Bota

A po e shpëtojnë Rusinë sanksionet ekonomike?

Screen Shot 2015-10-16 at 08.49.07

Nga Richard A. Werner, Vladimir I. Jakunin

Moskë- Sanksionet ekonomike, të vendosura ndaj Rusisë nga ana e Perëndimit në mars të vitit 2014, kanë qenë padyshim të dhimbshme. Por ato kanë dështuar deri tani të përmbushin synimin e dobësimit të pozitës së presidentit Vladimir Putin. Në fakt, ato mund të kenë shkaktuar efektin e kundërt, duke e bërë Rusinë – dhe presidentin e saj – edhe më të fortë se më parë.

Vendet e Bashkimit Evropian vlerësohet të kenë humbur rreth 100 miliardë dollarë nga tregtia me Rusinë, duke goditur rëndë fermerët bavarezë që prodhojnë qumësht, apo dhe eksportuesit industrialë gjermano lindorë. PBB-ja ruse, që u rrit në mënyrë modeste në vitin 2014, u tkurr me 4.6 përqind në terma vjetorë, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti.

Rubla humbi më shumë se gjysmën e vlerës ndaj dollarit, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, duke ushqyer inflacionin, i cili u rrit me 15.6 përqind në një vit, nga korriku 2014 në korrikun e këtij viti. Por inflacioni tashmë duket se ka mbërritur kulmin, dhe efektet e rënies së çmimeve të naftës dhe gazit, u zbutën nga vlerësimi i dollarit amerikan, kështu që rezervat në valutë të huaj të Rusisë u rritën, duke arritur në 362 miliardë dollarë në muajin qershor (13 përqind e të cilave në ar). Dhe pavarësisht shtërngimit të rripit në Rusi, Putini është më popullor se kurrë.

Arsyeja prapa sanksioneve ekonomike është e drejtpërdrejtë:tregtia dhe tregjet e lira japin rritje ekonomike (për pasojë edhed mbështetje politike për qeverinë), ndërsa kufizimet e mbysin rritjen (dhe kësisoj e dëmtojnë mbështetjen ndaj qeverisë). Përqëndrimi tek tregtia dhe tregjet e lira, ishte një parim qëndror i ekonomisë klasike britanike në shekullin XIX-të.

Ajo mbetet një mesazh thelbësore i shkollës së sotme dominuese neoklasike –  e mishëruar në të ashtuquajturin “Konsensusi i Uashington” i zbatuar në të gjithë botën nën këshillën e Fondit Monetar Ndërkombëtar – që pretendon se elementët kyç për zhvillimin ekonomik janë hapja e ekonomisë, heqja e kontrollit, liberalizimi dhe privatizimet.

Por teoria në thelb është me të meta. Asnjë fuqi ekonomike, nuk është zhvilluar gjithnjë vetëm në bazë të politikave liberale të laissez-faire (ndërhyrja minimale e qeverisë në sektorin privat). Për shembull, rritja ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar, ishte shumë e ndërvarur nga strategjia e mbrojtjes, politikat industriale, tarifat, dhe barrierat jo-tarifore mbi tregtinë.

Kapacitetet industriale të Mbretërisë së Bashkuar e patën origjinën tek industria e tekstilit. Udhëheqësit e vendit  e kuptuan, se eksporti i lëndëve të para, kryesisht leshit, do të ishte i pamjaftueshëm për të nxitur zhvillimin ekonomik. Prandaj, Anglia do të duhet të rriste vlerën e shtuar, me importimin e lëndëve të para dhe mallrave për eksport.

Pra liderët e Anglisë hartuan një politikë industriale, e cila i izoloi prodhuesit e tjerë evropianë të tekstileve, duke garantuar ekspertizë profesionale për firmat britanike. Për më tepër, ata ngritën barriera tregtare:duke ndaluar eksportin e leshit dhe importin e produkteve të gatshme të tij, tekstilet indiane, të cilat ishin shpesh të një cilësie më të lartë dhe me një kosto më të lire, por nuk mund të konkurronin me prodhim vendas.

Ata përdorën ligjet e lundrimit, që kufizonin qasjen e anijeve të huaja në portet britanike, dhe madje miratuan një ligj që të vdekurit të varroseshin me rroba të leshta. Së fundmi, mekanizimi i industrisë së tekstilit, shkaktoi revolucionin industrial dhe prodhimin masiv, ndërsa eksportet mbështetën zhvillimin e flotës detare më të madhe në botë.

