Bota

“Pa Shengenin, s’do të kishte më as treg të përbashkët evropian”

shengen

Nga Walter Mayr

Italia është e bindur se pjesa tjetër e Bashkimit Evropian, duhet të bëjë pjesën e saj për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Në një intervistë për “Spiegel”, ministri i Jashtëm Paolo Gentiloni flet për shpresat e tij për një skemë të rishpërndarjes së refugjatëve, si dhe shpreh shqetësimin se  Shengeni mund të jetë i dënuar të shpërbëhet. Sipas tij nëse kjo ndodh, atëherë do të rrënohet dhe sistemi i tregut të përbashkët evropian.

Spiegel: A e zgjidhën Mateo Renci dhe Angela Merkel konfliktin serioz ndërmjet dy vendeve, gjatë takimit mes tyre në Berlin?

Ekzistojnë mendime të ndryshme, sidomos kur bëhet fjalë për politikën ekonomike dhe financiare. Por, kur është fjala për politikën e jashtme dhe sidomos krizën e emigracionit, ne jemi në një mendje.

Spiegel: Por kancelarja ka ndryshuar tonin e saj, dhe tashmë thotë se refugjatët duhet të rikthehen në shtëpitë e tyre pas disa vitesh. A ju habit kjo deklaratë?

Qeveria jonë e vlerëson pozicionin e kancelares në verën e vitit 2015. Kryesisht, pasi ajo është duke mbrojtur rregullat e Shengenit.

Spiegel: Edhe ju jeni dakord që refugjatët të kthehen në shtëpi, sapo konfliktet në vendet e tyre të kenë përfunduar?

Po, sepse ne s’mund të trajtojmë njëlloj njerëzit me të drejtë për azil, me ata që vijnë nga një vend origjine i sigurtë. Ata duhet të rikthehen. Kjo është, nga këndështrimi ynë, plotësisht e qartë. Nga ana tjetër, ne duhet të shqyrtojmë parimin tashmë tërësisht të vjetëruar, sipas së cilit vendi i parë i mbërritjes së emigrantëve, duhet të jenë përgjegjës për regjistrimin dhe procesin e ndarjes se kush ka të drejtën e azilit dhe cili duhet të dëbohet.

Spiegel: Ju po kërkoni një eliminim të Rregullores së Dublinit?

Është qesharake të besojmë, se Greqia mund të presë një milionë emigrantë, t’i regjistrojë, pastaj t’u japë strehim atyre që kanë të drejtën e azilit, dhe kthejë mbrapsht të tjerët. Greqia nuk po e bën këtë. Ne mund t’i fajësojmë grekët për këtë, por në të njëjtën kohë duhet të ndryshojmë Rregulloren e Dublinit. Kur këmbëngulim tek kjo procedurë joreale, kjo do të thotë asgjë më shumë sesa jemi duke mbrojtur Dublinin, ndërsa po heqim dorë nga Shengeni.

Spiegel: Ju jeni në favor të rishpërndarjes së refugjatëve në të gjitha vendet e BE-së?

Në vitin 2015, në Greqi mbërritën 900 mijë emigrantë. Marrëveshja e Dublinit përcakton se:Të gjithë ata që kanë të drejtën e azilit duhet të qëndrojnë në Greqi, ndërsa të tjerët të dëbohen. E pamundur! Kjo barrë duhet të mbahet së bashku. Dhe kjo do të thotë: polici kufitare të përbashkët, një shpërndarje e refugjatëve mes vendeve të BE-së, si dhe riatdhesimin e atyre pa të drejtë për azil. Çdokush duhet të bëhet përgjegjës për logjistikën dhe financimin.

Spiegel: Por disa vende të BE-së janë kundër kësaj…

Gentiloni: Pa dyshim. Por presioni i përbashkët nga Gjermania, Italia dhe Franca nënkupton një lëvizje në këtë drejtim. Për shkak se diçka shumë themelore është në lojë:liria e lëvizjes. Unë nuk mund të mendoj për ndonjë lloj tregu të përbashkët evropian, që do të mund të funksionojë pa të.

