Nga Randall Condra
A ishte ai një eksplorues i madh, një heroi i Botës së Vjetër, që zbuloi Botën e Re? Apo një njeri që ishte fajtor për pushtimet, gjenocidin dhe skllavërinë? Si duhet të mendojmë sot për Kristofor Kolombin? Ai e dyfishoi madhësinë e botës së njohur deri në kohën e tij, dhe i dha njerëzimit një mundësi të re për të zhvilluar dhe zgjeruar konceptin e lirisë, duke çuar përfundimisht në krijimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, pushtimi, kolonizimi dhe skllavëria ekzistonin që të gjitha shumë kohë para se ai të ekzistonte. Sigurisht, askush nuk mund të anashkalojë skllavërinë 400 vjeçare, apo shfarosjen e popujve indigjenë të Amerikës. Por është e padrejtë të fajësohet Kolombi për një institucion që ka ekzistuar gjithmonë.
Skllavëria ka ekzistuar në kohën e Romës së lashtë, si dhe në kohët biblike. Ndoshta ka ekzistuar dhe në kohët parahistorike, dhe ndoshta edhe në mesin e paraardhësve tanë para-njerëzorë në Afrikë. Duam apo nuk duam, që të gjithë e kemi prejardhjen nga skllevërit.
Para historisë moderne, afrikanët ishin duke e skllavëruar njëri -tjetrin. Romakët morën shumë skllevër nga zonat në jug të Saharasë. Gjatë një periudhe prej 1 mijë vjetësh, myslimanët në Afrikën e Veriut, morën si robër rreth 10 milionë zezakë afrikanë.
Kur evropianët mbërritën atje duke kërkuar krahë pune të lirë për t’i shfrytëzuar në plantacionet e tyre në Botën e Re, ata ishin në gjendje që t’i shfrytëzonin ato rrjete ekzistuese skllevërish. Në shekujt që pasuan Kolombin, kolonistët britanikë në Amerikën e Veriut i zgjeruan idealet e vetëqeverisjes, të cilat përfundimisht do ta dënonin dhe nxirrnin jashtë ligjit skllavërinë.
Pra edhe kur skllavëria po zgjerohej, dhe teksa shoqëritë vendase dhe qytetërimet e tyre po shkatërroheshin, koncepti i lirisë po mbinte në këtë Botë të Re që kishte zbuluar Kolombi.
Brenda 3 shekujsh, kjo farë lirie çoi në pretendimin “e qartë të Tomas Xhefersonit”, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.
Me kalimin e kohës, ideja se të gjithë njerëzit duhet të kenë një zë të barabartë në zgjedhjen e qeverisë së tyre, u forcua gjithnjë e më shumë. Në fund, skllavëria do të rezultonte e papajtueshme me besimin tek barazia. Gjatë Revolucionit Amerikan, skllavëria u ndalua me ligj në Territorin Veriperëndimor, dhe Kushtetuta e re amerikane ndaloi importimin e skllevërve pas vitit 1808.
Parë në këtë kontekst historik, udhëtimet e Kristofor Kolombit shënojnë fillimin e fundit të skllavërisë. Deri në vitin 1860, në pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara ishte krijuar një shoqëri e cila ishte e gatshme të sakrifikonte jetën e mbi 600.000 burrave të bardhë, për t’i dhënë fund skllavërimit të zezakëve në Amerikë.
Me kalimin e kohës, konceptet e lirisë, vetëqeverisjes, drejtësisë dhe barazisë, prodhuan një sistem gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, i cili do të fillonte të adresonte ankesat jo vetëm të zezakëve, por edhe të indianëve të Amerikës. Kolombi i robëroi vendasit dhe hodhi hapat e parë drejt kolonizimit.
Por nuk është e vështirë të imagjinohet se njerëzit e Hemisferës Perëndimore – nëse do të kishin ndërtuar më parë armë zjarri, topa dhe anije – nuk do t’i kishin shfarosur popujt evropianë, s’do t’i kishin skllavëruar afrikanët, apo nuk do të kishin kolonizuar gjithë botën.
Institucioni i skllavërisë, i lindur në Afrikë, mori fund në shoqërinë e re që ishte zhvilluar në Amerikën e Veriut pas udhëtimeve të Kolombit. Ai i hapi derën të ardhmes së botës, një e ardhme në të cilën skllavërisë mund t’i jepej fund, dhe ku ligji dominues do të ishte ai i barazisë.
Me gjithë të metat e tij serioze personale, ne e vlerësojmë Kolombin jo vetëm si një eksplorues të madh, por edhe si njeriun, zbulimi i të cilit e vendosi botën në rrugën drejt lirisë.
Historia e Amerikës përmban padyshim edhe gabime të mëdha, por ndërkohë ajo ka sjellë përparime të mëdha të gjendjes së shoqërisë njerëzore. Ne i bëjmë një padrejtësi Kolombit kur e fajësojmë atë për sëmundjet e botës në të cilën ai jetoi, dhe për historinë që ai trashëgoi. / “Dispatch” – Bota.al