Ekonomi

ANALIZE / E ardhmja e progresit ekonomik

Econ-ProgressNatyra e matjes së progresit ekonomik duhet të përfshijë një kontratë të re sociale

Kemal Derviş

Ish Ministër i Cështjeve Ekonomike i Turqisë dhe ish Administrator i UNDP. Aktualisht Zëvendëspresident i Institutit Brookings

Me hapa të ngadalë por të sigurtë, debati për natyrën e rritjes ekonomike është duke hyrë në një fazë të re. Pyetjet që po shfaqen janë aq të ndryshme nga ato të dekadave të fundit, saqë mund të nuhasësh një ndryshim në kuadrin konceptual që do të strukturojë, që tani e tutje, diskutimin e progresit ekonomik – si dhe të politikave ekonomike.

Pyetja e parë, që lidhet me ritmin e mundshëm të rritjes ekonomike në të ardhmen, ka shkaktuar mosdakordësi serioze mes ekonomistëve. Për shembull, Robert Gordon i Northwestern University, beson se ekonomia e SHBA do të jetë me fat, nëse do të ketë një rritje prej 0.5% të rritjes ekonomike mesatare vjetore për frymë, në terma afatshkurtër. Të tjerë, si Dani Rodrik, kanë zhvilluar një version të pesimizmit për rritjen ekonomike tek ekonomitë në zhvillim. I përbashkët për të gjithë këta analistë është supozimi që progresi teknologjik do të ngadalësohet.

Në anën e kundërt janë “teknologjistët e rinj”. Ata argumentojnë se jemi në fillimet e një revolucioni të katërt industrial, i karakterizuar nga “makineri me të vërtetë inteligjente” që do të shndërrohen në zëvendësues pothuajse të përsosur të vendeve të punës që kërkojnë kualifikim të ulët dhe të mesëm. Këta “robotë” (disa në formën e programeve kompjuterikë), ashtu sikurse dhe “Interneti i gjërave” do të sjellin rritje të mëdha të produktivitetit në fusha si efiçenca e energjisë, transporti (për shembull automjetet me vetëdrejtim), kujdesi mjekësor, si dhe prodhimi në masë, falë printerave 3D.

Së dyti, është pyetja e shpërndarjes së të ardhurave. Në librin e tij që u bë menjëherë i famshëm, Thomas Piketty argumenton se forcat themelore ekonomike po nxisin një rritje të qëndrueshme të pjesës që zë fitimi në të ardhurat totale, teksa norma e kthimit mbi kapitalin është në mënyrë konstante më e lartë se sa norma e rritjes ekonomike. Vec kësaj, shumëkush ka vërejtur që nëse kapitali po shndërrohet në një zëvendësues të gjithçkaje, përveç vendeve të punës që kërkojnë kualifikim shumë të lartë – ndërkohë që sistemet e arsimit kërkojnë kohë të gjata përshtatjeje për të ofruar kualifikime të rinj në sasi të mëdha – ndryshimi shumë më i madh në paga mes punëve që kërkojnë kualifikim të lartë dhe të gjithë punëve të tjera do të shkaktojë përkeqësim të pabarazisë.

Ndoshta ekonomia e SHBA, pas dhjetë vitesh do të ketë një 5 përqindësh – pronarë të mëdhenj të kapitalit, persona me kualifikim shumë të lartë dhe si pasojë me paga të larta – që merr 50% të të ardhurave kombëtare (kjo shifër nuk është shumë larg 40%-shit sot). Ndonëse rrethanat kombëtare ende ndryshojnë shumë, tendencat themelore ekonomike janë globale. A janë të përballueshme politikisht?

Pyetja e tretë lidhet me efektin që do të ketë automatizimi i mëtejshëm në punësim. Siç ka ndodhur në revolucionet e mëparshëm industrialë, qeniet njerëzore mund të çlirohen nga punët “më të rendomta”. Nuk do të ketë nevojë për arkëtarë, operatorë qendrash telefonike apo ata që marrin paratë në hyrje të autostradave, si dhe më pak nevojë për llogaritarë, këshilltarë financiarë apo për udhëtime, shoferë e kështu me radhë.

Nëse “teknologjistët” kanë edhe 50% të drejtë në atë që thonë, GDP do të jetë shumë më i lartë. Atëherë, përse të mos i gëzohemi një të ardhmeje me një javë pune 25-30 orëshe, dhe dy muaj leje në vit, teksa pjesën tjetër e plotësojnë makinat inteligjente?

Përse, me gjithë këtë teknologji dhe këtë rritje të pritshme të produktivitetit, janë të shumtë ata që vazhdojnë të argumentojnë se, të gjithë duhet të punojmë më shumë dhe të dalim shumë më vonë në pension, nëse duam që ekonomitë të qëndrojnë konkuruese? Apo duhet që vetëm ata me kualifikime të lartë të punojnë më shumë dhe më gjatë, sepse nuk kemi prej tyre aq sa na duhen? Në këtë rast, më të vjetrit ndoshta duhet të dalin më herët në pension, për t’u lënë vend të rinjve, të cilët kanë kualifikime më të përshtatshëm për shekullin e ri. Nëse një ndryshim i tillë do të rriste GDP e përgjithshëm, transfertat fiskale do të paguanin për pensionet e hershëm, ndërkohë që vetë pensioni do të shndërrohej në një proces fleksibël dhe gradual.

Së fundi, është pyetja e ndryshimit të klimës dhe kufizimeve të mundshëm të burimeve natyrorë, çështje për të cilat është folur më shumë gjatë dekadës së fundit. A do të pengojnë këta faktorë rritjen afatgjatë, apo një tranzicion në një ekonomi të energjisë së pastër do të shkaktojë një tjetër revolucion teknologjik, i cili do të sjellë në fakt një rritje të mirëqenies?

Teksa këto pyetje zhvendosen në krye të axhendës së politikave, po bëhet gjithnjë e më e qartë se fokusi tradicional tek rritja ekonomike, e përcaktuar si rritje e GDP agregat dhe e përllogaritur përmes të dhënave të shpikura një shekull më parë, është gjithnjë e më pak i dobishëm.

Natyra e matjes së progresit ekonomik duhet të përfshijë një kontratë të re sociale që lejon shoqëritë të menaxhojnë fuqinë e teknologjisë, në mënyrë të tillë që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. Puna, mësimi, argëtimi dhe të qënurit të shëndetshëm dhe “produktivë” duhet të jenë pjesë e një vazhdimësie në jetët tona, dhe politikat duhet të kenë si objektiv lehtësimin e kësaj vazhdimësie dhe rritjen e mirëqenies së matshme.

Tendencave që janë në themel të zgjerimit të pabarazisë duhet t’u kundërvihemi duke përdorur shumë instrumenta të politikave, me regjime fiskalë, me arsim e shëndetësi gjithëpërfshirëse dhe  të përballueshme, që të jenë qendër të përpjekjeve tona për të garantuar barazi dhe lëvizshmëri sociale. Ndonëse cilësia e jetës njerëzore mund të përmirësohet ende shumë, edhe në ekonomitë e përparuara, fokusimi në GDP agregat do të jetë më pak i dobishëm në arritjen e këtij objektivi.

Pyetjet që rrethojnë rritjen ekonomike në të ardhmen po bëhen gjithnjë e më të qarta. Por ne jemi vetëm në fillim të procesit të krijimit të një kuadri të ri konceptual, që nevojitet për të mundësuar që politikat nacionale dhe globale të çojnë përpara kauzën e progresit njerëzor. (Project Syndicate)

Leave a Reply

Back to top button