Shkence

ANIJA E HELMIT / Si u netralizuan armët kimike siriane

Në një përpjekje për të shkatërruar arsenalin sirian të armëve kimike (që fillimisht u mendua të vinte në Shqipëri), qindra ton gaz toksik u ngarkuan mbi këtë anije mallrash dhe u dërguan në det, në një mision vërtet të rrezikshëm. Këtu, ekspertët zbulojnë sesi ushtria amerikane flirtoi me vdekjen

Screen Shot 2015-03-10 at 11.39.14 AM

Damask, 21 gusht 2013. Momentet e para pas bombardimit të disa lagjeve në qarkun e Gutas, pati një qetësi “hyjnore”. Pastaj filluan ulërimat. Pak çaste më vonë, vendstrehimet dhe rrugët u mbushën me të vdekur dhe njerëz që jepnin shpirt. Ata po shfaqnin efektet e sarinës, një gaz toksik që sulmon sistemin nervor. Më shumë se 1400 njerëz vdiqën atë ditë.

Kombet e Bashkuara, e cilësuan atë “një krim lufte”, dhe i paraqitën presidentit sirian, Bashar Al- Asad, një ultimatum: ose shkatërroni armët kimike, ose përgatituni për sulme ajrore nga ushtria amerikane. Asadi pranoi variantin e parë. Nën syrin vigjilent të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), Siria do të çmontonte stoqet e veta të gazeve mustardë dhe sarin.

Screen Shot 2015-03-10 at 11.39.23 AM

Në këtë pikë, Xhosef Vinand dhe Adam Bejker, nuk kishin asnjë ide sesi do të përballeshin me sfidën më të vështirë të karrierës së tyre. Vinand është kreu i Qendrës Biologjike Kimike “Edgewood”, një prej laboratorëve të testimit të ushtrisë së SHBA-së, dhe Bejker një nga inxhinierët kimike kryesorë që ka qendra.

Bejker dhe ekipi i tij u ngarkuan të ndërtojnë një fabrikë të lëvizshme përpunimi, e aftë t’i bënte të sigurta armët kimike. “Përpara sulmeve në Guta, kisha përshtypjen se Fusha e Dislokueshme e Sistemit të Hidrolizës (FDSH), ishte diçka që ne e kishim ndërtuar thjesht për ndonjë rast special” – thotë Bejker. Tani po dukej se FDSH ishte mundësia më e mirë në botë për të shkatërruar arsenalin kimik të Sirisë.

Pajisja është aq kompakte, sa ajo përshtatet në dy kontenierë me masa standarde ngarkese, dhe që mund të transportohen në çfarëdolloj zone krize në botë. Problemi më i madh ishte se ku FDSH-ja, duhej vënë në punë. Vazhdimi i luftës civile në Siri donte të thoshte se situata ishte shumë i rrezikshme.

Por kur vjen puna tek neutralizimi i armëve kimike, shumica e vendeve kanë politikën e rreptë: “Jo në oborrin tim”. Kompromisi: 23 tonë gaz mustardë dhe 540 tonë sarin DF (Difluorid Metilfosfonili) duhej të bëhej i parrezikshëm në një territor neutral, në ujërat ndërkombëtare të Detit Mesdhe.

Si ndërtohet makineria për shkatërrimin e armëve kimike?

Detyra për Edgewood, ishte të montonte dy njësi të reja FDSH në një anije mallrash. Asgjë e ngjashme nuk ishte provuar më parë. Në oqean ka një numër faktorësh, të cilët i komplikojnë gjërat.

Dallgët: Logjikisht, nuk është vështirë të mendohet se nuk ka vend më pak të përshtatshëm për ruajtjen dhe eliminimin e materialeve toksike, sesa deti. Ndërsa uji është vazhdimisht në lëvizje, evitimi i ndonjë rrjedhje të mundshme, nuk ishte diçka e lehtë. “FDSH është projektuar për t’u përdorur mbi tokë, por tani ata kanë një çisternë të mbushur me mijëra litra, që tundet sa para mbrapa dhe kjo ishte shumë stresuese” – kujton Bejker. Megjithatë kjo nuk ishte asgjë, në krahasim me problemet e shkaktuara nga lëvizja e anijes…

Lëkundjet: Kishte rrezik, që frekuencat e helikës së anijes dhe FDSH të harmonizoheshin me njëra-tjetrën, duke shkaktuar shkundjen e aparaturës dhe çarjen e saldimeve. “Është efekti i urë-valëzimit” – thotë Xhosef Vinand. “Ju s’mund të hidhni dot edhe një hap të vetëm mbi një urë, që shkon sa para mbrapa”. Zgjidhja, ishte të bashkohej me kujdes FDSH me rimorkion në kuvertë, dhe të përshtatej me formatimin e elementëve shtesë. “Anija ‘Cape Ray’ kishte stabilizantë për të minimizuar lëkundjet, por ne gjithashtu vendosëm që pajisja FDSH, të veprojë vetëm në det të qetë” – shtoi ai.

Zjarri: Çdo pjesë e FDSH-së është e pajisur me valvulat e sigurisë, por ka një rrezik të qartë dhe të pranishëm që tymi toksik mund të dalë në ajër. “Secila nga njësitë e FDSH-së është e izoluar brenda një tende mbrojtëse, për të parandaluar ndonjë rrjedhje apo tym. Ajri që del nga çadra monitorohet vazhdimisht dhe filtrohet” – thotë Adam Bejkeri.

