
E shtuna e parë e vitit 2026 do të mbetet e gdhendur në kujtesën gjeopolitike të Amerikës Latine si dita kur Shtetet e Bashkuara vendosën të kapërcenin çdo barrierë kujdesi dhe të ndërhynin ushtarakisht në Venezuelë për të kapur presidentin Nicolás Maduro. Një zgjedhje pa precedent, që e shndërroi një konflikt të zgjatur në një krizë të hapur, me pasoja të thella për sovranitetin shtetëror, rendin ndërkombëtar dhe tregun global të energjisë.
Ari i zi i Karakasit
Megjithatë, kjo lëvizje nuk ishte thjesht një akt “policor”: Shtetet e Bashkuara nuk u kufizuan në kapjen e një kreu shteti të akuzuar për krime transnacionale, por shpallën hapur se synojnë të marrin një rol drejtues në Venezuelë, deri sa të garantohet një “tranzicion i rregullt” i pushtetit.
Presidenti amerikan deklaroi se angazhimi i SHBA-së nuk do të ndalet te operacioni i kapjes, por do të vazhdojë me menaxhimin e vendit, me objektivin e shpallur për të stabilizuar situatën e brendshme dhe për të ringritur ekonominë kombëtare.
Edhe pse i gjithë operacioni i ngjan më shumë një rinegocimi të ashpër të sferave të influencës pas Luftës së Ftohtë, sesa një lufte energjetike në kuptimin e drejtpërdrejtë, elementi kyç i kësaj narrative mbetet nafta.
Venezuela zotëron një nga rezervat më të mëdha të naftës në botë, me vlerësime të besueshme që flasin për rreth 303 miliardë fuçi si rezerva të provuara. Kjo sasi tejkalon atë të çdo vendi tjetër dhe përfaqëson pothuajse një të pestën e rezervave globale.
Megjithatë, vlera teorike e kësaj pasurie ka qenë historikisht e vështirë për t’u shndërruar në të ardhura reale ekonomike. Pavarësisht këtij potenciali, prodhimi i brendshëm, që në të kaluarën e afërt kishte arritur nivele shumë më të larta, është reduktuar ndjeshëm.
Një sektor i goditur nga brishtësi sistemike
Në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, Venezuela prodhonte mbi tre milionë fuçi naftë në ditë, duke u renditur ndër prodhuesit më të mëdhenj globalë. Sot, pas dekadash keqmenaxhimi, korrupsioni sistemik dhe sanksionesh ndërkombëtare, prodhimi ka rënë në një pjesë të vogël të atyre shifrave.
Në vitin 2024, prodhimi mesatar kombëtar luhatej rreth 950.000 fuçi në ditë, dhe disa muaj eksportet arritën rreth 900.000 fuçi në ditë, sinjale të një rimëkëmbjeje të kujdesshme, por shumë larg niveleve historike të kapacitetit të plotë.
Në vitin 2025, të dhënat zyrtare tregojnë një prodhim rreth 1,1 milion fuçi në ditë, një shifër që sinjalizon një rikuperim të lehtë krahasuar me vitet më të errëta të krizës së naftës, por që mbetet modeste nëse krahasohet me potencialin teorik që burojnë nga rezervat gjigante të disponueshme.
Problemet e “naftës ekstra të rëndë”
Nafta venezueliane është kryesisht “naftë ekstra e rëndë”, një lloj burimi energjetik më i vështirë dhe ekonomikisht më i kushtueshëm për t’u nxjerrë dhe përpunuar krahasuar me naftat e lehta. Kjo shpjegon pse, pavarësisht pasurive të mëdha, vendi arrin të prodhojë kaq pak: nafta ekstra e rëndë është shumë e dendur dhe viskoze, prandaj e vështirë për t’u nxjerrë.
Shpesh duhet të ngrohet nën tokë ose të hollohet me nafta të tjera. Ajo përmban gjithashtu më shumë squfur dhe metale, duke e bërë përpunimin dhe rafinimin më kompleks dhe më të shtrenjtë. Mund të përpunohet vetëm në rafineri shumë të specializuara, gjë që kufizon blerësit dhe ul marzhet e fitimit. Me pak fjalë, kërkon më shumë energji, më shumë teknologji dhe më shumë investime në të gjithë zinxhirin e prodhimit.
Projektet e Uashingtonit
Vitet e investimeve të mangëta dhe kriza e PDVSA-së, kompanisë shtetërore të naftës që dikur ishte shtylla kurrizore e ekonomisë kombëtare, e kanë bërë aparatin prodhues të brishtë dhe të vjetëruar. Presidenti amerikan ka theksuar se kompanitë energjetike amerikane mund të sjellin kapital dhe njohuri teknike për të rindërtuar sektorin, duke parashikuar investime mbi 100 miliardë dollarë dhe duke nënvizuar se do të nevojiten vite, në mos dekada, punë e vazhdueshme për ta rikthyer prodhimin drejt niveleve para krizës.
Dimensioni energjetik i Venezuelës është dhe do të mbetet qendror jo vetëm për Karakasin dhe Uashingtonin, por për të gjithë tregun botëror të energjisë. Në një kontekst ku OPEC+, karteli ku Venezuela ishte ndër anëtarët themelues, ka vendosur të mbajë të qëndrueshme nivelet e prodhimit për të shmangur tronditje të tjera, gjendja e vendit të Amerikës së Jugut mbetet një faktor pasigurie.
Aftësia e saj për të ndikuar në çmimin ndërkombëtar të naftës mbetet potencialisht e rëndësishme, edhe pse prodhimi aktual është i pamjaftueshëm për të ushtruar një ndikim të ndjeshëm në afat të shkurtër. / bota.al



