Thenie

“Ai që pendohet për ato që ka bërë është dyfish i mjerë”. Disa thënie nga Spinoza, të thjeshta por shumë të thella

Shumë prej thënieve të Spinozës janë jashtëzakonisht të kthjellta dhe të fuqishme, kjo është arsyeja pse ato janë me ndikim të madh edhe sot e kësaj dite.

Frazat e Spinozës kanë karakteristikën unike të të qenit të thjeshta, por në të njëjtën kohë përfshijnë mësime të shkëlqyera. Diçka që vetëm mendjet e mëdha mund ta prodhojnë. Shumë filozofë, si Hegel dhe Schelling, e konsiderojnë atë babanë e mendimit modern. Në të njëjtën kohë, nëse bëhet një krahasim me prozën komplekse të këtyre filozofëve, vëzhgimet e tij janë të thjeshta dhe të arritshme për të gjithë.

  1. Spinoza dhe pendimi

Një nga frazat e Spinozës për keqardhjen dhe pendimin thotë: “Nuk pendohem për asgjë. Ai që pendohet për ato që ka bërë është dyfish i mjerë”. Për një njeri të shekullit të shtatëmbëdhjetë, kjo frazë ishte tërësisht revolucionare: shumë nga bashkëkohësit e tij e konsideruan atë profane dhe fyese.

Le të kujtojmë se një nga shtyllat themeluese të Krishtërimit është pikërisht pendimi. Sot ne e shohim atë nga një këndvështrim laik, por në kohën e Spinozës të folurit në këtë mënyrë ishte thuajse blasfemi. Edhe sot, këto fjalë na ftojnë të reflektojmë. Sa pendim dhe faj hedhim mbi veten tonë?

  1. Dallimet në mendime

Spinoza ishte një mendimtar i lirë, tepër modern për kohën e tij. Ai u rebelua kundër dogmave, paragjykimeve dhe besimeve të pabaza. Fryma e tij liberale përshkonte mendimin e tij me një sens të thellë kritik.

Nga kjo vijnë fjalitë e tij më emblematike: “Mendjet janë aq të ndryshme sa edhe shijet”. Kjo deklaratë e shkurtër në favor të diversitetit të mendimit nuk u prit me dashamirësi nga bashkëkohësit e tij. Në fakt, në kohën e Spinozës, idetë mbizotëruese mbështesnin të vërtetat pa përjashtime dhe arsyet unike e të fuqishme.

  1. Mbi origjinën e lirisë

Një deklaratë tjetër e filozofit holandez është: “Aktiviteti më i rëndësishëm që një qenie njerëzore mund t’i kushtojë vetvetes është të mësojë të kuptojë, sepse të kuptosh do të thotë të jesh i lirë”. Në këtë fjali gjejmë një nga arsyet pse Spinoza u konsiderua një nga racionalistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Liria merr një vlerë transhendentale, ajo lind nga arsyeja, nga dija. Ky mendim është në kundërshtim me idenë e përgjithshme të asaj epoke kur fjala “liri” vlerësohej me dyshim dhe të mohoje fenë ishte një veprim prej të çmendurish.

  1. Dëshira dhe mirësia

Mendimi i Spinozës shënoi vërtetë një moment historik, veçanërisht në fushën e etikës. Fjalitë e tij shfaqen në veprat e Freud, Lacan, Foucault. Puna e tij la shenjë në shpirtin perëndimor aq thellë sa që edhe sot shumë postulate moderne janë të rrënjosura në mendimin e këtij filozofi holandez.

Një tjetër nga frazat e tij thotë: “Ne nuk duam një gjë sepse është e mirë, përkundrazi themi që diçka është e mirë sepse ne e duam atë”. Këtu është një shembull tjetër i mprehtësisë në përshkrimin e natyrës njerëzore. Në këtë rast ai flet për shtrembërimin subjektiv që prodhohet duke filluar nga prirjet personale. Me fjalë të tjera, roli i emocionit dhe mënyra se si ai imponohet në mendimet tona.

  1. Zoti dhe injoranca

Vepra e Spinozës ka qenë e ndaluar dhe e fshehur për më shumë se një shekull, dhe kjo varej mbi të gjitha nga mendimi i tij për Zotin.Vizioni i tij modern nuk u prit mirë në qarqet e fuqishme dhe dogmatike të kohës së tij. Spinoza, në të vërtetë, shënoi një dallim midis fesë dhe arsyes, e cila si duket nuk gjeti shumë mbështetës midis atyre që ruanin pushtetin fetar.

Një nga frazat e Spinozës në lidhje me këtë është: “Ata që, duke injoruar diçka, i drejtohen vullnetit të Zotit, ulërasin drejt qiejve: çfarë forme qesharake, pa dyshim, për të rrëfyer injorancën e tyre”. Edhe pse vetë Spinoza ishte një njeri thellësisht fetar, në këtë fjali ai na flet për ekzistencën e forcave të tjera, shumë prej të cilave janë nën kontrollin tonë, dhe të cilat na lejojnë të formësojmë të ardhmen tonë.

Baruch Spinoza u përplas me presione shumë të forta ideologjike të epokës së tij. Sidoqoftë, ai nuk pushoi së menduari lirisht dhe së analizuari realitetin me pavarësi. Ai vdiq nga tuberkulozi në moshën 44 vjeç. Pasuritë e tij të vetme ishin dy shtretër, dy tavolina, një pastrues lentesh dhe 150 libra. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button