Kulture

A ka kuptim të flasim për raca njerëzore?

Nga pikëpamja shkencore ndarja racore nuk qëndron. Migrimet e paraardhësve tanë, kanë përzier gjenet…

screen-shot-2016-12-13-at-7-20-10-am

Jo, termi racë nuk është shkencor:njerëzit nuk kanë qenë të izoluar gjeografikisht për një kohë të aq gjatë, sa të krijonin variacione të veçanta gjenetike. Njeriu ka qenë gjithnjë në lëvizje të vazhdueshme, dhe varietetet vazhdojnë të përzjehen me njëra-tjetrën. Siç ka dëshmuar gjenetisti Luka Kavalli-Sforca, që ka shkatërruar bazën biologjike të konceptit të racës, qytetërimet nuk janë struktura të mbyllura e të izoluara.

Gjene të përbashkëta

Ngjashmëria gjenetike e njerëzimit, është fryt i përbashkësisë së paraardhësve të fundit dhe emigrimit, të cilat diktuan bashkimet dhe shkëmbimet e gjeneve midis individëve nga zona të ndryshme gjeografike. Karakteristikat mbizotëruese fizike të popullatave të caktuara, mbështeten ndërkohë mbi një numër shumë të vogël gjenesh, dhe janë përzgjedhur nga kushtet mjedisore.

Racizmi vs shkencës

Riçard Levontin, ishte gjenetisti i parë që përgënjeshtroi pa asnjë hije dyshimi mitin e ekzistencës së racave të ndryshme njerëzore. Megjithatë, kur u pyet nëse ai besonte tek raca, përgjigjja e tij ishte:”Sigurisht, racat ekzistojnë”. Vetëm për të treguar më pas me dorë kokën e vet dhe shtuar:”Ato janë të gjitha këtu”. Natyrisht, ai po i referohej imagjinatës tonë:”vendi” i vetëm, ku dallimet sipërfaqësore midis popullatave të ndryshme të njeriut, merren ende seriozisht. Pra, pse përballë provave kaq kokëforta, e kemi ende të vështirë ta braktisim këtë paragjykim?

Arsye historike

E lindur nga nevojat politike në botën post-koloniale, e diskutuar gjithmonë në çdo disiplinë dhe vazhdimisht e nënshtruar ndaj shqyrtimit shkencor, ideja se specia njerëzore është e ndarë në raca, të kuptuara si grupime brenda species sonë, secila me tipare të dallueshme fizike dhe një sjellje të mirë-përcaktuar, nuk është e provuar në asnjë mënyrë me instrumente shkencore.

Por është një ide e pamundur për t’u çrrënjosur nga mendjet tona, ndonëse sot një shumicë e madhe brenda komunitetit shkencor (dhe më gjerë), pajtohet se bëhet fjalë për një gënjeshtër. Si të thuash faji mund të jetë i historisë sonë kulturore dhe evolutive; me sa duket, një trashëgimi me rrënjë shumë të thella sa për t’i ç’rrënjosur me fuqinë e arsyes.

Ndarje të kota

Dallimet, të dukshme dhe të pamohueshme, mes grupeve njerëzore që popullojnë zona të ndryshme të globit kanë ekzistuar që në fillesat e species sonë; ideja që këto dallime fizike, rezultat i përshtatjeve ndaj mjedisit, të përfshinin dallime shumë të thella psikologjike dhe të sjelljes, deri në pikën e të qenit në gjendje për të bëRë dallimin (dhe renditjen) e popullatave të ndryshme në botë, ka lindur në fund të shekullit XV, kur kolonializmi e çoi njeriun perëndimor, dhe nevojën e tij për të dominuar në çdo cep të botës.

Kaluan dy shekuj, dhe antropologët më të mëdhenj të kohës filluan të fiksohen me katalogimin e supozuar të racave, dhe të shpiknin një kriter të vlefshëm e universal për t’i dalluar ato nga njëra-tjetra. Rezultati? Asgjë prej gjëje. Ndërsa komuniteti shkencor debatonte mbi hiçin, ideja e “racës” qe bërë tashmë motori më i fuqishëm i ekonomisë së re koloniale.

