Analiza

A është ky fundi i udhëheqjes amerikane? Flasin ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare

Në artikullin e mëposhtëm sjellë në shqip nga bota.al, një grup ekspertësh ndër më të mirët sa i përket çështjeve ndërkombëtare, i përgjigjen pyetjes së kryeredaktores së Carnegie Europe, Judy Dempsey: A është ky fundi i udhëheqjes amerikane?

Vendimi i Presidentit të SHBA, Donald Trump për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Ndryshimeve Klimatike të Parisit e vitit 2015 nxjerr në pah se Shtetet e Bashkuara janë bërë një ndryshore kryesore në politikën ndërkombëtare. I parë së bashku me vendimin e Trump për të dalë nga Partneriteti i Trans-Paqësorit dhe vënia në dyshim e aleancave ushtarake të SHBA, vendimi për marrëveshjen e Parisit lëshon një hije të madhe mbi kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara si interlokutor dhe besueshmërinë e tyre si partner. Ndërkohë, dëmi për rendin ndërkombëtar ka të ngjarë të jetë i thellë, dhe ndoshta i pakthyeshëm.

Nuk mund të injorohet fakti  se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të ndara në lidhje me globalizmin e Amerikës dhe sidomos çështjes, nëse barra e lidershipit ndërkombëtar ia vlen të mbahet ende. Të gjithë aktorët kryesorë në sistemin ndërkombëtar duhet të mësohen, në mënyrë të pashmangshme, me paqëndrueshmërinë në orientimin e jashtëm të Amerikës, e shkaktuar kjo nga trazirat në politikën e saj të brendshme.

Kryeministri indian Narendra Modi mori një rrezik të konsiderueshëm politik në vendin e tij, për të ndryshuar qëndrimet e mëparshme të Indisë dhe për të punuar me ish-presidentin e SHBA, Barak Obama, që të prodhonin marrëveshjen e Parisit. Modi do ta konsiderojë padyshim ironike që Trump tregoi me gisht Indinë, pasi shpalli vendimin e tij për të dalë nga marrëveshja e Parisit.

(C. Raja Mohan – Drejtor i Carnegie India)


Njoftimi i Presidentit amerikan Donald Trump se do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e klimës së Parisit, nuk do të thotë se udhëheqjes së SHBA në çështjet globale po i vjen fundi. Në shumë çështje globale, udhëheqja e SHBA nuk është e lëkundur. Përveç kësaj, kjo nuk është hera e parë që një president i SHBA ka neglizhuar ndryshimet klimatike. George Bush  i riunuk ishte shumë i interesuar në këtë çështje kur ishte në detyrë, pasi kishte braktisur Protokollin e Kiotos në vitin 2001. Trump beson se pajtimi me marrëveshjen e Parisit do të ketë një ndikim në të gjitha aspektet e interesave të Amerikës, veçanërisht interesave ekonomike. Kjo gjithashtu thekson përqendrimin e Trumpit në doktrinën e tij “America first”.

Kina mbetet e angazhuar për pjesëmarrje aktive, në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike. Në dekadat e fundit të reformës dhe hapjes, Kina e ka lënë pas dore mbrojtjen e mjedisit duke zhvilluar ekonominë e saj. Prandaj, Pekini tani është më agresiv në ruajtjen e mjedisit, sesa në të kaluarën, duke e bërë qëndrimin e tij të qartë përmes ratifikimit të marrëveshjes së Parisit.

Ndërkohë që Pekini vetëm mund të shprehë keqardhje për veprimin e Trumpit, Kina do të ecë përpara me angazhimet e saj dhe do të bashkëpunojë me Evropën. Në vitet e fundit, Kina gjithashtu po mbron rritjen e bashkëpunimit për qeverisjen globale. Përpjekjet në këtë fushë nuk janë të kufizuara në disa vende të mëdha. Realiteti aktual kërkon pjesëmarrje aktive nga të gjitha kombet.

(Shi Zhiqin – Studiues në Carnegie-Tsinghua, Qendra për Politika Globale)


Përgjigja e shkurtër është e qartë. Shtetet e Bashkuara mbeten lider global në një sërë fushash, që nga fuqia ushtarake konvencionale, deri tek financimi i teknologjive të përparuara, dhe do ta mbajnë atë pozicion edhe në të ardhmen e afërt. Ajo që po ndryshon në politikën e jashtme të SHBA është mënyra e angazhimit me pjesën tjetër të botës. Historia e politikës së jashtme të Amerikës i ka parë të dyja, edhe periudhat e superaktivizmit, edhe kohët e tërheqjes. Pasi ish presidenti George Bush i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara në dy luftëra në botën muslimane, pasardhësi i tij, Barak Obama, miratoi një politikë kufizimi.

Pikëpamja e Presidentit Donald Trump për interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara është qartësisht e ndryshme nga ortodoksia liberale. Ai po kërkon të rrisë ndikimin e SHBA në botë, duke u mbështetur fort, edhe tek kundërshtarët, edhe tek aleatët, në vend që t’i këshillojë apo kërcënojë atë. Kjo shkakton frikë dhe acarim mes aleatëve të SHBA, të cilët janë mësuar që të ndjekin udhëheqjen e SHBA gjatë treçerekshekullit të fundit.

Megjithatë, nuk ka gjasa që këta aleatë të formojnë një opozitë ndaj Uashingtonit. Përkundrazi, ashtu si në vitet e Bushit, ata do të zgjedhin që të presin Trump, duke i bërë ndërkohë opozicion nga brenda. Përderisa nuk është askush në botën perëndimore, i gatshëm apo me dëshirë që të bëjë një hap përpara si udhëheqës i ri, ideja e “vdekjes” së udhëheqjes amerikane në Perëndim është e parakohshme.

