Speciale

Ai bllof nuk është… njerëzor

Një studiues kanadez ka krijuar softuerin që fiton në poker. Për shkak se ia arrin të mashtrojë

Screen Shot 2016-03-02 at 09.09.30

Prej 40 minutash jam duke luajtur poker kundër Cepheus dhe po humb si një i mallkuar. Kundërshtari im, që më përlau 462 dollarë (virtualë), nuk është një domein i kazinove, por softueri (http:. //poker.srv Ualberta.ca/). Humb kundër një algoritmi, dhe nuk e di pse.

Ai që e krijoi është Majkëll Bauling, profesor i informatikës në Universitetin e Albertas në Kanada, që së bashku me Nil Barç, Majkëll Johanson dhe Oskari Tamelin, kanë publikuar rezultatet e studimit të tij në revistën shkencore ‘Science’.

“Revolucioni ka të bëjë me faktin, se në krahasim me lojrat e tjera si p.sh shahu, pokeri është i bazuar në papërsosmërinë e informacionit:nuk njihen letrat e kundërshtarit tuaj, dhe as ato që do të tregohen nga krupieri në tryezë, lëre më pastaj të dimë se cilët nga ata që kemi përballë do të hedhin letër, kush do të pranojë sfidën dhe kush do të thotë pas”.

Për këtë arsye, është e vështirë të shpikësh një makineri që të fitojë në poker. Nuk bëhet fjalë vetëm për të bërë llogari, si në shah, ku në vitin 1997 kompjuteri ‘Deep Blue’ mundi kampionin e botës Geri Kasparov. Në poker ka pak informacion, dhe faktori psikologjik është themelor, pasi mund të fitohet edhe duke pasur letra më të këqija falë bllofit, domethënë ta bësh kundërshtarin të mendojë se nuk mund të na mundë, duke luajtur këmbëngulur në ofertën tonë; dhe kësisoj duke e detyruar atë të braktisë lojën.

Llogaritja dhe intuita

Në bllofin, pokeri ka ndërtuar hijeshinë e vet, duke u shndërruar nga një kumar i pastër në një strategji, dhe duke lënë në hije lojëra të tjera me letra:nuk është rastësi që Xhejms Bond në ‘Casino Royale’, sfidon me poker (dhe jo më në lojën ‘bakarat’ si në romanin origjinal) të frikshmin LeChiffre.

Dhe pastaj është fati që në një orë të vetme vendos gjithçka. Ekzistojnë një sërë faktorësh, të cilët e bëjnë një lojë pokeri qartazi “njerëzore”:ndoshta për këtë arsye shumë lojtarë, madje edhe profesionistë, janë bestytë.  Ndaj dhe kryejnë para lojës rituale të ndryshme apo mbajnë hamajli të të gjitha llojeve. Bota e kësaj loje është e çuditshme:plot me eksese dhe llogaritje, psikologji dhe intuitë.

Bën jo pak përshtypje, në turnetë e mëdha, të shohësh tufa me dollarë (madje edhe miliona) pranë dy lojtarëve të fundit të mbijetuar, të “maskuar” me syze të errëta, veshje eksentrike dhe frokë me ngjyra, të lojtarëve që janë me gjasë profesionistë seriozë, të sponsorizuar nga faqet

online të pokerit, të cilat përballen në të njëjtën tryezë amatorët e fundit të së djelës. Për shkak se pokeri është shumë demokratik:për t’u regjistruar, madje edhe në kampionatin botëror, mjafton të paguash. Nuk ka nevojë që të ngjitësh gradualisht shkallët e karrierës, si në futboll.

Le të flasim për Texas

Pra si t’ia mësosh gjithçka një softueri? Bauling dhe bashkëpunëtorët e tij, iu drejtuan Texas hold’em, variantin amerikan të pokerit që prej kohësh ka pushtuar edhe italianët, dhe ku fati ka më pak rëndësi sesa në lojën tradicionale. Dhe pastaj ata përzgjodhën një specialitet të veçantë të Hold’em:quhet “heads- up limit” .

Kjo do të thotë se luhet vetëm me dy vetë, ballë për ballë (heads-up), dhe se kundër Cepheus shuma e basteve është e kufizuar (limits). Pra, “forca” e bllofit reduktohet, sepse s’mund të trembësh kundërshtarin duke vënë në lojë gjithçka që keni përpara. Pavarësisht nga kjo, kur luaj me të, programi sheh gjithmonë letrat e mia, dhe unë shpesh e braktis lojën, duke menduar se ai ka një dorë letrash më të mira se unë.

