajo ka mbështetjen e shumë oligarkëve, i pari ndër ta presidenti Poroshenko, si dhe popullsisë në përgjithësi. Sigurisht, ka ndryshime të thellë në historinë, gjuhën dhe pamjen mes pjesëve lindore dhe perëndimore të vendit, por Ukraina është më e bashkuar dhe më europiane në mentalitet, se kurrë më parë. Megjithatë, ky unitet është tejet i brishtë.
Ukraina e re ka mbetur kryesisht e panjohur sepse është dashur kohë për të bërë të ndihet ndikimi i saj. Ajo nuk kishte praktikisht forca sigurie në dispozicion, atëherë kur lindi. Forcat e sigurisë në Ukrainën e vjetër ishin të angazhuara në shtypjen e rebelimit të Maidanit dhe ato ishin të çorientuara këtë verë, kur iu desh të merrnin urdhëra nga një qeveri e formuar prej mbështetësve të rebelimit. Prandaj dhe qeveria e re pati vështirësi në fillim që të krijonte një rezistencë të fortë ndaj krijimit të enklavave separatiste në Ukrainën lindore. Madje është e habitshme që presidenti Poroshenko ishte në gjendje të organizonte një sulm, vetëm pak muaj pas zgjedhjes së tij, që rrezikoi të ririkthejë ato enklava.
Për të vlerësuar meritat e Ukrainës së re, duhet të kesh patur pak përvojë personale me të. Unë mund të flas nga përvoja ime personale, ndonëse më duhet të rrëfej se jam pak i anshëm në favor të saj. Unë krijova një fondacion në Ukrainë në vitin 1990, që përpara se kjo të bëhej e pavarur. Bordi dhe stafi janë të përbërë tërësisht nga ukrainas dhe ai ka rrënjë të thella në shoqërinë civile. E kam vizituar shpesh këtë vend, sidomos në vitet e parë, por jo që nga viti 2004 deri në vitin 2014, atëherë kur u ktheva të bëhem dëshmitar i lindjes së Ukrainës së re.
Mbeta menjëherë i impresionuar prej përmirësimit të madh në pjekuri dhe ekspertizë gjatë kësaj periudhe, si në fondacionin tim, ashtu edhe në shoqërinë civile në përgjithësi. Aktualisht, angazhimi civil dhe politik është ndoshta më i lartë se kudo tjetër në Europë. Njerëzit kanë provuar gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar edhe jetën për vendin. Këto janë forcat e fshehura të Ukrainës së re, që nuk janë vënë re prej Perëndimit.
Mangësia tjetër e qasjes aktuale të Europës ndaj Ukrainës është se ajo nuk arrin të pranojë që sulmi rus ndaj Ukrainës është një sulm indirekt ndaj Bashkimit Europian dhe parimeve të tij të qeverisjes. Duhet të jetë evidente që nuk është e përshtatshme për një vend, apo një grup vendesh, që janë në luftë, të ndjekin një politikë fiskale kursimi siç po vazhdon të bëjë Bashkimi Europian. Të gjithë burimet e disponueshëm duhen vënë në punë në përpjekjen e luftës, edhe nëse kjo kërkon shtim të defiçiteve buxhetorë. Brishtësia e Ukrainës së re e bën paqartësinë e Perëndimit edhe më të rrezikshme. Jo vetëm mbijetesa e Ukrainës së re, por edhe e ardhmja e NATO-s dhe Bashkimit Europian janë në rrezik. Në mungesë të një rezistence të unifikuar është jorealiste të presësh që Putini të ndalë shtytjen përtej Ukrainës, ndërkohë që ai nuhat përçarjen e Europës dhe dominimin prej Rusisë.
Pasi kam identifikuar disa prej mangësive të qasjes aktuale, do të përpiqem të parashtroj kursin që duhet të ndjekë Europa. Sanksionet kundër Rusisë janë të domosdoshme, por ato janë një e keqe e domosdoshme. Ato kanë një efekt depresiv jo vetëm mbi Rusinë, por edhe mbi ekonomitë europiane, përfshirë edhe Gjermaninë. Kjo i përkeqëson forcat recesioniste dhe deflacioniste që tashmë janë vënë në lëvizje. Në të kundërt, asistenca për Ukrainën, që kjo të mbrohet prej agresionit rus, do të kishte një efekt stimulues jo vetëm mbi Ukrainën, por edhe mbi Europën. Ky është parimi që duhet të udhëheqë asistencën e Europës për Ukrainën.
