HistoriMAIN

444 ditë! Kriza e pengjeve amerikane në Teheran

Më 4 nëntor 1979, një grup revolucionarësh iranianë sulmuan Ambasadën Amerikane në Teheran, Iran, dhe morën peng 66 diplomatë dhe qytetarë amerikanë. Për 444 ditët e ardhshme, kriza e pengjeve dominoi lajmet dhe u bë çështja më e madhe e politikës së jashtme për Shtetet e Bashkuara dhe Iranin. Edhe pasi kriza përfundoi, ajo ndikoi në marrëdhëniet SHBA-Iran për 45 vitet e fundit

Kushdo që nuk kishte lindur në atë kohë, do ta kishte të vështirë të kuptonnte se sa e rëndësishme ishte kriza e pengjeve në Iran ndërsa po ndodhte. Ajo dominoi lajmet për më shumë se një vit. Çdo ditë gjatë krizës, çdo program lajmesh në mbrëmje numëronte ditët që nga marrja peng e amerikanëve.

Njerëzit në të gjithë vendin lidhnin fjongo të verdha në pemët jashtë shtëpive. Ajo u bë një çështje kyçe në zgjedhjet e vitit 1980 dhe, ndoshta, kontribuoi në humbjen e Presidentit Carter.

Kriza e pengjeve nuk ishte diçka që ndodhi spontanisht, edhe pse ashtu dukej në atë kohë. Ajo e kishte origjinën disa dekada më parë, në vitet 1920.

Reza Shahu erdhi në pushtet në vitin 1925 pas përmbysjes së dinastisë Qajar. Ai ndoqi politika modernizimi dhe kërkoi të zvogëlonte ndikimin e huaj, veçanërisht atë të Britanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shahu refuzoi të dëbonte këshilltarët gjermanë nga Irani, gjë që alarmoi qeveritë britanike dhe sovjetike.

Në gusht të vitit 1941, Britania dhe Bashkimi Sovjetik pushtuan Iranin për të siguruar furnizimet me naftë dhe për të krijuar rrugë furnizimi për përpjekjet luftarake sovjetike. Nën presionin e Aleatëve, Reza Shahu u detyrua të hiqte dorë nga froni më 16 shtator 1941 dhe u internua në Afrikën e Jugut.

Me miratimin e britanikëve dhe sovjetikëve, Mohammad Reza Pahlavi, djali i Reza Shahut, u vendos si Shah i ri i Iranit, kur ishte vetëm 21-vjeç. Gjatë viteve të para të sundimit të tij, ai kishte pushtet të kufizuar, pasi forcat britanike dhe sovjetike mbetën në Iran deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dhe Mohammad Reza Pahlavi, Shahu i Iranit, është çelësi i të gjithë kësaj historie.

Nafta

Kompania Anglo-Persiane e Naftës, e cila më vonë u bë British Petroleum (BP), dominonte industrinë e naftës në Iran, duke i dhënë Britanisë kontroll mbi të ardhurat iraniane nga ari i zi. Në ndërkohë, një tjetër figurë e rëndësishme iraniane, Mohammad Mossadegh udhëhoqi thirrjet për shtetëzimin e industrisë së naftës, duke argumentuar se Irani duhet t’i kontrollonte vetë, burimet e tij natyrore. Në vitin 1951, ai u zgjodh Kryeministër nga Parlamenti iranian, me mbështetje të fortë popullore.

Mossadegh shtetëzoi Kompaninë Anglo-Persiane të Naftës, duke dëbuar kompanitë britanike dhe duke marrë kontrollin e naftës iraniane. Britania reagoi duke vendosur një embargo, duke bllokuar eksportet iraniane të naftës, si dhe duke dëmtuar rëndë ekonominë.

Shahu dhe elementët konservatorë në Iran i kundërshtuan politikat e Mossadeghut, të trembur se mos ajo që po ndodhte ishte një zhvendosje drejt socializmit. Mossadegh u përpoq të kufizonte pushtetin e Shahut, duke krijuar kështu tensione të mëtejshme.

Në vitin 1953, CIA dhe inteligjenca britanike organizuan Operacionin Ajax, për të rrëzuar Kryeministrin Mohammad Mossadegh. E gjitha për të rivendosur sundimin autokratik të Shahut.

Sundimi i Shahut

Shahu zbatoi politika miqësore ndaj Perëndimit dhe një modernizim të shpejtë, por sundimi i tij u bë gjithnjë e më autoritar, duke u mbështetur sidomos tek SAVAK, policia e tij brutale sekrete, për të shtypur opozitën.

