
Në njëfarë kuptimi, po. Sepse perceptimi ynë për kohën është relativ dhe i nënshtrohet një lloj “kronometri të brendshëm” më shumë sesa akrepave të orës. Dhe kjo vlen si për përvojat që përjetojmë, ashtu edhe për mënyrën se si shohim imazhe, siç dëshmon një studim i fundit i një grupi neuroshkencëtarësh nga George Mason University (SHBA), botuar në Nature Human Behaviour.
Në thelb, kur ndodhemi përballë një imazhi që për ne ka kuptim emocional ose është jashtëzakonisht mbresëlënës, mendja jonë e përpunon informacionin pamor në një mënyrë të tillë, që koha na duket sikur ngadalësohet, ose më saktë, sikur “zgjerohet”.
Kujtime të gjalla
Sipas neuroshkencëtarit kognitiv Martin Wiener, koordinator i kërkimit (bazuar në teste mbi 170 vullnetarë), imazhet që na magjepsin më shumë, zakonisht ato të mëdha, të ndritshme dhe me pak detaje (në kontrast me ato kaotike dhe të çrregullta), janë gjithashtu më të lehta për t’u mbajtur mend dhe për t’u rikujtuar edhe pas shumë kohësh.
Në thelb, një pamje që na prek, ngadalëson perceptimin tonë për kohën dhe lë gjurmë më të thella në kujtesë, si të ishte një copëz kohe që mbetet pezull midis realitetit dhe emocioneve tona. / bota.al