Për shembull, trajtimi që iu rezervua popullatave të zhvendosura të Afrikës në Shtetet e Bashkuara për t’i reduktuar ato në skllavëri, ishte rezultat i drejtpërdrejtë i përkatësisë së tyre në një tjetër racë, që konsiderohej intelektualisht inferiore. Në shekullin XVIII, intelektualë nga e gjithë bota iu referuan të ashtuquajturës shkallë natyrale, rendi natyror (hierarkisë) së të gjitha llojeve të gjalla, dhe i renditën popullatat e Afrikës një shkallë më poshtë se sa e jona. 

Forcimi i këtyre stereotipeve në kulturën popullore, edhe falë propagandës së zgjuar të gjithë klasës intelektuale të kohës, çoi në fund në miratimin e ligjeve (fillimisht në SHBA dhe Britaninë e Madhe) që ishin kundër martesave të përziera.

“Paterica” shkencore pa asnjë bazë

Antropometria, studimi dhe katalogimi i masave dhe i përmasave të trupit të njeriut, u bë “paterica” shkencore për t’u mbështetur:çdo racë mund të përcaktohej nga një grup i veçantë shifrash dhe statistikash, një ide që nuk mbante parasysh ndryshimet nga një brez në tjetrin, dhe që eleminonte në total nga diskutimi ndryshueshmërinë e qartë brenda së njëjtës “racë”.

Mjafton të përsëriten studimet me njërin sy ndaj këtyre detajeve, për të kuptuar se si antropometria ishte bazuar mbi asgjënë:në fillim të shekullit XX, Franz Boas botoi studime që tregonin sa dallime kishte ndërmjet një brezi dhe një tjetri të të njëjtës “race”, dhe se sa vlerat mesatare të parametrave të caktuar, ndryshonin pjesërisht me kalimin e brezave. Pastaj erdhi kthesa:rizbulimi i ligjeve mendeliane mbi trashëgiminë, i hapi rrugë kërkimeve mbi tiparet pastërtisht gjenetike, të dobishme për të dalluar racat mes tyre. Por edhe gjenetika nuk arriti të gjejë lidhjet midis racave dhe gjeneve.

Të njëjtat gjene

Sot që e njohim mirë ADN-në tonë, e kuptojmë që dallimet tona nuk janë gjë tjetër veçse nuanca në terma gjenetike. Ajo çka na ndan nga qeniet e tjera njerëzore, është një përqindje e vogël e gjenomës:mesatarisht, çdo person është biokimikisht i ngjashëm me çdo njeri tjetër në planet në 99.5 përqind të saj, një përqindje e ndryshueshme në varësi të distancës.

Përveç kësaj, “çdo popullatë përmban pothuajse 90 përqind të variablave gjenetikë (d.m.th të gjitha variantet e gjeneve të ndryshme) të species sonë”; prandaj vendosja e kufijve është diçka e kotë. Nuk vlen as kundërshtimi i atyre që i krahasojnë racat e supozuara njerëzore, me ato të qenve apo kuajve:”Këto raca janë shumë më të ndryshme nga njëra-tjetra, se sa janë ato të njeriut.

Të gjitha racat e qenve, në veçanti, janë zgjedhur për t’i bërë ato, si të thuash, “homozigotë” në krahasim me disa gjene, të cilat janë të pranishme vetëm në atë racë dhe e përcaktojnë atë”, ndërsa në mesin e njerëzve ndryshueshmëria gjenetike është më e madhe. Pra racat ekzistojnë në fakt vetëm në kokat tona:ndarja e racave është një zakon njerëzor që shkon prapa në kohë, së paku që nga athinasit e shekullit V P.E.S, që e ndanin botën në “grekë” dhe “barbarë”.

Vizioni bipolar “ne dhe ata”, është i përbashkët në shumë kultura, dhe një realitet psikologjik që sipas disave ka rrënjë të thella në historinë tonë evolutive. Sipas kësaj pikëpamjeje, ideja e racës e ka origjinën në mesin e gjuetarëve-mbledhës:”Pra një shoqërie, në të cilën është themelore t’ia dalësh të klasifikosh menjëherë dikë që nuk e njihni, si një aleat apo armik”. Kjo tregon se pavarësisht sa të fortë kërkojnë të na shfaqen, racistët janë të tillë mbi të gjitha për shkak të frikës. / Focus – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button