Spiegel: A mendoni se gjermanët qëndruan jashtë kësaj çështje për një kohë të gjatë? Italianët kanë shpëtuar mijëra të mbijetuar në det, në kuadër të Operacionit “Mare Nostrum” që nga viti 2013….

Jo vetëm gjermanët. Ata ishin gjithnjë të pranishëm, kur u shtuan ndjeshëm kërkesat për azil. Por e sigurtë është se e gjitha Evropa u zgjua shumë vonë.

Spiegel: Nga naiviteti apo llogaritjet?

Për sa kohë që një problem i caktuar, ndikon kryesisht një vend tjetër, në këtë rast Italinë, dikush  mund të mos e vërë atë në krye të listës së prioriteteve. Rruga për refugjatët aktualisht kalon përmes Greqisë dhe Ballkanit apo nëpër Itali. Nëse do të kishte një krizë në Evropën veri-lindore, ajo që do të prekej e para do të qe Polonia. Në këtë rast kemi të bëjmë me mekanizma, që nuk i kontrollojmë dot. Ne kemi nevojë për ta ndryshuar këtë. Sikurse është shprehur zonja Merkel:”Ne mund të bëjmë këtë”. Por kjo “ne” duhet të jetë një përgjigje mbarëevropiane.

Spiegel: A mendoni se e ardhmja e BE-së është në rrezik për shkak të krizës së refugjatëve?

Mund ta pohoni këtë. Për shkak se kjo krizë ka një efekt mbi gjëra të tjera:referendumin e britanikëve rreth daljes së tyre nga BE-ja, apo mbi terrenin që po fitojnë populistët në disa vende anëtare. Kjo përzierje e rrezikon të ardhmen e Evropës. Ne jemi duke përjetuar ndoshta krizën më të vështirë në të gjithë historinë e BE-së. Guri i proves nëse ne do të mund ta kapërcejmë atë, do të jetë pikërisht çështja e emigracionit.

Spiegel: Çfarë duhet të ndodhë në samitin e BE-së në mesin e këtij muaji?

Ne kemi nevojë të ecim përpara, nga monedha e përbashkët tek bashkimit bankar, drejt një politike të përbashkët financiare. Dhe në një periudhë afatmesme drejt një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Kjo e fundit do të marrë kohë, sepse ne duhet të negociojmë me ato vende, të cilat jo gjithmonë duan një BE më shumë të integruar.

Spiegel: Prandaj ju flisni për një “Evropë me dy shpejtësi”?

Unë nuk e pëlqej këtë term. Për shkak se ai tregon se më i ngadalti do të arrijë më të shpejtin. Londra s’mund të jetojë me këtë përkufizim. Ne ndoshta duhet të ecim përpara së bashku, secili me shpejtësinë e vet. Ata më të shpejtët, mund të jenë vendet e eurozonës. Të tjerët do të jenë të interesuar në zhvillimin e vazhdueshëm të tregut të përbashkët, por kundërshtojnë idenë e një integrimi gjithnjë e më të fuqishëm politik.

Spiegel: Kryeministri italian Renci ka qenë kritik ndaj Merkelit por dhe presidentit francez Fransua Holond, duke iu referuar kursit që ka marrë BE-ja. Ju keni thënë gjithashtu se shpresonit që Berlini të punonte për një Gjermani evropiane dhe jo një Evropë gjermane. Ku qëndron problemi?

Problemi qëndron tek pikëpamjet e ndryshme mbi rritjen ekonomike. Rritja është shumë e ulët, madje edhe për ne. Kjo duhet të ndryshojë:Më shumë investime, një rol më të fuqishëm nga ana e Bankës Qëndrore Evropiane. Përndryshe, nuk ka tensione midis Italisë dhe Gjermanisë. Por, në këtë pikë, duhet të gjenden kompromiset dhe ne do t’i arrijmë ato.

Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button