Covid19

Alarmi, njerëzit me alergji të rënda rrezikohen nga vaksinat anti-Covid

Dy persona në Britani, përjetuan një reaksion alergjik ndaj vaksinës anti-Covid të konsorciumit Pfizer/BioNTech. Kjo bëri që autoriteteti rregullator britanik mbi barnat të këshillojë që “njerëzit me një histori reaksionesh alergjike të konsiderueshme” nuk duhet ta marrin tani për tani këtë vaksinë.

Mësohet se 2 personat e vaksinuar, kishin pasur një histori paraprake të reaksioneve të rënda alergjike, përfshirë anafilaksinë, një formë e rëndë dhe e shpejtë e alergjisë. Në këtë fazë, ne nuk kemi shumë detaje mbi reagimet alergjike të raportuara ndaj vaksinës.

Po sa të zakonshme janë këto lloj reagimesh? Reaksionet e rënda alergjike ndaj vaksinave janë jashtëzakonisht të rralla, dhe anafilaksia ndodh afërsisht në një rast tek 1 milion doza vaksine. Ka shumë gjasa që shumica e reaksioneve të raportuara si reaksione të mundshme alergjike ndaj vaksinave,të mos jenë alergji të vërteta.

Para se të vaksinohet, çdo person pyetet në lidhje me historinë e tij mjekësore përfshirë nëse ata kanë ndonjë alergji të njohur, veçanërisht ndaj një vaksine ose përbërësve të saj. Meqë gati të gjitha reaksionet e rënda alergjike ndodhin brenda 15 minutash nga ekspozimi ndaj shkaktarit, në gjithë botën është e zakonshme që pacientët mbahen nën monitorim për të paktën 15 minuta pas vaksinimit.

Në Australi, rekomandohet që çdo qendër ku kryhen vaksinimet, të jetë e pajisur me pajisje dhe staf të trajnuar për të njohur dhe trajtuar reaksionet alergjike. Dhe kjo vlen për të gjitha vaksinat, përfshirë vaksinat kundër Covid-19.

Por për cilat lloje alergjenësh po flasim? Njerëzit mund të jenë alergjikë ndaj një game të gjerë të substancave (të quajtura alergjene), përfshirë ushqimet dhe ilaçet. Nëse dikush ka një alergji të njohur në një përbërës të vaksinës, mund të këshillohet që të mos e bëjë atë vaksinë.

Vaksina e Pfizer/BioNTech kundër Covid-19 nuk përmban asnjë përbërës që zakonisht shkakton reaksione alergjike. Ka të ngjarë që 2 personat që mund të kenë pasur një reaksion alergjik pas vaksinës Pfizer, do të vizitohen nga një specialist i alergjisë/imunologjisë.

Nëse zbulohet se ata kanë pasur vërtet anafilaksi, nuk do të ketë gjasa që t’u jepet doza e dytë e vaksinës. Sidoqoftë, në disa situata, njerëzit që kanë pasur reaksione alergjike pas një doze, mund të jenë në gjendje të marrin doza të mëtejshme të së njëjtës vaksinë, duke përdorur një qasje të specializuar, siç është dozimi i graduar, që mund të shmangë shkaktimin e një reaksioni.

Por kjo qasje nuk është raportuar ende për asnjë vaksinë COVID-19. Në fakt,njerëz me një histori të reaksionit të rëndë alergjik ndaj një vaksine apo ndaj ndonjë përbërësi të vaksinës së Pfizer/BioNTech nuk u përfshinë në testin klinik të fazës së fundit.

Kjo është një masë paraprake për të mbrojtur sigurinë e pjesëmarrësve në gjykim. Zakonisht, testet klinike përqendrohen tek njerëzit e shëndetshëm pa sëmundje kronike. Edhe pse testi i fazës së tretë i Pfizer, lejoi regjistrimin edhe të njerëzve me sëmundje kronike para-ekzistuese.

Sapo të përcaktohet siguria dhe efektiviteti i një vaksine tek njerëzit e shëndetshëm, atëherë ajo mund t’u ofrohet edhe popullatave të tjera, si personave me sëmundje të rënda. Ky testim përfshiu më shumë se 40.000 pjesëmarrës, dhe ka treguar se vaksina është e sigurt, pa ndonjë shqetësim serioz për sigurinë.

Incidenca e simptomave tipike alergjike pas vaksinimit, ishte pak më e lartë në grupin që mori vaksinën e vërtetë me 0.63 për qind, krahasuar me grupin e kontrollit që mori një placebo me 0.51 për qind, megjithatë nuk është e qartë nëse ky ndryshim i vogël është për shkak të rastësisë.

Po cilat janë pasojat për njerëzit që kanë alergji serioze? Është shumë herët për të dhënë një përgjigje. Ne nuk e dimë ende, nëse këto raporte ishin reagime të vërteta alergjike. Gjithashtu, nuk ka asnjë arsye teorike për të dyshuar se reaksionet alergjike do të ishin më të zakonshme tek vaksinat anti-Covid sesa tek vaksinat e tjera, madje edhe ato që përdorin teknologji më të reja .

Meqë vaksinat kundër Covid-19 do të shpërndahen tek miliona njerëz në të gjithë botën, është i pashmangshëm raportimi i ngjarjeve të padëshirueshme. Ekziston mundësia e një reagimi negativ ndaj ndonjë ilaçi apo vaksine, dhe kjo është arsyeja pse njerëzit monitorohen pasi u është bërë vaksina. / The Conversation – Bota.al

Back to top button