BotaMAIN

A do të jemi ndonjëherë në gjendje të parashikojmë tërmetet?

Nga Richard Grey

Tragjedia e shpalosur midis ndërtesave që u shkërmoqën në Turqinë Juglindore dhe Sirinë Veriore, nxjerr në pah se sa shumë tërmete të papritura e të forta mund të na godasin. Dheshkencëtarët po synojnë të gjejnë mënyrat për të dalluar shenjat e hershme paralajmëruese të atyre që janë fatkeqësitë natyrore më të paparashikueshme.

Ato godasin papritur dhe pa paralajmërim. Dy  tërmetet shkatërruese që goditën Turqinë Juglindore dhe Sirinë Veriore kanë marrë mijëra jetë dhe kanë lënë shumë të tjerë të plagosur apo të pa strehë. Të ndodhura në orët e para të 6 shkurtit, shumica e viktimave ishin në gjumë kur tërmeti i parë me magnitudë 7.8 të shkallë Rihter u rrëzoi godinat sipër trupave të tyre.

Disa orë më vonë, ai u pasua nga një tërmet i dytë i madh me magnitudë 7.5. Cektësia relative e të dy lëkundjeve, nënkuptonte që intensiteti i lëkundjeve ishte shumë i madh.

Dhe ndërsa zona vazhdon të dridhet nga pasgoditjet, ekspertët në Shërbimin Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara kanë paralajmëruar se ata që mbijetuan dhe punonjësit e shpëtimit që po dynden tani në rajon për të ndihmuar, përballen me rreziqe të konsiderueshme nga rrëshqitjet e dheut dhe lëngëzimi i nëntokës si rezultat i lëkundjeve.

Por ndërsa bota është angazhuar në dërgimin e ndihmave për komunitetet e prekura në të dyja anët e kufirit midis Turqisë dhe Sirisë, disa po pyesin veten pse nuk e parashikuam dot këtë ngjarje. Sistemi i thyerjeve gjeologjike në Anadollit Lindor ku ndodhën tërmetet, është pjesë e një “bashkimi tektonik të trefishtë” ku shtyhen me njëratjetrën tre pllaka:pllaka e Anadollit, Arabisë dhe Afrikës.

Që nga viti 1970, vetëm 3 tërmete me një magnitudë 6 apo më të madhe e kishin goditur rajonin, dhe shumë gjeologë besonin se ai ishte “i vonuar” në përjetimin e një tërmeti tjetër  të madh. Po pse nuk mundëm që ta parashikonim me saktësi atë? Në fakt shkenca e parashikimit të tërmeteve është shumë e vështirë.

Ndërsa shpeshherë ka sinjale të vogla që mund të zbulohen në të dhënat sizmike pasi të ketë ndodhur një ngjarje, të dish se çfarë të kërkosh, dhe ta përdorësh atë për të bërë parashikime paraprake është shumë më sfiduese.”Kur ne simulojmë tërmetet në laborator, shohim që ndodhin të gjitha këto shenja të vogla. Si fillim ka plasaritje dhe disa çarje”-thotë Kris Marone, profesor i gjeoshkencave në Universitetin La Sapienza të Romës në Itali dhe në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë në SHBA.

“Por atje në natyrë ka shumë pasiguri, sepse shumë shpesh nuk kemi paragoditje apo shenja se do të ketë një tërmet të madh”- shton ai. Gjeologët janë përpjekur të përdorin metoda moderne shkencore për të parashikuar tërmetet që të paktën që nga vitet 1960, por me pak sukses.

Arsyeja thotë Marone, ka të bëjë kryesisht me kompleksitetin e sistemeve të pllakave tektonike që përshkojnë globin. Po ashtu ku shumë zhurmë sizmike. Toka gjëmon vazhdimisht në brendësinë e saj, dhe e kombinuar me zhurmën antropogjene të trafikut, punëve në ndërtim e sipër dhe jetës së përditshme, e bën të vështirë të dallosh sinjalet e qarta.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, për të pasur një parashikim vërtetë të dobishëm të tërmetit nevojiten 3 gjëra:vendndodhja, koha kur do të ndodhë, dhe sa i fortë do të jetë tërmeti. Deri më tani askush nuk mund ta bëjë këtë me një lloj sigurie.

Në vend të kësaj, gjeologët prodhojnë ato që janë supozimet e tyre më të mira në “hartat e rrezikut”, ku ata llogaritin probabilitetin e një tërmeti brenda një harku kohor prej disa vitesh. Ndërsa këto harta mund të ndihmojnë deri diku tek planifikimi që ka të bëjë me përmirësimin e standardeve të ndërtimit në zonat më të rrezikuara, ato nuk ofrojnë nivelin e duhur të parashikimit për të dhënë paralajmërime të hershme për publikun, që t’i japë atij mundësi të evakuohet apo të strehohet në vende më të sigurta.

“Në Turqi dhe Siri, kishte shumë faktorë që nënkuptonin se ndërtesat ishin në një gjendje të tillë që ishin gati të shembeshin. Në shumë vende të botës perëndimore ka pasur kode të përforcimit sizmik që u zbatuan në vitet 1970-1980. Por ndërtimi dhe rikontruksioni i godinave kushton shumë”- shton ai.

