Nga Willem H.Buiter
Në një koment të fundit për “Financial Times”, ekonomistja Dambisa Moyo argumenton pse udhëheqësit e biznesit duhet të investojnë në Bitcoin. Tre argumentet e saj kryesore janë se Bitcoin është një mënyrë për të zbutur rrezikun që i kanoset një kompanie; se kriptovalutat mund të ofrojnë zgjidhje të mundshme për të bërë biznes në ekonomitë në zhvillim; dhe së fundmi se monedhat dixhitale ofrojnë një të ardhme të re emocionuese të “platformave të monedhës”.
A ka të drejtë Moyo? Le t’i analizojmë gjërat me radhë. Së pari, është e paqartë se si blerja e Bitcoin mund të zbusë rrezikun e një kompanie. Rreziku i vetëm që identifikon Moyo është ai i humbjes së asaj që mund të jetë një nga flluskat më të mëdha spekulative të të gjitha kohërave.
Është e vërtetë, një kompani që humbi një vlerësim të vazhdueshëm të Bitcoin mund të përballet me pasoja të tmerrshme – përfshirë blerjen nga një rival që ka investuar po në Bitcoin. Padyshim, investimi në Bitcoin është një mënyrë e sigurt për të shmangur humbjen e fitimeve të kapitalit në Bitcoin.
Por kjo vështirë se e bën atë një investim të mençur, sidomos kur dikush vë në balancë fitimet e mundshme përkundrejt rrezikut të lartë të humbjeve materiale të kapitalit. Po aq e rrezikshme është edhe ideja se kriptovalutat mund të ofrojnë zgjidhje për problemet që hasen shpesh në ekonomitë në zhvillim.
Është e vërtetë që në dallim nga paratë konvencionale -ku përfshihen edhe monedhat dixhitale të bankave qendrore (CBDC) – kriptomonedhat private të decentralizuara si Bitcoin nuk rrezikojnë të “mbi-emetohen” nga qeveritë problematike. Është gjithashtu e vërtetë që rreziku i mbi-emetimit është më i madh në disa tregje në zhvillim, sesa në shumicën e ekonomive të përparuara.
Por mbi-emetimi i monedhës është vetëm një nga kërcënimet e mundshme për stabilitetin financiar të tregut në zhvillim, dhe zhdukja e tij nuk e bën befas Bitcoin shumë të besueshëm. Përkundrazi: paqëndrueshmëria e çmimeve të Bitcoin që nga fillimi i saj në vitin 2009 ka qenë marramendëse.
Më 29 mars 2021, çmimi i saj arriti në 57.856 dollarë -shumë pranë nivelit më të lartë të saj prej 61.284 dollarë në 13 mars, me një treg marramendës prej afro 1 trilionë dollarësh.
Sipas një raporti të JPMorgan të datës 17 Shkurt, paqëndrueshmëria e tij gjatë3-mujorit të fundit ishte 87 për qind, krahasuar me vetëm 16 për qind për arin.
Ngjashëm, një studim i kohëve të fundit zbuloi se paqëndrueshmëria e çmimeve të Bitcoin, është gati 10 herë më e lartë se ajo e valutave kryesore tradicionale (si dollari amerikan ndaj euros dhe jenit). Moyo sugjeron gjithashtu se Bitcoin mund të lehtësojë dërgesat në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Por kjo injoron faktin se transaksionet në Bitcoin janë shumë joefikase. Për shkak se madhësia e bllokut të tij është e kufizuar në një megabajt, dhe procesi i zbulimit të bllokut zgjat afërsisht 10 minuta për çdo bllok, në 1 sekondë mund të kryhen vetëm 7 transaksione.
Në të kundërt, Visa kryen mesatarisht 1.700 transaksione në sekondë, dhe mund të dërgojë më shumë se 65.000 mesazhe në sekondë klientëve të saj, për t’i njoftuar për transaksionin e kryer. Në bazë të dizajnit të vet, Bitcoin është thjesht jo shumë efektive për t’u bërë një mjet efektiv i pagesave.
Po ashtu, fakti që sasia e Bitcoin është e fiksuar në 21 milion njësi gjithsej,më shumë është një pengesë sesa një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj kriptomonedhe. Një monedhë e përshtatshme, duhet të jetë në gjendje që të përjetojë një zgjerim masiv të sasisë së saj kur këtë gjë e kërkojnë rrethana, si për shembull në rastin e një krize financiare, apo një goditjeje të kërkesës agregate.
Nuk mund të ketë huadhënës të mundësisë së fundit që janë të aftë për operacione sistematike shpëtimi përmes Bitcoin dhe kriptovalutave të tjera të decentralizuara. Së fundmi, a është vërtet Bitcoin pararoja e një infrastrukture të re të monedhës dixhitale, të cilën investitorët e mençur nuk kanë mundësi që ta injorojnë?
Jo, sepse monedhat dixhitale që janë në zhvillim në Kinë dhe gjetkë, nuk kanë asgjë të përbashkët me Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera private dhe të decentralizuara. Aty nuk ka asnjë “bloch chain” dhe nuk kërkohet prova e punës për të vërtetuar vlefshmërinë e një transaksioni.
Përkundrazi, CBDC funksionojnë si versione të drejtpërdrejta dixhitale të llogarive bankare konvencionale. Në parim, ato mund të funksionojnë si llogari individuale në bankën qendrore për çdo konsumator dhe biznes në juridiksionin e saj. Ato llogari mund të garantohen nga banka qendrore, por të rruhen në një gamë të gjerë të institucioneve financiare private.
CBDC-të nuk janë ndonjë gjë e re. Ato nuk janë një zhvillim revolucionar si kriptomonedhat e decentralizuara. Por ai revolucion tashmë ka dështuar, pasi Bitcoin dhe kriptovalutat e ngjashme janë shumë jo tërheqëse. Asnjë investitor i arsyeshëm nuk duhet të joshet prej tyre. Për më tepër, kërkesa shumë e lartë për energji për të pasur Bitcoin, është një tjetër “gozhdë” në “arkivolin” e kësaj kriptomonedhe.
Përfundimi është i qartë:Bitcoin është një investim tepër i rrezikshëm dhe i padëshirueshëm për mjedisin. Ai nuk është një zgjidhje e arsyeshme për ndonjë problem të tregut në zhvillim dhe nuk mund të shërbejë si një depo me vlerë apo si mjet i besueshëm shkëmbimi.
Shënim: Willem H. Buiter, është profesor i çështjeve ndërkombëtare dhe publike në Universitetin Kolumbias, Nju Jork, SHBA. / “Project Syndicate” – Bota.al