Shendeti

Afërsisht 40% e shqiptarëve janë duhanpirës

Specialistët e shëndetit publik japin mesazhe sensibilizuese për jetë një të shëndetshme. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, rreth 39 për qind e shqiptarëve konsumojnë duhan. Nga këta 60 për qind janë meshkuj dhe 18 për qind janë femra.


Por një rritje të duhanpirjes ka edhe në moshat e reja, gati 11.5 për qind e 13-15 vjeçarëve pijnë duhan.”Rreth 39 % e qytetarëve konsumojnë duhan, 60 % meshkuj dhe 18 % femra, ndërkohë që duhanpirja në moshën 13-15 vjeç është 11.5 % që i përket klasave të 8 dhe të 9-ta, si dhe viti i parë i shkollës së mesme”, shprehet specialisti për duhanin në Institutin e Shëndetit Publik, Roland Shuperka.

Sipas tij, studimet te studentët e infermieristikës, stomatologjisë dhe mjekësisë, 4 në 10 prej tyre pijnë duhan. Shuperka më tej shton se studimet kanë treguar se të rinjtë që janë të ekspozuar ndaj duhanit në familje dhe në shoqëri kanë 90% më shumë mundësi të pijnë duhan sesa të rinjtë që nuk janë në situatë të tillë.

Specialisti i duhanit në ISHP shprehet se pirja e duhanit te moshat e reja rrit mundësinë që të krijojnë varësi nga nikotina dhe vazhdojnë të pijnë duhan edhe kur rriten. Duhanpirja tek fëmijët ndikon shumë në rritjen e mushkërive dhe mund të duket edhe tek vështirësia e frymëmarrjes që kanë ndërsa luajnë sporte të ndryshme.

Pjesa më e madhe e të rinjve që pijnë duhan duan ta lënë atë por kanë shumë vështirësi për ta lënë. Një studim i të rinjve ka treguar se 77% e duhanpirësve të rinj kanë bërë përpjekje për ta lënë duhanin por shumë pak prej tyre e kanë lënë. Varësia nga nikotina është më e madhe tek të rinjtë sesa tek të rriturit.

Të rinjtë mund të krijojnë varësi nga nikotina brenda disa javësh që pijnë dy tre cigare në ditë. /Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button