SAVAK ishte shërbimi sekret i Iranit, i krijuar në vitin 1957 me ndihmën e CIA-s. Ai ishte famëkeq për represionin brutal, duke përdorur tortura, survejim dhe vrasje për të heshtur opozitën politike, veçanërisht nacionalistët dhe islamistët. Edhe pse një diktator brutal, i urryer nga shumica e popullit, Shahu ishte gjithashtu një aleat i vendosur i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë. Opozita ndaj sundimit të tij filloi të organizohej rreth një udhëheqësi fetar të quajtur Ayatollah Ruhollah Khomeini, një kritik i hapur i Shahut, i cili u internua në vitin 1964.

Deri në vitin 1978, pakënaqësia e gjerë për shkak të vështirësive ekonomike, represionit politik dhe ndikimit perëndimor çoi në protesta masive. Në janar 1979, Shahu u arratis nga Irani dhe Khomeini u kthye në shkurt për të udhëhequr Revolucionin Islamik. Në prill 1979, Irani u shpall zyrtarisht Republika Islamike e Iranit, e udhëhequr nga Lideri Suprem Khomeini.

Në këtë pikë, Shahu ishte jashtë IRanit, Ajatollah Khomeini ishte brenda dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të vazhdonin marrëdhëniet me qeverinë e re. Kur ishte arratisur nga Irani, Shahu kish qenë sëmurë rëndë. Ai ishte diagnostikuar me leukemi në vitin 1974 dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar rëndë gjatë protestave të vitit 1978. Pas largimit nga Irani, ai u bë problem ndërkombëtar duke u endur në Egjipt, Marok, Bahamas dhe Meksikë.

Gjatë kësaj kohe, qeveria e re iraniane kërkoi ekstradimin e tij për ta gjykuar. Më 22 tetor 1979, Presidenti Jimmy Carter e lejoi Shahun të hynte në Shtetet e Bashkuara për trajtim mjekësor në Spitalin New York–Cornell.

Ky vendim zemëroi revolucionarët iranianë, të cilët e panë si ndërhyrje amerikane dhe si një parathënie të një tjetër grushti shteti të mbështetur nga SHBA, për të rikthyer Shahun në pushtet.

Dy javë më vonë, më 4 nëntor 1979, studentët iranianë, të lidhur me qeverinë revolucionare të Khomeinit, sulmuan Ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng diplomatët amerikanë.

Vetë Shahu, personazhi që ishte në qendër të kësaj krize, qëndroi në Shtetet e Bashkuara për më pak se dy muaj. Më 15 dhjetor 1979, ai u largua në Panama dhe më pas shkoi sërish në Egjipt, në mars të vitit 1980. Më 27 korrik 1980, ai vdiq në Kajro në moshën 60-vjeçare.

Kriza e pengjeve

Studentët që sulmuan ambasadën fillimisht morën peng 66 persona, duke përfshirë diplomatë, personel ushtarak dhe civilë. Tre prej tyre u liruan më 19 nëntor, dhjetë të tjerë më 20 nëntor, dhe një më vonë në korrik, duke lënë 52 amerikanë të mbajtur peng.

Pengjet u mbajtën në kushte të tmerrshme. Ata u izoluan, iu nënshtruan marrjeve në pyetje me sytë e lidhur dhe u kërcënuan me ekzekutim. Shumë prej tyre u mbajtën në izolim për periudha të gjata, të mbyllur në dhoma të vogla dhe të errëta, pa asnjë informacion për botën jashtë.

Rrëmbyesit shpesh organizonin ekzekutime të rreme, duke i përgatitur pengjet për vdekje, vetëm për ta ndaluar në momentin e fundit – një taktikë psikologjike për t’u thyer moralin.

Pengjet u detyruan gjithashtu të merrnin pjesë në përpjekje propagandistike, duke u shfaqur në fotografi dhe video të organizuara nga qeveria iraniane për të poshtëruar Shtetet e Bashkuara.

Komunikimi mes pengjeve ishte tepër i kufizuar, por disa arritën të përcillnin mesazhe duke trokitur në mure ose duke përdorur kode të ndryshme. Higjiena ishte minimale dhe shpesh ushqimi ishte i pamjaftueshëm ose u mbahej si ndëshkim. Kujdesi mjekësor ishte i kufizuar dhe ofrohej vetëm në raste të rënda.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara

Opsionet e SHBA-së për të reaguar ishin të kufizuara. Presidenti Jimmy Carter vendosi sanksione ekonomike dhe ngriu asetet iraniane në bankat amerikane. Ai gjithashtu dëboi diplomatët iranianë dhe u përpoq të ushtronte presion diplomatik ndaj Iranit.

Viti 1980 ishte një vit zgjedhor dhe i gjithë episodi bëri që presidenti më i fuqishëm në botë të dukej i dobët. Në një lëvizje të pazakontë, Carter u përball me një sfidë të brendshme nga senatori Ted Kennedy në zgjedhjet brenda Partisë Demokrate.

Presioni për të vepruar u rrit dhe e arriti kulmin më 24 prill 1980, me Operacionin Kthetra e Shqiponjës (Operation Eagle Claw), një mision ushtarak amerikan për të shpëtuar pengjet.

