Shendeti

Ah sikur ta kuptonin të rinjtë e të moshuarit, se sa dëme i shkaktojnë organizmit të tyre nga pirja e duhanit…

Pirja e duhanit është kthyer tashmë në një ‘trend’. Nuk kalon dot nëpër lokale, ku të mos shohësh të rinj e të moshuar që konsumojnë cigare, shpesh duke menduar se po i bëjnë mirë shëndetit të tyre. Kënaqësia që marrin prej konsumit të duhanit, vlen më shumë se shëndeti dhe jetëgjatësia e tyre. Ah sikur ta dinin, të rinjtë e të moshuarit, se sa dëme i shkaktojnë organizmit të tyre nga pirja e duhanit…

Pirja e duhanit dëmton pothuajse çdo organ në trup, duke përfshirë zemrën, enët e gjakut, mushkëritë, sytë, gojën, organet riprodhuese, kockat, fshikëzën dhe organet e tretjes (sidomos stomakun dhe pjesën fillestare të zorrës së hollë). Ndaj, të ndaloni pirjen e duhanit është gjëja më e rëndësishme që ju mund të bëni për të shpëtuar nga sëmundjet e zemrës, si dhe sëmundje të tjera lokale dhe sistemike.

Për vite me radhë është vërtetuar se duhani është një nga shkaktarët  më të rëndësishëm për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Pirja e tij në mënyrë të drejtpërdrejt dëmton pjesën e brendshme të enëve të gjakut, e njohur me emrin shkencor si tunica intima. Posaçërisht kimikatet që gjenden në tymin e duhanit dëmtojnë funksionimin normal të zemrës dhe enëve të gjakut. Këto dëmtime rrisin rrezikun për aterosklerozë, pra depozitim të kolestrolit në tunicën intima të enëve të gjakut.

Ateroskleroza shkaktohet kur në murin e arterive bëhet depozitimi i yndyrave dhe grumbullim i pllakëzave, të cilat shkaktojnë ngushtim, madje edhe bllokim të enëve të gjakut. Kështu, në këtë mënyrë, pengohet dhe ndërpritet qarkullimi i gjakut në enët që furnizojnë zemrën me gjak.

Konsumimi i rregullt i duhanit shkakton edhe sëmundje koronare të zemrës, që zhvillohen nga ndërtimi i pllakave në arteriet koronare të zemrës. Me kalimin e kohës nga sëmundjet koronare të zemrës zhvillohen edhe dhimbjet e gjoksit (angina pectoris), ishemia dhe infarkti i miokardit.

Gjithashtu, nga konsumimi i rregullt i duhanit, shfaqen edhe sëmundjet e arterieve periferike, që zhvillohen nga krijimi i depozitave yndyrore në arteriet që bartin gjakun në kokë, zemër dhe gjymtyrë. Kështu, njerëzit të cilët janë të prekur nga sëmundjet e arterive periferike janë më të rrezikuar nga sulmi në zemër dhe tru.

Pirja e duhanit, është një faktor edhe më i madh rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, kur kombinohet me faktorë të tjerë si : hiperkolesterolemia, presioni arterial i lartë, alkooli dhe mbipesha ose obeziteti.

Ndaj, preferohet që të mundoheni të lini duhanin, ose të shmangni vendet ku pihet vazhdimisht duhani, në mënyrë që të shpëtoni nga sëmundjet e ndryshme të zemrës, trurit, stomakut, mushkërive, e në rastet me të rënda edhe nga vdekja. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button