Motivuese

Alarmi i mëngjesit.  Mirëmëngjes me motivimin e duhur

Mirëmëngjes! Është koha të zgjohesh tani! Një ditë tjetër e bukur po të pret përjashta. Jo! Mos e fik alarmin! Ti mendon se vetëm jeta jote është e vështirë? Se vetëm ti ke probleme?

Ti po fle në një shtrat, nën një çati, kur njerëz të tjerë po flenë jashtë dhe po zgjohen nga të lehurat e qenve që zihen për ushqim. Ti ke një shtëpi, ke një familje që të mbron, kur shumë të tjerë jeta i ka goditur duke i marrë prindërit që në rini.

Kjo është gjëja më e tmerrshme : të humbasësh njerëz. Mund të marrësh plot plagë dashurie, të dështosh në provime, të durosh përditë probleme familjare, por gjithmonë ka edhe më keq. Ji falenderues për aq sa ke dhe ngrihu nga krevati! Mos mendo se ata që ia kanë dalë mbanë, i janë fshehur jetës duke fikur alarmin dhe duke fjetur sërish gjumë. Jo, ata janë përpjekur dhe kur janë lodhur, kanë menduar sërish se çfarë synimesh kanë dhe nga ato synime kanë gjetur forcë për ta provuar sërish.

Ngrihu dhe jeto. Mos ki frikë nga jeta. Ajo është e bukur, nëse jetohet siç duhet. Nëse e do dikë, thuaji që e do. Bëje dikë të lumtur, nëse po e sheh të trishtuar. Puno fort për të qenë më i miri. Studio për të qenë ti në krye. Çoji gjërat deri në fund duke u përpjekur pa pushim.

Kjo është jeta. Do lëndohesh, por duhet të gjesh forcën për t’u çuar, sepse të gjithë vrapojmë pas kohës dhe sekondat e saj duhet t’i mbushim me emocione, me jetë.

Nuk të ka thënë dikush se beson tek ty, se mendon se do t’ia dalësh? Po ta them unë. Unë besoj tek ty. Unë besoj se ti mund të bësh gjëra të mëdha. Ti ke gjithë potencialin të dalësh nga shtëpia dhe të bësh më të mirën tënde për t’ia dalë mbanë. Ti mund të kesh kaluar në shumë probleme dhe mund të kesh bërë shumë sakrifica, por unë e di se ti nuk ke për të harruar asnjë prej tyre. Dua thjesht që secilin nga problemet, secilën sakrificë që ke bërë, ta përdorësh si një forcë për të ecur përpara më fuqishëm se më parë.

Nga diçka duhet të nisesh, ndaj zgjohu nga gjumi, çohu nga krevati, bëhu gati dhe dil nga shtëpia. Nise dhe mbylle ditën me buzëqeshje. Gjej arsye të qeshësh edhe në momente të trishtuara, sepse gjithmonë ekziston një arsye për të buzëqeshur. Dhe në çdo moment, përpiqu të bësh gjërat që do me dashurinë më të madhe. Hapja mendjen, krahët dhe zemrën mundësive të reja dhe njerëzve të rinj.

Jeta është e shkurtër për ta kaluar brenda mureve të shtëpisë i/e trishtuar për ngjarjet e së shkuarës. Mos e harro të shkuarën, por mos u kap pas saj. Jeto të tashmen dhe fokusohu tek ato që do të arrish në të ardhmen. Hidhi pas krahëve zhgënjimet, problemet dhe dështimet. Fokusohu tek synimet e tua dhe puno fort për t’i arritur ato. Ti mundesh dhe ke për t’ia dalë! / bota.al

Leave a Reply

Back to top button