Misioni përfshinte disa faza, ku forcat amerikane do të hynin në Iran, do të bashkoheshin në një vend të quajtur Desert One dhe më pas do të ndërmerrnin një sulm ajror mbi Ambasadën Amerikane.

Megjithatë, plani ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe kërkonte koordinim të përsosur mes helikopterëve dhe avionëve transportues. Gjatë nisjes, operacioni hasi probleme të rënda, duke përfshirë stuhitë e rërës që dëmtuan pajisjet dhe kufizuan dukshmërinë.

Defektet mekanike çuan në prishjen e tre helikopterëve, duke e ulur fuqinë e misionit nën minimumin e nevojshëm për sukses. Me planin të kompromentuar, misioni u anulua para se të arrinte Teheranin.

Gjatë tërheqjes, ndodhi një tragjedi kur një helikopter u përplas me një avion transportues C-130, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që vrau tetë ushtarakë amerikanë. Personeli i mbijetuar u detyrua të largohej duke braktisur pajisje, automjete dhe dokumente të klasifikuara, të cilat më pas u kapën nga iranianët.

Ndikimi i krizës në politikën amerikane

Kriza e pengjeve u bë një temë e përditshme në lajme. Çdo transmetim lajmesh fillonte duke numëruar ditët e krizës. ABC News nisi një program të quajtur America Held Hostage (“Amerika e mbajtur peng”), i cili më vonë u shndërrua në emisionin Nightline me Ted Koppel.

Mbulimi i vazhdueshëm i krizës e mbajti fatin e pengjeve në qendër të vëmendjes kombëtare, duke nxitur ndjenja zemërimi dhe pafuqie në publik. Shkollat, bizneset dhe komunitetet organizuan fushata me fjongo të verdha si simbol shprese për kthimin e pengjeve.

Ndjenjat publike ndaj Iranit ishin tepër armiqësore, me protesta masive në gjithë SHBA. Shumë amerikanë dogjën flamurin iranian, thërrisnin slogane kundër Iranit dhe kërkonin veprime të mëtejshme ushtarake.

Administrata Carter dëshironte me çdo kusht të arrinte një marrëveshje para zgjedhjeve.

Megjithatë, pas dështimit të operacionit të shpëtimit, negociatat mes Iranit dhe SHBA-së ngecën. Deri në mesin e vitit 1980, përpjekjet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara dhe vende evropiane nuk patën sukses.

Ndërkohë, Algjeria filloi përpjekjet ndërmjetësuese në fund të vitit 1980, me negociata serioze rreth shtatorit dhe tetorit. Algjeria ishte zgjedhur për shkak se kishte marrëdhënie diplomatike si me SHBA-në ashtu edhe me Iranin dhe kishte mbajtur një pozicion neutral gjatë krizës. Iranianët nuk kishin asnjë arsye për ta përshpejtuar marrëveshjen, pasi nuk donin t’i jepnin Carterit një fitore para zgjedhjeve. Negociatat u intensifikuan pasi zgjedhjet përfunduan dhe Jimmy Carter humbi ndaj Ronald Reaganit.

Marrëveshja përfundimtare u bë e njohur si Marrëveshja e Algjerit (Algiers Accords).

Sipas kushteve të saj, të nënshkruara më 19 janar 1981, Shtetet e Bashkuara ranë dakord të zhbllokonin 8 miliardë dollarë asete iraniane, të hiqnin sanksionet ekonomike dhe të premtonin mosndërhyrje në punët e brendshme të Iranit. Për më tepër, Irani fitoi imunitet nga paditë për krizën e pengjeve, duke siguruar që qeveria amerikane dhe qytetarët e saj të mos mund të ngrinin padi kundër Iranit për incidentin.

Udhëheqësit iranianë, veçanërisht Ajatollah Khomeini, vonuan miratimin përfundimtar të marrëveshjes derisa Jimmy Carter të largohej nga detyra, duke refuzuar të lironin pengjet ndërsa ai ishte ende president.

Më 20 janar 1981, vetëm disa minuta pasi Ronald Reagan u betua si president, pengjet u liruan, duke shënuar fundin zyrtar të krizës.

Pasojat e krizës

Kriza e Pengjeve në Iran pati pasoja të shumta që ndihen edhe sot: Prishi marrëdhëniet diplomatike SHBA-Iran, të cilat mbeten të këqia. Çoi në sanksione ekonomike më të ashpra ndaj Iranit. Shtyu SHBA-në të zhvillojë forca speciale për operacione kundër terrorizmit. Krijoi precedentin për mbulimin 24-orësh të krizave nga mediat. Nxiti vazhdimin e mosbesimit mes dy vendeve, duke bërë që kriza të mbetet një simbol i diplomacisë së dështuar. / bota.al

Back to top button