BotaMAIN

A mund të blihet një shtet?

SHBA-të propozojnë formula juridike të ndërlikuara për të marrë kontrollin e një “aseti strategjik”. Nga ideja e blerjes së ishullit te traktatet, ja çfarë duhet ditur për një aneksim të pamundur

Donald Trump po e provon prej vitesh. Në gusht të vitit 2019, gjatë mandatit të tij të parë, ai donte të “blinte Groenlandën”. Një ide e cilësuar si “absurde” dhe e refuzuar pa ekuivok nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen. Gjashtë vjet më vonë, ai këmbëngul, duke ndryshuar strategjinë, por jo objektivin: të sigurojë kontrollin e ishullit “për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Sipas asaj që raporton The Economist, Uashingtoni do të dëshironte t’i ofronte Nuuk-ut një COFA – Compact of Free Association (Traktat i Asociimit të Lirë), një marrëveshje që SHBA-të tashmë e kanë në fuqi me disa shtete të vegjël të Paqësorit.

  1. Çfarë përmban traktati që SHBA-të do t’i propozonin Nuuk-ut?

COFA është një marrëveshje ndërkombëtare përmes së cilës Shtetet e Bashkuara rregullojnë marrëdhëniet me një shtet sovran. Në praktikë, Uashingtoni i garanton atij shteti autonomi të plotë për çështjet e brendshme dhe e njeh si të pavarur, por merr përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen dhe sigurinë e jashtme, si edhe ofron ndihmë financiare.

Në këmbim, SHBA fitojnë të drejtën të përdorin territorin e atij shteti për qëllime strategjike, për shembull për vendosjen e bazave ushtarake. Ky lloj pakti është nënshkruar me shtete të vegjël ishullorë të Paqësorit, Mikronezinë, Ishujt Marshall dhe Palau, ish-territore nën administrim amerikan pas Luftës së Dytë Botërore, dhe daton nga gjysma e dytë e viteve ’80.

  1. A është juridikisht e mundur që Nuuk të nënshkruajë një traktat të tillë dhe të kalojë nën kontrollin e SHBA-së?

Sipas të drejtës ndërkombëtare, jo.

“Groenlanda nuk është një shtet sovran, por pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, shpjegon ekspertja e qeverisjes ndërkombëtare Ekaterina Antsygina, nga Universiteti i Hamburgut. “Statusi i Groenlandës brenda Mbretërisë së Danimarkës është i rrënjosur fort në të drejtën ndërkombëtare. Sovraniteti danez mbi ishullin është mbështetur vazhdimisht përmes një ushtrimi paqësor dhe të pandërprerë të autoritetit, përmes pranimit të heshtur nga shtetet e tjera dhe njohjes në forumet ndërkombëtare.”

Sipas saj, deklaratat e Presidentit Trump, megjithëse provokuese, injorojnë themelet solide juridike të sovranitetit danez mbi Groenlandën. Për më tepër, ndonëse ishulli gëzon autonomi të gjerë sipas Ligjit për Vetëqeverisjen të vitit 2009, e drejta e tij për vetëvendosje garanton që çdo hap drejt pavarësisë duhet të jetë një vendim demokratik i popullit groenlandez, një vendim që, për momentin, nuk është marrë.

Me fjalë të tjera: negociimi i drejtpërdrejtë me Nuuk-un për një marrëveshje sigurie që përjashton Kopenhagenin “nuk ka bazë ligjore”.

  1. Pse Stephen Miller gabon kur e përkufizon Groenlandën si “koloni daneze”?

“Të përkufizosh Groenlandën si ‘koloni’ është sot juridikisht e pasaktë dhe politikisht keqorientuese.”

Groenlanda ka fituar: Home Rule në vitin 1979; Self-Government në vitin 2009,

me njohjen e qartë të së drejtës për vetëvendosje dhe për zgjedhjen e një pavarësie të mundshme në të ardhmen.

“Të përshkruash Groenlandën si koloni injoron evolucionin kushtetues të ishullit dhe shtrembëron të drejtën ndërkombëtare. Marrëdhënia mes Groenlandës dhe Danimarkës është sot ajo e një territori autonom brenda një shteti sovran, jo e një zotërimi kolonial.”

  1. Sot Trump mendon për një traktat, por në vitin 2019 donte ta blinte Groenlandën. Një tjetër ide e çuditshme?

“Po, por me disa ‘por’”, shpjegon Geraldine Giraudeau, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Perpignan-it.

E drejta ndërkombëtare nuk e ndalon në mënyrë absolute blerjen e territoreve. Historikisht ka pasur raste të dorëzimit të territoreve kundrejt pagesës (Luiziana nga Franca te SHBA-të në vitin 1803, Alaska nga Rusia në vitin 1867).

Megjithatë, sot një transaksion i tillë do të kërkonte pëlqimin e të gjitha palëve të përfshira. Në rastin e Groenlandës, kjo do të thotë marrëveshja si e Danimarkës, ashtu edhe e vetë Groenlandës, një kusht që qartazi nuk ekziston.

  1. SHBA-të janë tashmë të pranishme ushtarakisht në Groenlandë. Pse atëherë Trump interesohet kaq shumë për ishullin?

Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një prani ushtarake në Groenlandë me Pituffik Space Base (ish-Thule), një infrastrukturë strategjike kyçe për paralajmërimin e hershëm raketor, mbrojtjen kundërraketore dhe mbikëqyrjen hapësinore.

“Për Uashingtonin, Groenlanda është një aset strategjik”, shpjegon Justina Budginaite-Froehly, studiuese pranë Europe Center të Atlantic Council, sepse pozicioni i saj gjeografik “e vendos drejtpërdrejt mbi GIUK Gap”, korridori midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, thelbësor për monitorimin e nëndetëseve ruse, dhe potencialisht kineze, që hyjnë në Atlantik.

Ajo paralajmëron se të ndalesh vetëm te dimensioni juridik nuk mjafton: “Ligjshmëria, e vetme, nuk krijon siguri”. Rreziku i vërtetë nuk është një aneksim formal, por “mundësia e ushtrimit të presionit nga fuqi të jashtme në një zonë strategjikisht të pambrojtur”.

“Nëse Europa dëshiron të sigurojë që asnjë fuqi e jashtme, as SHBA-të, as Rusia, as Kina, të mos mendojë realisht se mund të ushtrojë presion mbi Groenlandën, atëherë duhet të përqendrohet më pak te protestat dhe më shumë te hapat e saj strategjikë”.

“Groenlanda nuk është në shitje, por as nuk duhet lënë e ekspozuar. Nëse Europa nuk merr përsipër përgjegjësinë për sigurinë e saj në Veri, të tjerë do ta bëjnë këtë në vend të saj, duke ndjekur prioritetet e veta strategjike.” / bota.al

Back to top button