Your Life

A kanë sekrete NJEREZIT e PAREZISTUESHEM? Sigurisht që po! Ja 11 prej tyre

Screen Shot 2016-06-21 at 07.59.37TRAVIS BRADBERRY

Author i Inteligjenca Emocionale 2.0”

Disa njerëz, pavarësisht asaj që u mungon – paratë, pamja, apo lidhjet shoqërore – gjithmonë rrezatojnë energji dhe vetëbesim. Edhe individët më skeptikë e gjejnë veten të dashuruar pas këtyre personaliteteve sharmantë. Dhe pyesin: “Cfarë kanë ata që unë nuk e kam? Cfarë i bën kaq të parezistueshëm?”

Dallimi? Ndjesia e tyre e vetëvlerësimit vjen nga brenda. Njerëzit e parezistueshëm nuk janë në kërkim konstant për vlefshmëri, sepse e kanë vetëvlerësimin për ta gjetur vetë. Ka disa zakone që ata i ndjekin përditë, për të ruajtur këtë perspektivë të shëndetshme. Ja disa prej tyre.

Ata e trajtojnë KEDO me respekt.

Qoftë kur nvërveprojnë me klientin e tyre më të madh, apo një kamarier që merr porosinë, njerëzit e parezistueshëm janë tejet të sjellshëm dhe respektues. Ata e kuptojnë që – pavarësisht se sa të mirë janë me personin me të cilin po drekojnë – e gjitha është e kotë, nëse ai person i sheh duke u sjell keq me dikë tjetër. Njerëzit e parezistueshëm e trajtojnë këdo me respekt, sepse ata besojnë që nuk janë më të mirë se gjithë të tjerët.

2. Ata ndjekin rregullin e platinit

Rregulli i artë – trajtoi të tjerët ashtu si do të doje të të trajtonin dhe ty – ka një të metë fatale: Ai supozon se të gjithë njerëzit duan të trajtohen njësoj. Ai injoron faktin që njerëzit motivohen prej gjërave shumë të ndryshme. Një njeri dëshiron shumë të ketë pranim dhe njohje publike, ndërkohë që një tjetër e urren të jetë në qendër të vëmendjes. Rregulli i platinit – trajtoji të tjerët ashtu si ata duan të trajtohen – e korrigjon atë të metë. Njerëzit e parezistueshëm janë shumë të mirë në leximin e të tjerëve, dhe ata e përshtasin sjelljen dhe stilin për t’i bërë të tjerët të ndihen rehat.

3. Ata shmangin muhabetet e kotë

Nuk ka mënyrë më të sigurtë për të parandaluar krijimin e një lidhjeje emocionale gjatë një bisede, se sa duke u kapur pas muhabeteve të vegjël e të kotë. Kur në mënyrë robotike u qasesh njerëzve me kësi muhabetesh, kjo e vendos trurin e tyre në “autopilot” dhe i pengon që të kenë një afrimitet real me ty. Njerëzit e parezistueshëm krijojnë lidhje dhe gjejnë thellësi edhe në bisedat e shkurtëra të përditshme. INteresi i tyre i sinqertë tek të tjerët ua bën të lehtë që të bëjnë pyetje të mira, si dhe të lidhin atë që u thuhet me aspekte të tjerë të rëndësishëm të jetës së folësit.

4. Ata fokusohen tek njerëzit, më shumë se në çdo gjë tjetër

Njerëzit e parezistueshëm kanë një interes autentik tek ata që janë rrotull tyre. Si rezultat, ata nuk kalojnë shumë kohë duke menduar për veten. Ata nuk fiksohen se sa shumë pëlqehen, sepse janë shumë të zënë duke u fokusuar tek njerëzit me të cilën janë. Kjo e bën parezistueshmërinë e tyre të duket kaq e lehtë. Që ta kesh edhe ti këtë zakon, përpiqu të heqësh telefonin dhe të fokusohesh tek njerëzit me të cilët rri. Fokusohu në atë që ata thonë, jo cila do të jetë përgjigja jote, apo se si ajo që ata po thonë do të të prekë ty. Kur njerëzit të thonë diçka për veten e tyre, vazhdo me pyetje për t’i tërhequr edhe më shumë në bisedë.

