Bota

Anomalitë e një terroristi

Ekzistojnë anomali të ndryshme rreth autorit të sulmit më të përgjakshëm të historisë amerikane të kohëve të fundit. Një jetë normale si pensionist. Stephen Paddock, vrasësi i Las Vegasit, nuk kishte të kaluar kriminale: ai ishte një njeri si shumë të tjerë, me pasionin e lojërave të fatit, që e ndante me partneren e jetës, Marilou Danley. Por diçka duhet të ketë ndodhur, që e ka shtyrë të hapë zjarr mbi turmën nga kati i 32-të i Mandalay Bay, hoteli i Las Vegas Strip, në kryeqytetin botëror të lojërave të fatit.

Isis kur ka marrë përsipër sulmin, e përshkroi atë si musliman prej disa muajsh, por është një pohim që nuk gjen ndonjë konfirmim, madje që hidhet poshtë nga administrata amerikane dhe burimet e FBI-së. Si edhe nga familja e tij. “Nuk kishte lidhje fetare, nga ajo që dimë. Ai ishte thjesht një njeri që pëlqente videopokerin, të hante duke Taco Bell dhe të dilte me kroçera”, thotë vëllai i tij, Eric Paddock. Një burrë që dukej i qetë, që jetonte në një komunitet pensionistësh në Mesquite, ku ai kishte blerë një shtëpi për 369,000 dollarë në vitin 2013. Shteti Islamik, në një deklaratë në mbrëmje pas marrjes përsipër të sulmit, i referohet vrasësit me emrin e betejës “Abu Abd al-Bar al-Ameriki”.

Stephen kishte licencën e pilotit dhe atë të peshkimit dhe gjuetisë: ai ndonjëherë zhdukej me shoqen e tij për ditë të tëra, por vetëm për të luajtur në kazino.

Asnjë detaj i së kaluarës së tij nuk lejonte të imagjinohej një gjest i tillë i çmendur: për moshën e tij, 64-vjeç, Stephen tashmë është një vrasës “atipik”, një “gjysh vrasës”, siç e kanë riemërtuar atë disa njerëz.

Dhe jeta e tij e qetë, e konfirmuar gjithashtu nga familja, nuk sqaron arsyet e një akti të tillë.

I martuar në moshë të re, Stephen Paddock u divorcua 27 vjet më parë. Ai ishte një auditor që punoi në Lockeed Martin për tre vjet. I pëlqenin armët, por ljërat e fatit edhe më shumë. “Nuk kemi absolutisht asnjë ide se pse e bëri. Nuk kishte asgjë sekrete apo të çuditshme tek ai”, shton Eric.

Babai i Stephen është i vetmi në familje që, për fatin e tij të keq, ka patur kontakte me autoritetet amerikane: Benjamin Hoskins Paddock ishte një “vjedhës serial bankash” që ka qenë për vite të tëra në listën e më të kërkuarve të FBI-së, pasi ishte arratisur nga një burg federal në Teksas, ku po kryente dënimin për 20 vite. Ai ishte diagnostikuar tashmë si “psikopat me prirje vetëvrasëse”.

Pavarësisht kësaj, Stephen nuk kish shfaqur kurrë shenja çmendurie. Disa fqinjë të shtëpisë së tij në Reno, ku jetonte para se të transferohej në Msquite, e kujtojnë si një njeri të rezervuar, të heshtur. Marilous Danley ishte më aktive.

Jeta në dukje normale e Stephen e mbështjell edhe më shumë me mister atë që ka ndodhur, duke i lënë autoritetet të ngrejnë edhe më shumë pikëpyetje për të zbuluar motivet. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button