Shkence

Ajnshtajni shqetësohej se shkenca nuk mund ta pranojë “të tashmen”

Ju po i lexoni këto fjalë tani.

Mund ta themi këtë gjë, edhe pse nuk e dimë kur do ta lexoni. Nuk mund të themi se i lexove dje, ose do t’i lexosh nesër, por themi që tani, po e lexon fjalën “tani”. Kaq speciale është “tani”. E megjithatë, pavarësisht gjithë mendimeve që i janë kushtuar kohës, shkenca nuk e konsideron “të tashmen”, ndryshe nga e ardhmja apo e kaluara. Vetë Albert Ajnshtajni luftonte me këtë rebus.

Shqetësimi i Ajnshtajnit

Në vitin 1963, filozofi Rudolf Carnap rikujtoi një bisedë që kishte me Ajnshtajnin, për atë që Ajnshtajni e quante “Tani”. “Njëherë, Ajnshtajni tha se problemi i Tani e shqetësonte seriozisht,” shkruan Carnap. “Ai shpjegoi se përvoja e “Tani” do të thotë diçka e veçantë për njeriun, diçka thelbësisht e ndryshme nga e kaluara dhe e ardhmja, por se ky ndryshim i rëndësishëm nuk ndodh dhe nuk mund të ndodhë brenda fizikës. Që kjo eksperiencë nuk mund të rroket nga shkenca, ishte për të një çështje dorëzimi të dhimbshëm, por të pashmangshëm”. Ai dyshonte, vazhdon Carnap, “se ka diçka thelbësore tek Tani, që është thjesht jashtë sferës së shkencës”.

Shkencëtarët pak e kishin prekur konceptin e kohës, derisa erdhi Ajnshtajni. Megjithëse nuk mund ta shpjegonte kohën vetë, ai tregoi disa gjëra të veçanta: për një vëzhgues të palëvizshëm, koha rrjedh më ngadalë se sa për një objekt që lëviz, dhe se sa më e madhe të jetë forca e gravitetit, aq më ngadalë rrjedh koha. Por ai – dhe askush para tij – nuk mundi të shpjegojë se çfarë e bën momentin e tanishëm, objektivisht të ndryshëm nga e kaluara ose e ardhmja.

Çfarë nuk shkon me të tashmen?

Pjesa më e madhe e këtij misteri qëndron në faktin se shkenca përqëndrohet në realitetin objektiv dhe momenti aktual përcaktohet nga përvoja juaj në të. Për shkak të kësaj, disa shkencëtarë thonë se momenti aktual nuk ekziston fare.

Në një artikull për “Natyre”, fizikanti N. David Mermin kujtoi se kur i tha një fizikanti tjetër se ai po shkruante për “Tani”, fizikanti iu përgjigj: “Ah, ti do të shpjegosh pse ne të gjithë e kemi këtë iluzion”. Në artikullin e tij, Mermini shkruan që momenti i tanishëm nuk është një iluzion, por dëshmi se ne duhet të përfshijmë përvojën personale në përshkrimin fizik të shkencës në botë. Në fund të fundit, nuk kemi zgjedhje: çdo vëzhgim shkencor filtrohet përmes përvojës sonë njerëzore në një farë mënyre, qoftë nëse kjo është mënyra sesi funksionojnë sytë tanë, apo truri ynë. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button