5. Ata nuk mundohen shumë

Njerëzit e parezistueshëm nuk e dominojnë bisedën me histori, se sa të mençur dhe të suksesshëm janë. Jo se i rezistojnë nevojës për t’u mburrur. Mendimi as nuk u kalon nëpër mendje atyre, sepse ata e dinë sa të papëlqyeshëm janë ata njerëz që mundohen shumë t’i bëjnë të tjerët që t’i pëlqejnë.

6. Ata e njohin dallimin mes faktit dhe opinionit

Njerëzit e parezistueshëm i përballojnë me hijeshi dhe vetëpërmbajtje bisedat që kanë tema të debatueshme. Ata nuk tërhiqen që të mos ndajnë opinionet e tyre, por e bëjnë të qartë se janë opinione dhe jo fakte. Qoftë kur diskutojnë për ngrohjen globale, politikën, vaksinat apo ushqimet OMGJ, njerëzit e parezistueshëm pranojnë se shumë njerëz që janë po aq inteligjentë sa ata, i shohin gjërat ndryshe.

7. Ata janë origjinalë

Njerëzit e parezistueshëm janë ata që thonë se janë. Askujt nuk i duhet të harxhojë energji apo fuqi të mendjes, në përpjekje për të hamendësuar axhendën e tyre, apo parashikuar se çfarë do të bëjnë. Ata veprojnë kështu sepse e dinë që askujt nuk i pëlqen një njeri fals. Njerëzit tërhiqen nga njerëzit origjinalë, për arsye se e dinë që atyre mund t’i besojnë. Eshtë e lehtë t’i rezistosh dikujt, kur nuk e di se cili është ai në të vërtetë dhe si ndihet ai në të vërtetë.

8. Ata kanë integritet

Njerëzit me integritet të lartë janë të parezistueshëm, sepse thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë. Integriteti është koncept i thjeshtë, por në praktikë është një gjë shumë e vështirë. Që të demonstrojnë integritet përditë, njerëzit e parezistueshëm ecin përpara, shmangin të folurit keq për të tjerët, dhe bëjnë gjënë ë eudhur, edhe kur kjo lëndon.

9. Ata buzëqeshin

Njerëzit në mënyrë të natyrshme (dhe të pavetëdijshme) pasqyrojnë gjuhën e trupit të personit me të cilin po flasin. Nëse do që për njerëzit të jesh i parezistueshëm, buzëqesh gjatë bisedave me ta, dhe ata në mënyrë të pavetëdijshme do të ta kthejnë nderin dhe do të të bëjnë të ndihesh mirë.

10. Ata përpiqen të jenë gjithmonë në më të mirën e tyre

Ka një dallim të madh mes të qënurit i parezistueshëm dhe të qënurit i vetëkënaqur. Njerëzit e parezistueshëm e kuptojnë se të përpiqesh për t’u dukur në më të mirën tënde, është e krahasueshme me pastrimin e shtëpisë para se të të vijnë njerëz – është një shenjë respekti për të tjerët. Por pasi bëhen të prezantueshëm, ata pushojnë së menduari për atë gjë.

11. Ata gjejnë arsye për ta dashuruar jetën

Njerëzit e parezistueshëm janë pozitivë dhe pasionantë. Ata nuk janë kurrë të mërzitur, sepse e shohin jetën si një aventurë të mrekullueshme, dhe i qasen asaj me një gëzim të madh, dhe njerëzit e tjerë duan gjithmonë të jenë pjesë e këtij gëzimi.

Jo se njerëzit e parezistueshëm nuk kanë probleme – edhe të mëdhenj madje – por ata u qasen problemeve si pengesa të përkohshme, dhe nuk i shohin si fatalë. Kur gjërat shkojnë keq, ata i kujtojnë vetes se një ditë e keqe është vetëm një ditë, dhe vazhdojnë të shpresojnë se e nesërmja, apo java tjetër, apo muaji tjetër do të jenë më mirë./inc.com – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button