(Dmitri Trenin, Drejtor i Qendrës Carnegie Moskë)


Presidenti i SHBA, Donald Trump jo vetëm që ndau rrugët me Evropën për ndryshimet klimatike; Ai gjithashtu e përshkroi kontinentin si burim i problemeve të Amerikës. Kjo do të bëjë jehonë, përtej ndryshimeve klimatike. Në fakt, duke pasur parasysh se 37 shtetet e Shteteve të Bashkuara me 80 përqind të popullsisë së Amerikës, kanë miratuar njëfarë forme të standardeve të rinovueshme, ndikimi në mjedis mund të mos jetë asgjë, krahasuar me dëmin kolateral që i bëhet pozicionit të Amerikës në botë.

Prisni që anti-amerikanizmi në Evropë të lulëzojë. Kam frikë nga reagimi i tepruar në anën evropiane. Shtetet e Bashkuara do ta kenë shumë më të vështirë që tani e tutje, që të sigurojnë më shumë trupa për Afganistanin, ose më shumë para për mbrojtjen. Në fund, kjo do t’i dobësojë të dyja palët. Por qëndrimi fort ndaj në Shtetet e Bashkuara, edhe pse shtë një lëvizje e padobishme, do të bëhet politikisht tepër tërheqës dhe shumëkush nuk do të mundet t’i rezistojë.

Detyra para qeverive dhe institucioneve evropiane, tani është që të bëhet dallimi midis atyre çështjeve, siç është parandalimi i Rusisë, ku asistenca e SHBA mbetet thelbësore dhe atyre problemeve, të tilla si ndryshimet klimatike, ku Shtetet e Bashkuara janë bërë pengesë. Udhëheqësit evropianë do të duhet të ndërtojnë koalicione alternative për të çuar përpara çështjet e kësaj të dytës, ndërkohë që do të ndërmarrin risqe me votuesit e tyre, për të kërkuar alternativa transatlantike për të parën. Kjo do të jetë e vështirë.

(Tomáš Valášek – Drejtor i Carnegie Europe)


Nga këndvështrimi francez, kjo thirrje për zgjim është e mirëseardhur. Gjithçka shkon drejt një përfundimi të thjeshtë: Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte të drejtë, dhe presidenti francez Emmanuel Macron, duke qenë shumë i bindur në aftësinë e tij për ta bindur presidentin e SHBA, Donald Trump që të ndryshonte mendje, nuk kishte të drejtë. Por presidenti i ri francez është një nxënës që mëson shpejt. Ai e sheh mirë tani, që evropianët nuk mund të presin një udhëheqje shumë serioze apo konstruktive nga administrata e Trumpit.

Kjo do të thotë se Evropa nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse ta marrë të ardhmen e saj në duart e veta. Nuk ka kuptim të presë vendimet e Uashingtonit, për sa kohë që Trumpi i qëndron prioriteteve të tij të brendshme. Ky realitet i ri hap dyert për marrëdhënie më të thella me kombe, me të cilët Evropa ishte në mëdyshje për t’u angazhuar shumë shpejt, si Kina, India, apo edhe Rusia. Dhe këto partneritete të zgjeruara do të përfshijnë një hapësirë të gjerë fushash, që nga tregtia dhe investimet në siguri, tek migrimi dhe natyrisht, ndryshimet klimatike.

Siç e la të kuptohet presidenti Macron dje, tërheqja e Trumpit do të nxisë një lloj të ri marrëdhëniesh me Shtetet e Bashkuara, bazuar në ringjalljen e rrjetëzimit me përfaqësues nga e gjithë shoqëria civile. Në fund, kjo mund të jetë mënyra më e mirë për të rigjallëruar udhëheqjen e SHBA në botë.

(Pierre Vimont – Studiues, Carnegie Europe)


Presidenti i SHBA, Donald Trump mund të jetë tërhequr nga marrëveshja e klimës së Parisit nën pretekstin e mbrojtjes së punëtorëve të Uashingtonit, por në ndërkohë, ai ka shitur begatinë e fëmijëve të tyre në të ardhmen. Ndoshta CNN e rroku më së miri këtë moment, kur vendosi titullin: “Trumpi i thotë planetit: Vdisni!”

Për Trumpin, bota nuk është një komunitet kombesh, por një koleksion interesash që përplasen dhe udhëheqja e SHBA nuk është një mundësi, por një barrë. Duke u larguar nga pakti, ai jo vetëm që tregon papërgjegjshmëri të plotë ndaj botës, por po heq dorë edhe nga avantazhet ekonomike të Amerikës në energjinë e pastër. Kjo e dëmton qëndrimin gjeopolitik të Shteteve të Bashkuara si një udhëheqës botëror dhe hap derën për Kinën dhe të tjerët, që ta zënë këtë hapësirë. Tërheqja nga marrëveshja ka shtuar ndjenjën e pasigurisë globale dhe ka transformuar Shtetet e Bashkuara, nga një udhëheqës botëror, në një forcë të paparashikueshme e të paqëndrueshme.

Ky veprim mund të shihet si një ftesë për vendet e tjera që të ndjekin shembullin e Amerikës. Për vendet e pasura me naftë në Lindjen e Mesme, ekonomitë e të cilave varen nga lëndët djegëse fosile, tërheqja nga një marrëveshje e detyrueshme për përdorimin e teknologjive më të pastra dhe më të kushtueshme është lajm i mirëpritur. Masa e Trumpit gjithashtu vë në rrezik agjenda vullnetare, të tilla si “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2015”, bashkë me mekanizmat e tyre të financimit.

(Maha Yahya – Drejtore e Carnegie, Lindja e Mesme)

Marrë nga Carnegie Europe – Në shqip nga bota.al.

Leave a Reply

Back to top button