Ekuipazhi veshi kostume mbrojtëse dhe maska respiratore, që filtronin ajrin e ambjentit. Nëse kishte dyshim për ndonjë rrjedhje, ajri zëvendësohej me një furnizim artificial. Në fund të fundit, ju nuk mund të ndjeni, shihni apo nuhasni erën e sarinit.

Hapësira e kufizuar: Nuk kishte vend të mjaftueshëm për të vendosur pajisjen në një nivel. Në vend të kësaj, pjesët e tij të ndryshme, u desh të përshtaten mbi kuvertën e ”Cape Ray”. E treta është edhe më e rrezikshme. “Këtu ne ruajmë njësitë e FDSH-së dhe kimikatet. Kuverta është e pajisur me sistemin e vet të ventilimit dhe filtra të veçanta karboni, për të pastruar ajrin që largohet” – shpjegon Bejker. Elementi thelbësor i FDSH-së është reaktor i saj prej titani. Këtu agjentët nervorë neutralizohen përmes një reaksioni kimik me ujë …

Hidroliza

Uji shkatërron strukturën atomike të armëve kimike, në të njëjtën mënyrë si një fëmijë shkatërron një kështjellë rëre. Por si e bën ai këtë punë? Gazi mustardë dhe komponenti Sarin DF, përmbajnë atome klori dhe fluori. “Në rastin e DF, uji i shkëput atomet e fluorit dhe i zëvendëson ato me atomet e oksigjenit dhe hidrogjenit” – thotë Bejker. “Me gazin mustardë, atomet e klorit janë hequr” – shton ai.

Screen Shot 2015-03-10 at 11.39.28 AMKy proces kimik ndryshon strukturën e substancës në një masë të tillë, sa që ajo nuk mund të përdoret më për të prodhuar armë kimike. Tek FDHS-ja, uji dhe toksina përzihen së bashku në miksera statikë – tuba të pajisur me centrifuga, për të kombinuar gazin me lëngun.

Gazi mustardë trazohet me ujë për dy orë me rradhë brenda një reaktori titani.

Gazi sarin, nga ana tjetër, reagon menjëherë me ujin, gjë që ka përfitimet e veta. “Substanca thjesht hidhet në mikserin statik, dhe pastaj përmes tubacioneve transportohet drejtpërdrejtë në çisternë. Në 40 minuta, ne mund të neutralizojmë rreth 757 litra” – thekson Bejker.

Lënda që del përzihet menjëherë me hidroksid natriumi, për të ulur aciditetin e saj, në të kundërt ajo do të jetë shumë gërryese për t’u ruajtur në bord.

Më pas, ajo vendoset në enë të veçanta dhe groposet në fushat e specializuara të mbetjeve të rrezikshme në Finlandë dhe Gjermani. Në qershor të vitit 2014, ekspertët raportuan se qeveria siriane e kishte dorëzuar sasinë e fundit të gazit sarin dhe mustardë që kishte deklaruar. Neutralizimi i tij duhej të përfundonte brenda 90 ditëve, sa ishte edhe parashikimi kur moti mbeti i favorshëm. Pastaj njësitë FDSH do të çmontohen nga anija “Cape Ray”, e cila do të vazhdojë të funksionojë si një anije mallrash. Por kjo nuk do të thotë se episodi me armët kimike ka mbaruar. Edhe pse qeveria siriane zyrtarisht nuk zotëron më gaz mustardë ose sarin, disa armë të dyshimta kimike po përdoren ende në territorin e kontrolluar nga rebelët, gazi klorin. Mjekët kanë raportuar të paktën 11 të vdekur, dhe më shumë se 500 njerëz që vuajnë nga simptomat e helmimit.

ONAK po bën çmos për të hetuar këto raste, por çdo përpjekje për të qenë më afër skenës së krimit është penguar nga sulmet me bomba. Nëse Asadi ka përdorur gazin klorin, kjo do të ishte një shkelje e Konventës së Armëve Kimike, e cila ndalon përdorimin e çdo lloj materiali toksik në luftë. Sesi do të përgjigjet ndaj kësaj situate SHBA, mbetet ende e paqartë. Ata duan të vlerësojnë  të dhënat e ONAK-ut, para se të përcaktojnë nëse Asadi, ka shkuar edhe një herë shumë larg.

Si vepron gazi sarin

Përzieni Difluoridin e Metilfosfonilit, ose shkurt DF, me alkool dhe ai shndërrohet në agjentin nervor Sarin. Kjo armë kimike avullon në temperaturën e mjedisit, dhe hyn në trup nëpërmjet frymëmarrjes, ose përmes kontaktit me lëkurën dhe sytë. Në brendësi të trupit, gazi bashkëvepron me enzimat që kontrollojnë nervat dhe muskujt. Muskujt, fillojnë të dridhen në mënyrë të pakontrollueshme. Simptomat fillestare përfshijnë dhimbjet e kokës, vështirësi të shikim, frymëmarrje dhe diarre. Më pas situata rëndohet edhe më tej. Pavetëdija, paraliza dhe humbja e funksionit të frymëmarrjes, pasohen në fund nga vdekja. Gëlltitja e vetëm një miligram sarin, ose ekspozimi për vetëm një minutë ndaj ajrit, që përmban 100 miligram gaz për metër kub, është e mjaftueshme për të të vrarë brenda pak minutash./N.S./

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button