Covid19MAIN

A janë një ide e mirë “pasaportat e imunitetit”?

Vaksinimet kundër Covid-19 janë duke u zhvilluar në Angli, dhe së shpejti do të vijojnë edhe në vende të tjera të botës. Ky është një lajm i shkëlqyer, por ky është vetëm fillimi i një programi të gjatë që mund të shtrihet deri në mesin e vitit që vjen, dhe ndoshta më tej akoma. Por,ndërkohë numri i njerëzve të mbrojtur nga Covid-i simptomatik do të rritet në mënyrë të vazhdueshme,teksa do të vaksinohen më shumë njerëz.

Ekonomitë do të rifillojë që të hapen dalëngadalë. Ideja e “pasaportave të imunitetit”- dokumente që vërtetojnë nëse dikush është vaksinuar nga Covid, apo është prekur dhe shëruar nga kjo sëmundje, dhe që mund të përdoren për të lejuar hyrjen në një vend ose institucion – është debatuar gjatë gjithë këtij viti.

Disa qeveri e kanë miratuar tashmë këtë koncept. Pasaportat e imunitetit u diskutuan për herë të parë në fillim të pandemisë, kur tek njerëzit që i mbijetonin Covid-19, po shihej se kishin prova të antitrupave ose qelizave T, ose të dyjave bashkë, që ishin specifike për virusin.

Tani e dimë që vaksinat mund të nxisin imunitet mbrojtës, duke nisur një përgjigje të hershme ndaj një pjese të koronavirusit. Gjithsesi, të dhënat mbi njerëzit e mbrojtur pas vaksinimit nuk janë bërë nde publike. Dhe ato janë të rëndësishme, pasi nëse kuptohen elementët kryesorë për mbrojtje, nuk mund ta monitorojmë në mënyrë efektive imunitetin.

Ne duhet të dimë se si mund të monitorojmë imunitetin, për të filluar të kuptojmë se kush ka gjasa të jetë i sigurt, dhe për sa kohë pas vaksinimit. Pa këtë, pasaportat e imunitetit ose ekuivalenti i tyre, mund të na tregojnë vetëm kohën kur dikush është vaksinuar ose infektuar, por jo nëse ata janë ende të mbrojtur.

Ndërkohë, duke supozuar që nëse bartim të gjitha shenjat e imunitetit mbrojtës mund ta konsiderojmë veten të sigurt, çfarë do të thotë kjo për të tjerët rreth nesh? Një pasaportë efektive e imunitetit, mund të jetë shumë tërheqëse për aktivitete të tilla si fluturimi, shkuarja në teatër, restorante, bare dhe klube.

Por synimi kryesor i vaksinave, është të zvogëlojnë mundësinë e sëmundjes së rëndë për personin e vaksinuar, dhe të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes nga Covid-19. Dhe kjo gjë është e mundur, pasi vaksinimi nxit një përgjigje të shpejtë imune kur infektohemi me virusin, pasi sistemi ynë është përgatitur tashmë nga vaksina.

Një përgjigje e hershme, e zvogëlon gjithashtu kohën e infektimit të njerëzve, dhe kjo nga ana tjetër, mund të zvogëlojë kohën kur po “derdhim” në ambientin përreth virusin infektiv. Gjithsesi, njerëzit e vaksinuar mund të transmetojnë ende infeksionin.

Ndaj duhet të mblidhen ende prova, për të përcaktuar nëse vaksinat mund të japin imunitet sterilizues, dhe të eliminojnë transmetimin. Testet e vaksinës Oxford-AstraZeneca, mund të kenë gjithashtu të dhëna që e adresojnë këtë pyetje, por ato nuk janë raportuar ende.

Në këto kushte, për të mbrojtur ata që janë përreth nesh, do të duhet të vazhdojmë të mbajmë një maskë dhe të ruajmë distancën edhe pasi të jemi vaksinuar, derisa vaksinat të bëhen të disponueshme për të gjithë, ose derisa të kuptojmë se kush mund të mbrohet.

Të qenit i mbrojtur personalisht pas vaksinimit të suksesshëm, nuk na heq nga përgjegjësia shoqërore për të tjerët. Dhe këtu vjen pjesa e mirë:kur vaksinimi të arrijë në mbi 70-80 për qind të popullsisë, virusi nuk do ketë më se ku të fshihet.

Kjo është mënyra se si njerëzimi zhduku dikur sëmundjen e lisë, ashtu siç janë zvogëluar rastet e poliomielitit, ashtu siç mund të eleminojmë SARS-CoV-2, si një kërcënim për njerëzimin. Edhe në mungesë të një imunitetit sterilizues, zvogëlimi i ngarkesave virale dhe kohëzgjatja e infeksionit tek njerëzit e vaksinuar do të ndihmojnë në uljen e transmetimit. / The Conversation – Bota.al

Back to top button