Gjermania, si avokati kryesor i rreptësisë fiskale, duhet që të kuptojë kontradiktën e brendshme. Kancelarja Angela Merkel është sjellë si një europiane e vërtetë sa i përket rrezikut që paraqet Rusia. Ajo ka qenë avokati kryesor i sanksioneve ndaj Rusisë, dhe ka qenë më e gatshme të mos përfillë opinionin publik gjerman dhe interesat e biznesit në këtë rast, se sa në çdo çështje tjetër. Vetëm kur u rrëzua avioni i Malaysian Airlines në korrik, publiku gjerman mbërriti në një gjatësi vale me të. Megjithatë, në lidhje me rreptësinë fiskale, kohët e fundit ajo ka ripohuar besnikërinë ndaj ortodoksisë së Bundesbank-ut – ndoshta si reagim pas përparimit elektoral të forcës “Alternativa për Gjermaninë”, e cila është një parti me program anti Europë. Duket se Merkel nuk e kupton sa shumë i mungon vazhdimësia kësaj rruge. Ajo duhet të jetë e përkushtuar për të ndihmuar Ukrainën, madje edhe më shumë nga sa është për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Ukraina e re ka vullnetin politik edhe të mbrojë Europën kundër agresionit rus, edhe të angazhohet në reforma strukturore radikale. Për të ruajtur dhe forcuar këtë vullnet, Ukraina ka nevojë të marrë asistencën e duhur prej mbështetësve të saj. Pa këtë, rezultatet do të ishin zhgënjyes dhe shpresa do të shndërrohej në dëshpërim. Zhgënjimi u ndie tashmë kur Ukraina pësoi një humbje ushtarake dhe nuk mori armët që i nevojiteshin për t’u vetëmbrojtur.
Eshtë koha që anëtarët e Bashkimit Europian të zgjohen dhe të sillen si vende që janë indirekt në luftë. Atyre u intereson më shumë që të ndihmojnë Ukrainën të vetëmbrohet, se sa t’u duhet të luftojnë për vetveten. Në një mënyrë apo një tjetër, kontradikta e brendshme mes të qënurit në luftë dhe të mbeturit të përkushtuar për rreptësinë fiskale duhet të eleminohet. Atje ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje.
Më lejoni të jem më specifik. Në raportin e fundit të progresit që doli në shtator, FMN parashikonte se në skenarin më të keq të mundshëm, Ukrainës do i nevojitet një ndihmë shtesë prej 19 miliardë dollarësh. Që atëherë, gjendja është përkeqësuar. Pas zgjedhjeve në Ukrainë, FMN-së do i duhet të rivlerësojë parashikimin që ka bërë, duke u konsultuar edhe me qeverinë ukrainase. Duhet të ofrojë një injeksion të menjëhershëm në para prej të paktën 20 miliardë dollarësh, bashkë me premtimin për të ofruar më shumë nëse do të nevojitet. Partnerët e Ukrainës duhet të ofrojnë financime shtesë, me kusht zbatimin e programit të mbështetur nga FMN.
Shpenzimi i fondeve të marrë hua kontrollohet prej marrëveshjes mes FMN dhe qeverisë ukrainase. 4 miliardë dollarë do të shkonin për të kompensuar mungesën në pagesat e derisotme të Ukrainës; 2 miliardë do të duhej të shkonin për restaurimin e minierave të qymyrit që kanë mbetur nën kontrollin e qeverisë qendrore; dhe 2 miliardë duhet të shkojnë për blerjen e gazit për muajt e dimrit. Pjesa tjetër duhet të plotësojë rezervat e valutës në bakën qendrore.
Asistenca e re do të përfshinte një shkëmbim borxhi që do të transformonte borxhin e Eurobonove të Ukrainës (në një total prej 18 miliardë dollarë), në bono afatgjata me më pak risk. Kjo gjë do të lehtësonte barrën e borxhit për Ukrainën. Duke marrë pjesë në këtë shkëmbim, mbajtësit e bonove do të binin dakord të pranonin një normë më të ulët interesi dhe do të prisnin më gjatë për të rimarrë mbrapsht paratë e tyre. Shkëmbimi do të ishte i vullnetshëm dhe i bazuar mbi tregun, me qëllim që të mos ngatërrohej me një falimentim. Mbajtësit e bonove do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë, sepse bonot e reja afatgjata do të garantoheshin prej SHBA ose Europës – ndonëse vetëm pjesërisht – pak a shumë ashtu sikurse SHBA ndihmoi Amerikën Latine të dilte nga kriza e borxhit në vitet 1980, me të ashtuquajturat bonot Brady (morën emrin e Sekretarit të Thesarit të SHBA, Nicholas Brady).
