Bota

Amerika, Rusia dhe tre konfliktet që mund të shkaktojnë luftëra

Screen Shot 2016-01-03 at 21.54.27

Të gjithë vazhdojnë të flasin për Luftën e Tretë Botërore. E ka filluar Papa, teksa kthehej nga një udhëtim, gjatë të cilit ka qenë në kontakt me një shumësi luftërash. 

Kishte parë “një botë të mbushur me luftëra”, ose “një botë të shqyer nga luftërat”, po përse duhej të fliste për luftë të tretë botërore? Kjo shprehje, si për luftën e parë botërore (1914-18) ashtu edhe për të dytën (1939-45), nënkupton që të gjithë, ose pothuajse të gjithë vendet e botës kanë hyrë dhe janë bërë pjesë e dy koalicioneve armike që luftojnë mes tyre. Në luftën e parë botërore, perandoritë qendrore dhe aleatët, në luftën e dytë fuqitë e boshtit dhe aleatët. Sot, në terren nuk ndeshen dy koalicione armike.

Pra, jo një luftë e tretë botërore, por as edhe shumë luftëra rajonale, të palidhura mes tyre. Në botë aktualisht ka tre konflikte, që mund të prodhojnë luftëra. Konflikti i parë është ai i SHBA kundër Rusisë. Pas rënies së Murit të Berlinit, Amerika u druajt se bashkimi ekonomik mes vendeve europiane perëndimore dhe Rusisë, me territorin e saj shumë të madh aziatik, do të krijonte një fuqi shumë të fortë, prandaj bëri gjithçka për të shkëputur Rusinë nga Europa, dhe më pas e vuri kundër vendeve islamike. Konflikti i dytë vjen për shkak të një procesi të rigjallërimit revolucionar të islamit. Nga Filipinet në Algjeri, janë shfaqur lëvizje fanatike që duan rikthimin në origjinë, kur armatat e kalifëve të parë pushtonin botën dhe u impononin të gjithëve, edhe ne perëndimorëve, islamin dhe sharian. Kjo luftë luftohet nga banda të përgjakura që shtrihen nga Filipinet, Afganistani, deri në Ceceni, Irak, Siri, Somali, Sudan, Libi, si dhe në Afrikë me Boko Haramin.   

Konflikti i tretë, është i gjithi në brendësi të Islamit, mes sunitëve dhe shiitëve. Fuqitë kryesore sunite, që janë Arabia Saudite dhe Turqia, të kundërvëna shiitëve të Irakut dhe Sirisë. Kjo luftë luftohet në Irak, në Siri dhe në Jemen. Për ta përmbyllur:  për momentin nuk ka asnjë luftë botërore, por tre konflikte me luftëra lokale. Dhe ne europianët? Ne u bindemi urdhërave të SHBA. Na kanë thënë që të vendosim sanksione kundër Rusisë, dhe të pranojmë të gjithë refugjatët e imigrantët që vijnë nga Azia në Afrikë, dhe ne e bëjmë. / IlGiornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button