BotaMAIN

Zyrtarë, oligarkë dhe spiunë: ja cilat janë kanalet sekrete të komunikimit mes Kievit dhe Moskës

Fillimi, në shkurt 2022, i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës shënoi ndërprerjen e komunikimeve në nivelet më të larta mes Kievit dhe Moskës. Por, siç raporton Kyiv Independent, dy armiqtë kanë arritur gjatë viteve të fundit të vendosin kontakte, më pak ose më shumë zyrtare, të mbështetura nga zyrtarë, oligarkë, spiunë dhe operatorë humanitarë.

Kanali i parë i komunikimit mes Ukrainës dhe Rusisë u hap në orët e para të konfliktit, edhe falë iniciativës së oligarkut rus Roman Abramovich. Kontaktet e atëhershme çuan në bisedimet mes dy palëve, të mbajtura fillimisht në Bjellorusi e më pas në Turqi, të cilat përfunduan pa sukses. Në mars 2022, Mykhailo Podolyak, këshilltar në zyrën presidenciale ukrainase, e përshkroi Abramovich-in si një “ndërmjetës jashtëzakonisht efektiv” që “kishte moderuar pjesërisht procesin”. Po atë periudhë, Wall Street Journal raportoi se presidenti Zelensky i kërkoi Uashingtonit të mos e sanksiononte oligarkun, në mënyrë që të mos ndërpritej ndërmjetësimi i tij.

Megjithëse përpjekjet diplomatike të atij kanali dështuan, po atë vit Abramovich raportohet se luajti rol kyç në marrëveshjen mbi drithërat, e cila rihapi portet ukrainase të Detit të Zi dhe u nënshkrua në Stamboll. Që prej vitit 2023 ndërmjetësimi i tij është zhvendosur më shumë drejt çështjeve humanitare sesa negociatave politike, por këtë vit, në prag të raundit të parë të bisedimeve të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, prania e tij është vërejtur në Kremlin. Aty, sipas Kyiv Independent, Abramovich do të kishte takuar Putinin, nën “mbulesën” e një mbledhjeje të këshillit drejtues të teatrove Bolshoi dhe Mariinsky.

Një kanal i dytë, më i drejtpërdrejtë dhe kurrë i ndërprerë që nga nisja e konfliktit, është ngritur nga inteligjenca ushtarake ukrainase për të mundësuar shkëmbimet e të burgosurve të luftës. Lidhja u vendos në javët e para të pushtimit, kur oficeri ukrainas Dmytro Usov përdori telefonin e një ushtari rus të vrarë për të telefonuar komandantin e tij. Nga ana tjetër e linjës u përgjigj Alexander Zorin, zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake ruse dhe veteran i operacioneve të Federatës në luftën civile të Sirisë. Ai komunikim i improvizuar u shndërrua më pas në një strukturë më të sistematizuar, e zgjeruar falë ndihmës së Turqisë, Katarit dhe Arabisë Saudite.

Një kanal tjetër komunikimi mes zyrtarëve të dy vendeve në luftë u krijua në vitin 2025 paralelisht me përshpejtimin diplomatik të nxitur nga Shtëpia e Bardhë, dhe pikërisht falë ndërmjetësimit amerikan. Më 16 maj, delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan për herë të parë drejtpërdrejt në Stamboll. Moska u përfaqësua nga Vladimir Medinsky, ndihmës i Putinit, ndërsa pala ukrainase nga ministri i atëhershëm i mbrojtjes Umerov. Ky i fundit thuhet të ketë zhvilluar shumë biseda telefonike me homologun rus, ndërsa në bisedimet e drejtpërdrejta mori pjesë edhe Zorin, oficeri i inteligjencës i Federatës. Ky kanal, i konsideruar i padrejtë nga Kievi, i cili pretendon se Medinsky nuk ka të njëjtin autoritet si Umerovi, nuk ka prodhuar asnjë përparim politik, dhe nuk është e qartë nëse është ende aktiv.

Së fundmi, një kanal tjetër i mundshëm, që ka luajtur kundër interesave të Kievit, doli në dritë pas skandalit të korrupsionit në Ukrainë. Sipas regjistrimeve audio të publikuara muajin e kaluar, të dyshuarit e lidhur me monopolistin bërthamor ukrainas Energoatom kishin kontakte me një zyrtar rus dhe mund të kenë transferuar para drejt Moskës.

Përballë ekzistencës së kaq shumë kanaleve të komunikimit mes armiqve, Kyiv Independent pyet pse ato nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Sipas Oleksandr Merezhko, kreu i komisionit parlamentar ukrainas për çështjet e jashtme, kjo ndodh sepse Kremlini i përdor negociatat si armë.

Që gjërat të ndryshojnë, shpjegon analisti politik ukrainas Ihor Reiterovych, si Ukraina ashtu edhe Rusia duhet të formojnë ekipe të përbëra nga persona, sidomos nga bota ushtarake, që janë në gjendje të marrin vendime dhe më pas t’i zbatojnë ato. Në këtë kuadër duhet interpretuar edhe pjesëmarrja e Kyrylo Budanovit, kreut të inteligjencës ushtarake të Kievit, në bisedimet e 24 nëntorit me delegacionet e Uashingtonit dhe Moskës në Abu Dhabi. / il giornale – bota.al

Back to top button