Analiza

Zhvendosja e ekuilibrit amerikan drejt Azisë, fundi i lojës?

Barthélémy Courmont
Le Monde

pivotMë 5 janar të vitit 2012, Barack Obama në krah të Sekretarit të Mbrojtjes, Leon Panetta dhe Shefi i Shtabit të Gjeneralëve, gjenerali Martin Dempsey, bënte publik një dokument të titulluar “Mështetja e lidershipit global: Prioritetet për Mbrojtjen në shekullin e 21”, që tregon sidomos që Shtetet e Bashkuara “detyrimisht do të riekuilibrohen drejt rajonit të Azsisë dhe Paqësorit”.
Strategjia e zhvendosjes drejt Azisë, që ishte në planin e tij strategjik, u konfirmua. Dy vite e gjysëm më vonë, më 22 gusht, po gjenerali Dempsey, këtë herë pranë pasuesit të Panetta-s, Chuck Hagel (Sekretar i Mbrojtjes prej muajit shkurt të vitit 2013), njoftonte me fytyrë serioze, rifillimin e operacioneve ushtarake në Irak, për të luftuar kundra ekspansionit të Shtetit islamik, që sipas tij shkon “përtej çdo grupi tjetër terrorist”, dhe “duhej të përfundonte me fitore”, duke i bërë kështu jehonë fjalëve të Barack Obamas, i cili e përmendi disa ditë më herët si “një kancer” dhe për rifillimin e operacioneve ushtarake amerikane.
Kthimi përsëri në Lindjen e Mesme, në vijim të krizave në Irak dhe në Siri, por gjithashtu me një sy më të vëmendshëm dhe shqetësues në Gaza dhe në Libi, a mund të shënojë fundin e këtij riekuilibrimi aziatik, të cilin Barack Obama e kishte bërë një nga kantierët e politikës së tij të jashtme? Shenjat nxjerrin në dukje pikërisht këtë gjë.
Së pari kemi realitetin e një riekuilibri ambicioz drejt Azisë, por i konfrontuar me ulje të buxhetit të mbrojtjes në SHBA. Një artikull i Hillary Clinton i titulluar “Shekulli i Paqësor i Amerikës”, i botuar në nëntor të vitit 2011 në revistën “Politika e Jashtme” (Foreign Policy), i cilësonte shumë të kushtueshëm konfliktet afgan dhe iraken, duke vënë në dukje se “fundi i këtyre dy luftërave është një parakusht për riekuilibrimin drejt  Azisë”,  nënkuptonte me këtë rast se në se situatata në Irak dhe në Afganistan do të përkeqësohej, Shtetet e Bashkuara do të ishin të detyruar të shkëputeshin nga Paqësori.
Ngjarjet aktuale  po konfirmojnë atë që atëherë dukej  si një profeci, dhe që do të kenë në mënyrë të paevitueshme një impakt në kapacitetet mobilizuese në  Azi dhe në Paqësor.
Është interesante të vihet re se aleatët e Uashingtonit, si Japonia, e kanë ngritur këtë problem disa herë, të ndërgjegjshëm pa dyshim që “strumbullari” drejt Azisë, nuk i përgjigjej përfundimisht veçse një momenti në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në se angazhimi rezulton për një kohë të gjatë  dhe i kushtueshëm në Irak dhe gjetkë, ky moment mundej të përfundonte, dhe riekulibri  do të lihet për një herë tjetër.
Barack Obama disponon vetëm një marzh manovre politike të kufizuar, që në zgjedhjet në gjysmën e mandatit të tij në nëntor mundet madje të zvogëloheshin edhe më tepër, nëse republikanët do të forconin praninë e tyre në Senat.
Kriza e votimit të buxhetit në tetor të vitit 2013 pati një ndikim të drejtpërdrejtë mbi këtë zhvendosje drejt Azisë. Presidenti amerikan do ta anullonte në minutën e fundit praninë e tij në samitin e bashkëpunimit eknomik të vëndeve të Azisë dhe të Paqësorit (APEC) në Bali. Ai u zëvëndësua nga Sekretari i Shtetit John Kerry, modest pranë udhëheqësve aziatikë, sidomos  Xi Jinping. Vështrimi do të kthehej edhe njëherë nga ky rajon për të përfituar nga ky Samit në forcimin e shkëmbimeve dypalëshe me partnerët e tij në  Azinë Juglindore.
Si një atllantist i bindur dhe i fortë dhe me një përvojë solide në Senat, Kerry është pa dyshim njeriu i duhur për të rregulluar problemet në Lindjen e Mesme, por interesi i tij për Azinë duket më pak i spikatur se sa i Hillary Clintonit, e cila zinte në këtë strumbullar  një vend thelbësor.