Një shkëmbim i tillë do të kishte disa përfitime të rëndësishëm. Njëri është që, përgjatë dy apo tre viteve të ardhshëm shumë kritikë, qeveria mund të përdorë më pak prej rezervave të veta të pakëta të valutës për të paguar mbajtësit e bonove. Paratë mund të përdoren për nevoja të tjera urgjente.
Duke shkurtuar pagesat për borxhin nga Ukraina gjatë viteve të ardhshëm, shkëmbimi do të reduktonte edhe shanset për një falimentim sa u përket borxheve sovranë, duke mos lejuar kështu largimin e kapitalit dhe ndalur rendjen drejt bankave. Kjo do ta bënte më të lehtë për të bindur pronarët e bankave në Ukrainë që të injektojnë brenda tyre kapitale të rinj, të cilët nvojiten me urgjencë.
Në fund, Ukraina do i mbante mbajtësit e bonove të angazhuar në vend që t’i shihte të merrnin cash 100 cent-ë për dollar, teksa në vitet e ardhshëm afrohet afati i pagimit të tyre. Kjo do e bënte më të lehtë për Ukrainën që të rifutet në tregjet ndërkombëtarë të bonove, pasi të ketë kaluar kriza. Në kushtet aktualë, do të ishte më praktike për SHBA dhe Europën që të mos përdornin kreditë e tyre direkt për garantimin e borxhit të Ukrainës, por të përdorin ndërmjetës si BERZH apo Banka Botërore dhe nëndegët e saj.
Kompania shtetërore ukrainase e gazit, Naftogaz është një gropë e madhe e zezë në buxhet si dhe një burim i madh korrupsioni. Naftogaz u shet aktualisht familjeve gaz me 47 dollarë për një trilion metër kub (TCM), për të cilin paguan 380 dollarë për TCM. Për momentin, njerëzit nuk munden të kontrollojnë temperaturën në apartamentet e tyre. Një ristrukturim radikal i të gjithë sistemit të Naftogazit mund të reduktonte konsumin e familjarëve dhe ndoshta do të eleminonte totalisht varësinë e Ukrainës nga gazi rus. Kjo do të kërkonte edhe zbatimin e çmimeve të tregut për gazin, për familjarët. Hapi i parë do të ishte vendosja e matësve në apartamente dhe i dyti vendosja e një subvencioni për familjet në nevojë.
Vullneti për të realizuar këto reforma është i fortë edhe në drejtusit e rinj edhe në qeverinë që do të vijë por detyra është tejet e ndërlikuar (si mund të përcaktosh kush është në nevojë?) dhe ekspertiza e pamjaftueshme. Banka Botërore dhe degët e saj mund të sponsorizojnë një ekip zhvillimi projektesh që do të bashkonte ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas për të konvertuar vullnetin politik ekzistues në projekte të suksesshëm. Kostoja fillestare do i kalonte 10 miliardë dollarët, por do të financohej prej bonove për projekte të lëshuara nga Banka Europiane e Investimeve.
Gjithashtu, është koha që Bashkimi Europian të hedhë një vështrim kritik nga vetvetja. Duhet të ketë diçka që nuk shkon në BE, përderisa Rusia e Putinit është kaq e suksesshme, edhe në terma kohëshkurtër. Burokracia e BE nuk ka më monopolin e pushtetit dhe ajo ka shumë pak arsye për të qenë krenare. Duhet të mësojë të jetë më e bashkuar, fleksibël dhe efiçiente. Dhe vetë europianët duhet të shohin më nga afër Ukrainën e re. Kjo do i ndihmonte të rroknin frymën që mbizotëronte atëherë kur krijohej Bashkimi Europian. Duke shpëtuar Ukrainën, Bashkimi Europian do të shpëtonte vetveten. /New York Review of Books/
Pergatiti ne shqip: Ermal Gjinaj, www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button