Në mesin e shekullit XIX-të, ekonomisti gjerman Friedrih List vuri në dukje rolin, që politika të tilla patën në zhvillimin e Britanisë së Madhe. Në përputhje me këshillën e tij, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia zbatuan politika të zgjuara tregtare dhe të mbrojtjes industriale, ndërsa punuan fort për të mbështetur në mënyrë aktive sektorët e sapolindur – Kjo strategji iu mundësoi këtyre vendeve, të zhvillohen me shpejtësi dhe madje të tejkalojnë Britaninë.

Kufizimet ndërkohë janë provuar si efektive në nxitjen e zhvillimit ekonomik:Në vitin 1812, kur  Britania e Madhe i shpalli luftë dhe vendosi embargon ndaj tregtare në SHBA, zëvendësimi i importit shkaktoi lulëzimin e prodhimit amerikan. Kur embargoja u hoq dhe tarifat tregtare u reduktuan, manifakturat amerikane u rritën ndjeshëm deri në vitin 1828, kur tarifat e reja britanike mbi prodhimin e zhytën sërish në krizë këtë sektor në SHBA.

Po kështu, gjatë Luftës së Parë Botërore, embargoja britanike mbi tregtinë, nxiti zhvillimin e industrive gjermane të teknologjisë së lartë, për shkak të kërkesës për zëvendësues. Sigurisht, embargot mund të kenë një efekt shkatërrues, kur një vendi i mungojnë burimet e nevojshme për zëvendësimin e importit.

Kjo është arsyeja, pse sanksionet ekonomike ishin aq të dëmshme për Iranin, dhe më herët për popullin e Irakut.

Por, për një vend si Rusia, me burime natyrore të bollshme, ekspertizë teknologjike dhe fuqi punëtore të kualifikuar, sanksionet mund të japin efektin e kundërt. Bashkimi Sovjetik u përpoq mjaft për të përfituar mbi këta faktorë, për shkak të strukturës së rëndë të komunizmit. Përkundrazi sot Rusia ka një sistem kapitalist, që ofron përfitime të konsiderueshme për ata që u përshtaten mirë kufizimeve.

Me pak fjalë, Rusia zotëron çdo gjë që ka nevojë për të lulëzuar, pavarësisht ose për shkak të  sanksioneve. Por kthimi i mundësisë në realitet, kërkon  që Rusia të ndërmarë një transformim ekonomik. Teoria neoklasike tregtare, bazohet në konceptin e përparësisë krahasuese:vendet duhet të kapitalizojnë mbi fuqinë e tyre relative, nga kapacitetet teknologjike tek burimet natyrore. Por, sikurse e dinin udhëheqësit anglezë, dhe siç e ka dëshmuar përvoja e shumë vendeve të Afrikës dhe Amerikës Latine, eksportimi vetëm i lëndëve të para është e pamjaftueshëm për të sjellë zhvillim ekonomik.

Historikisht, politika më efektive e zhvillimit, është përqëndruar tek ndërhyrja e qeverisë për të vendodur vlerën më të lartë të shtuar për industritë vendase. Në dekadat e shkuara, Japonia, Tajvani, Korea e Jugut, dhe Kina, e kanë ndërmarrë këtë rrugë. Për Rusinë, lëvizja në këtë drejtim nuk do të jetë e vështirë;ajo i ka të gjitha për prodhimin e produkteve të gatshme të importuara më parë.

Në fakt, zëvendësimi i importit, ka rritur tashmë produktivitetin në disa sektorë kryesorë:inxhinieri, petrokimi, industrinë e lehtë, farmaceutikë, dhe bujqësi. Eksportet vjetore të mallrave me vlerë të lartë të shtuar, u rritën me 6 përqind në tremujorin e parë të këtij viti. Për më tepër, udhëheqja ruse ka përshpejtuar bashkëpunimin me ekonomitë e BRICS (Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut), dhe Putini ka lajmëruar së fundmi një plan ambicioz, për të rritur kërkesën e brendshme.

Sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, jo vetëm që mund të dështojnë të ndryshojnë situatën Ukrainë, por ato mund të nxisin transformimin e shumëpritur strukturor të vendit. Nëse Rusia sukses aplikon me sukses regjimin e kredive të kujdesshme dhe të orientuara, siç është përdorur me herët nga ekonomitë e Azisë Lindore, duke rritur ndërkaq efikasitetin menaxherial, është e mundur një mrekulli ekonomike.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Are Sanctions Saving Russia? – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button