Pyetja që më përndjek është:ka vërtetë lojë apo po bllofon? “Për një kompjuter”- thotë Bauling, “është shumë e vështirë të kryejë lëvizjen më të mirë të mundshme, kur i mungon një pjesë e informacionit. E vetmja mënyrë për të krijuar një program fitues, është ta vësh të luajë kundër vetvetes dhe gjykojë gabimet e veta, deri kur të mësojë një strategji të zbatueshme në çdo situatë të mundshme, që përfshin edhe bllofin”.

Ajo që për një qenie njerëzore është keqardhja shpejt e harruar për një dorë të luajtur keq, algoritmi bëhet një statistikë:pasi ka ekspertimentuar qindra miliarda lojëra me veten e vet, Cepheus është në gjendje, në çfarëdo rrethanë, të marrë vendimin që në atë situatë të caktuar,  i jep shanset më të mëdha për të fituar.

Është gjithçka e lidhur me fatin?

Aspekti tjetër i rëndësishëm, është rasti kur mund të caktoni një dorë fituese një lojtari dhe jo një tjetri. Edhe Cepheus s’mund të bëjë asgjë; studioja jonë thotë në fakt se loja nuk është zgjidhur, jo për shkak se algoritmi është gjithmonë i pamposhtshëm, por për shkak se në një përiudhë afatgjatë, probabiliteti për të humbur kundër çdo lloj kundërshtari, është aq i papërfillshëm sa të bëhen të parëndësishme”.

Për të provuar të lehtësojnë peshën e fatit, studiuesit e Institutit të Psikologjisë dhe Kërkimeve Konjitive në Universitetin gjerman të Bremenit, përfshinë 300 lojtarë, amatorë dhe ekspertë, në një lojë në të cilën letrat u shpërndarë në mënyrë të planifikuar, për t’u dhënë të gjithëve të njëjtën mundësi, dhe rezultati ishte se ekspertët arritën të kufizojnë humbjet nga duart e dobëta, ndonëse nuk arritën të kapërcejnë në aspektin e fitimeve lojtarët e rastit, duke dëshmuar se rastisia ka më tepër peshë se sa përgatitja.

Por studimi u hodh poshtë nga komuniteti i lojtarëve të pokerit, pasi do të mbështej në një numër duarsh shumë të vogël, për të zbuluar atë që tregon edhe puna e Bauling:”fati” luan një rol në një periudhë afatshkurtër, por gjatë karrierës së gjatë ata që fitojnë janë lojtarët më të përgatitur dhe lojtarë më të kujdesshëm.

Dhe rëndësia e llogaritjes për të vlerësuar shanset e fitores në një dorë, shpjegon pse në vitet e fundit disa lojtarë të ndryshëm me një sfond shkencor, kanë pasur sukses në pokerin profesionist. Fizikanti teorik amerikan Majk Binxhër ka fituar deri më sot 7 milionë dollarë, anglezi Liv Bor ka fituar 2.5 milionë, pasi u diplomua në astrofizikë, dhe fizikanti hollandez Marsel Vonk ka fituar mbi 800 mijë dollarë.

Mendimi i kampionit

Majkëll Bauling dhe kolegët e tij e kanë zgjidhur  Texas hold’em limit, por pse kaq shumë përpjekje? “Aplikacionet e këtij kërkimi janë të shumta”- thotë shkencëtari. “Për shembull, algoritmi mund të përdorë strategji të ngjashme me ato të lojës për të planifikuar sigurinë e një aeroporti, apo për të ndihmuar mjekët të përcaktojnë strategjinë më të mirë të mundshme në fushat, në të cilat ekzistojnë kufij të gjerë pasigurie”.

Pastaj ai mund të ndihmojë tek financat, për të balancuar rreziku në lidhje me krijimin e një portofoli investimesh. Por në aspektin e lojës së pokerit, ekspertët heqin çdo lloj kufiri.

“Ky program merr në konsideratë përballjen mes dy lojtarëve dhe takime fikse”- thotë Xhonatan Duhamel, anëtar i ekipit profesionit PokerStars, i cili në karrierën e tij ka fituar pothuajse 13 milionë dollarë. “Por unë jam i sigurtë se është e pamundur të krijohet një program “matematikisht” fitues kur bastet janë të pakufizuara, ose në një turne normal me shumë lojtarë. Ka shumë ndryshore në lojë, që një softuer nuk mund t’i marrë dot në konsideratë.

në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button