Histori

007-a NE VEPRIM / “Bletchley Park”, pula me vezë të arta

bletchleyDisa prej operacioneve më të mirë të spiunazhit ndërkombëtar

Kështu e quante Uinston Churchilli Stacionin X, Shkolla qeveritare për shifrat dhe kodet e ngritur në një ndërtesë të vjetër pranë qytetit të Bletchleyt, pothuajse 70 kilometra në veri perëndim të Londrës. Eshtë fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Churchilli ka nuhatur qartë se “lufta e fshehtë” është po aq e rëndësishme sa edhe ajo e hapur, ose të paktën e para duhet të shoqërojë të dytën. Të gjithë përpjekjet, si pasojë, duhet të përqëndrohen për të pikasur mekanizmat që do të lejonin “leximin” e mesazheve të fshehtë të transmetuar nga armiku, mbi të gjitha sistemet e kodifikimit gjerman dhe italian. Suksesi i kësaj nisme do të shkojë përtej çdo pritshmërie, por rezultatet e Shkollës së Bletchley do të bëheshin të ditur në vitet shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, për të mos ekspozuar agjentë dhe deshifrues që ishin ende në aktivitet në periudhën e pasluftës. Kështu, gjermanët e zbuluan vetëm gjatë atyre viteve që makinat e tyre elektro-mekanike, Enigma dhe Lorenz, të dyja të konsideruara të përsosura dhe të papenetrueshme, në të vërtetë ishin “dhunuar” që prej vitit 1941 nga kriptoanalistët e Bletchey Park, të cilët i lexonin pasi ishin familjarizuar me dërgesat e fshehta naziste. Si mund të shpjegohet praktikisht dështimi i luftës nënujore gjermane në oqeanin Atlantik? E thjeshtë, kriptoanalistët britanikë ishin në dijeni për rrugët e transmetuara komandantëve gjermanë përmes mesazheve të shifruar nga Enigma.

Duhet thënë se në Bletchley Park punonin matematicienët më të mirë dhe ekspertët e sektorit në vend, njerëz të kalibrit të Alan Turing, Hugh Alexander, Dilly Knox, Harry Hinsley dhe shumë të tjerë. Por ishin të pranishëm edhe lojtarë shahu, “zgjidhësh fjalëkryqesh”, linguistë, eruditë të fushave të ndryshme. Të gjithë persona me një nivel shumë të lartë profesional që mundësuan një progres të dukshëm në shkencën e matematikës dhe që kanë luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e informatikës. Në Bletchley Park, në fakt, lindi kompjuteri i parë i historisë, i mbiquajtur “Colossus” për shkak të dimensioneve të tij, që do të rezultonte shumë më i shpejtë se sa makinat shifruese elektro mekanike. E gjithë kjo masë informacionesh, të klasifikuar me etiketën “Burimi Ultra” do të ishte i disponueshëm për një numër shumë të kufizuar drejtuesish civilë dhe ushtarakë. Eshtë e domosdoshme në fakt që aktivitetet e Ultra të mbeten top secret (shumë pjesëtarë të vetë qeverisë angleze nuk do të kishin dijeni) për të mos lejuar që gjermanët të fusnin në veprim, nëse do të informoheshin për ekzistencën e Stacionit X, sisteme të rinj dhe makina të reja shifruese.

Leave a Reply

Back to top button