Samiti i ardhëshëm i APEC-ut , në nëntor, do të shënojë një kthim të Obamës, i cili e kishte bojkotuar atë të vitit 2012, në Vladivostok. Por ai do të zhvillohet në Pekin dhe shikimet do të kthehen akoma dhe njëherë drejt mikut të tij kinez.
Megjithatë bilanci i riekuilibrimit është i ngjyruar. Turnetë e papritur të zonjës Clinton në Azi dhe deklaratat ambicioze të Obamës, kanë përvijuar me rezultate modeste.
ëashingtoni ka pohuar sërisht partneritetin strategjik me aleatët e tij kryesorë në Azi, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë, por pa ndryshime madhore të kushteve të këtij partneriteti, në se Tokio zgjedh të rishikojë pjesë të nenit 9, shumë detyrues, të Kushtetutës së saj paqësore (dhe të influencës amerikane), jo medoemos në interesin e aleatit amerikan.
A priori  janë vendosur kontakte të forta me Singaporin, Vietnamin dhe Filipinet, por ato pasqyrojnë më tepër një oportunizëm të këtyre vëndeve rivale të Kinës, se sa një angazhim të qëndrueshëm. Bazuar në faktet, konstatohet qartazi një progres i kapaciteteve kineze dhe i ambicjeve në rritje të Pekinit.
Në se strumbullari kishte si objektiv veçse të shoqëronte rritjen e fuqisë së Kinës ky është një sukses i madh. Në se kishte tendencë për ta penguar atë, apo ta kufizonte, bilanci është i pakët.
Në se me riekuilibrim nënkuptojmë komponentë të tjerë si diplomacinë publike dhe shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, vërehet  se rezultatet nuk janë më të mirat.
Diskutimet për marrëveshjet e shkëmbimit të lirë përparojnë me ngadalësi, diplomacia përballet me manovrat e Pekinit dhe influenca duket që po zvoglohet përballë realitetit të një integrimi rajonal, sigurisht shumë i pasigurt, por në lëvizje.
Nga ana e tij, Partneriteti Trans-Paqësor që përjashton Kinën dhe për të cilin  Uashingtoni shpresonte një zhvillim të shpejtë, ndeshet me probleme të cilat mund të krahasohen me marrëveshjen e shkëmbimit të lirë SHBA-BE.
Duke konsideruar faktin që dyshja Obama-Clinton i kushtonte rëndësi shkëmbimeve ekonomike, diplomatike dhe kulturore për të justifikuar riekuilibrimin, duke mos e kufizuar atë në një manovër strategjike, konstatohet që lëvizjet amerikane në rajon  shpesh janë kufizuar me deklarata dhe me projekte pa të nesërme.
Në vitin 2008, kandidati Barack Obama kritikonte një angazhim të kushtueshëm, pa fund dhe kundërproduktiv në Afganistan dhe në Irak, dhe këshillonte që Amerika të kishte një prani të rritur në Azi dhe në Paqësor. Artikulli i Clintonit në revistën Foreign Policy e cilëson këtë ide, duke shprehur sigurinë që “e ardhmja e politikës do të luhet në Azi, jo në Afganistan apo Irak dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në zemër të veprimit”.
Kthimi i kaosit në Lindjen e Mesme e ka vënë sot presidentin amerikan në një rrugë pa krye dhe potencialisht  “jashtë veprimit”. Loja e re e Pekinit shtron thellësisht çështjen e  kapacitetit për një fuqi të madhe si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të luajtur rolet e para në dy rajone të ndara. Obama pa dyshim e ka kuptuar atë dhe ai ka bërë zgjedhjen e Azisë.
Ngjarjet nuk kanë luajtur në favorin e tij, pa dyshim dështimi i “zhvendosjes drejt Azisë” në se konfirmohet, do të mbesë zhgënjimi më i madh i politikës së tij të jashtme.
Barthélémy Courmont është kryeredaktor i revistës “Bota kineze, Azia e re”, ai ka botuar kohët e fundit librin “Një luftë paqësore. Përballja Pekin – Uashington”
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button