Prandaj shkencëtarët kanë kërkuar mënyra për ti bërë më të sakta parashikimet e tërmeteve. Krahas sinjaleve sizmike, studiuesit kanë kërkuar të dhëna në një larmi vendesh, nga sjellja e kafshëve deri tek valët elektrike në atmosferën e sipërme të Tokës .

Ndërkohë kohët e fundit ka shumë shpresë tek aftësitë e Inteligjencës Artificiale për të zbuluar llojin e sinjaleve delikate që na shpëtojnë ne njerëzve. Algoritmet e makinerive, mund të analizojnë sasi të mëdha të dhënash nga tërmetet e kaluara për të kërkuar modele që mund të përdoren për të parashikuar ngjarjet e ardhshme.

Marone dhe kolegët e tij kanë zhvilluar gjatë 5 viteve të fundit algoritme, të cilat mendohet se janë të afta të zbulojnë dështimet në çarjet e simuluara në laborator. Duke përdorur blloqe graniti sa madhësia e një grushti, ata mund të rikrijojnë stresin dhe fërkimin që mund të çojë në  një çarje, duke e rritur presionin derisa kjo e fundit të rrëshqasë, duke krijuar atë që ata i quajnë “tërmete laboratorike”.

Gjithsesi Marone e pranon se ka ende pak përparim në këtë aspekt. Ndërkaq, shkencëtarët në Kinë kanë studiuar valëzimet tek grimcat e ngarkuara me elektricitet në jonosferën e Tokës në ditët para tërmeteve, të shkaktuara nga ndryshimet në fushën magnetike mbi zonat e thyerjeve tektonike.

Një grup i udhëhequr nga Jing Liu në Institutin e Parashikimit të Tërmeteve në Pekin, pretendoi se zbuloi 10 ditë para ndryshime në elektronet atmosferike mbi epiqendrën e tërmetit që goditi Kaliforninë në SHBA në fillim të prillit 2010.

Një grup tjetër në Izrael, pretendoi kohët e fundit se ishte në gjendje të përdorte Inteligjencën Artificiale për të parashikuar tërmete të mëdha 48 orë para, me një saktësi 83 për qind duke ekzaminuar ndryshimet në përmbajtjen e elektroneve në jonosferë gjatë 20 viteve të fundit.

Në vitin 2018, Kina lëshoi në orbitë Satelitin Sizmo-Elektromagnetik të Kinës (CSES) për të monitoruar anomalitë elektrike në jonosferën e Tokës. Vitin e kaluar, shkencëtarët e Qendrëssë Rrjetit të Tërmeteve të Kinës me seli Pekin, pretenduan se kishin gjetur rënie në densitetin e elektroneve në jonosferë deri në 15 ditë përpara tërmeteve që goditën Kinën në maj 2021 dhe janar 2022.

“Një transferim energjie mund të ndodhë ndërmjet litosferës dhe dy shtresave sipër që është atmosfera dhe jonosfera”-thotë Mei Li, një nga studiuesit që punon në Qendrën e Rrjetit të Tërmeteve në Kinë. Por ajo thotë se mekanizmi se si ndodh kjo është ende i diskutueshëm. Gjithsesi ajo paralajmëron se edhe me të dhënat satelitore, gjetjet e tyre janë ende shumë larg nga të qenit në gjendje të parashikojnë një tërmet të afërt. Po ashtu Li tregon edhe një problem tjetër:tërmetet e mëdha mund të shkaktojnë ndryshime në jonosferë shumë larg nga epiqendra e tyre, gjë që e bën të vështirë konfirmimin e vendndodhjes së saktë të tyre.

Raportet për kafshët që tremben dhe iknin në panik para tërmeteve datojnë që mijëra vjet më parë, por përdorimi i këtyre vëzhgimeve në një mënyrë kuptimplote është i vështirë. Sepse sjellja e kafshëve nuk lejon gjithmonë parashikimin e saktë.

Ka raporte për një tërmet të parashikuar në Kinë disa dekada më parë me ndihmën e sjelljes së pazakontë të kafshëve, por ajo nuk është përsëritur më. Studiues të tjerë po i mbështesin shpresat e tyre tek sinjale të ndryshme. Në Japoni, disa ekspertë pretendojnë se janë në gjendje të përdorin ndryshimet në avujt e ujit mbi zonat e tërmetit për të bërë parashikime. Testet sugjerojnë se këto parashikime kanë 70 për qind saktësi, megjithëse mund të thonë vetëm se një tërmet mund të ndodhë në një moment gjatë muajit të ardhshëm. Të tjerë janë përpjekur të përdorin valëzime të vogla në gravitetin e Tokës që mund të ndodhin përpara një tërmeti. Por pavarësisht nga të gjitha këto pretendime, asnjë nuk ka qenë në gjendje të parashikojë me sukses se ku dhe kur do të ndodhë një tërmet përpara se të ndodhë vërtet.

Marrë me shkurtime nga “BBC” – Bota.al

Back to top button