Ata e dënuan shpirtin e luftës në veprën e tyre. Erich Maria Remarque-n e brohoritën, Ernst Jüngerin për këtë e kritikuan, me të padrejtë. Një vështrim tek dy shkrimtarët dhe letërsia e tyre plot kontradikta.
Në përvjetorin e 100-të të Luftës së Parë Botërore dy klasikët e letërsisë u ribotuan. Jüngeri u plagos 13 herë në luftë dhe u nderua më vonë me medaljen më të lartë prusiane të trimërisë. Remarque e botoi romanin e tij fillimisht në një gazetë. Bomba me erë të keqe dhe minj, në prezantimin për herë të parë të romanit të Remarque, NSDAP (partia naziste e Hitlerit) bëri skandal.
Me sa duket ata nuk e duronin dot njëri-tjetrin. Kështu të paktën i përshkruajnë bashkëkohësit ata të dy. Ernst Jünger, djalë nga familje borgjeze e ka parë nga lart Erich Maria Remarque-n, duke e quajtur atë “playboy snob me ambicie dhe pa talent”. Remarque aq i bënte për prejardhjen e tij nga shtresat e ulëta dhe thoshte për Jüngerin, se “shkruan thatë si ushtar” dhe e ka zili konkurencën.
Kohë kthese
Kjo në një kohë, kur ishin të dy, që ofruan dy prej dëshmive më të rëndësishme për Luftën e Parë Botërore. “Asgjë e re në Perëndim” nga Erich Maria Remarque konsiderohet sot si romani i mirëfilltë “antiluftë”. Eshtë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe është shitur më shumë se 20 milionë herë në të gjithë botën. Ernst Jüngeri i përpunoi përvojat e tij të luftës në ditarin e tij “Në stuhi çeliku”. Përshkrimet e tij të sakta me detaje bëjnë që njerëzit të debatojnë deri sot. Disa e akuzojnë se ka estetizuar dhunën, të tjerët e lëvdojnë, që është treguar i pamëshirshëm.
Dy klasikë shumë të ndryshëm të letërsisë, dy autorë të ndryshëm në themel, kështu duket të paktën në vështrim të parë. Në të vërtetë Ernst Jünger dhe Erih Maria Remarque kanë qenë më të ngjashëm, se sa kujtohet. Të dy lindën në fund të shekullit të 19-të, në kohë shndërrimesh. Përparimi teknologjik ecte me ritme të shpejta, ekonomia botërore përjetonte zhvillime të vrullshme. Për të drejtat e tyre gratë dilnin në rrugë, ndërsa psikonanalistët ndriçonin nënndërgjegjen e njeriut. Ky ndryshim solli një pasiguri të madhe në të gjithë Evropën.
Si shumë prej bashkëmoshatarëve të tij Ernst Jüngeri i ri iu fut më 1914 vullnetarisht aventurës së madhe të luftës. Por në vend të një lufte heroike blic, atë e priti pamja e ndyrë e hendekut. Deri në fund ai luftoi në vijën e parë të frontit, u plagos disa herë dhe u nderua pas luftës me medaljen më të lartë ushtarake, Urdhërin Pour le Mérite.
Gjatë viteve të luftës, Jüngeri mbante ditar të hollësishëm. “Stuhitë e çelikut” nuk iu ndanë më. Ai e përpunoi tekstin në vitet në vazhdim dhe la shtatë versione, të cilat dallohen në forcën e tyre shprehëse. Në shënimet e para të ditareve, Jüngeri i ri i lodhur nga lufta pyet në mënyrë paralajmëruese “Çfarë kuptimi kanë këto vrasje, gjithmonë të vrasësh? Kur do të marrë fund kjo luftë e ndyrë.”
Më vonë këto dyshime ia lënë vendin pa pushim përshkrimeve metaforike. Pafuqia autentitike ia lë vendin një gjuhe artificiale.
“Fusha moderne e betejës i ngjan një makine përbindësh, që pushon. Pastaj si uverturë e zjarrtë shkrehet në ajër një fishek i vetëm gjurmëlënës dhe menjëherë vepra fillon.”
Përpunim manjak
Kjo ngritje lart e luftës e bëri Ernst Jüngerin një figurë kryesore të konservatorëve të djathtë në një kohë, kur vetë autori e sheh veten më tepër si pjesë të avantgardës dhe vepra e tij ka më shumë paralele me futurizmin. Edhe përvetësimi i saj i mëvonshëm prej nazistëve nuk i pëlqeu Jüngerit, për sa qe gjallë. Për më tepër, mania e përpunimit, që ai i bën veprës së tij, tregon se sa e thellë ishte tek ai trauma e luftës.
Pas stilizimit të Jüngerit qëndron një proces psikologjik përpunimi, i cili është unikal nga ana letrare. Vetëm krahasimi i botimeve të ndryshme të “Stuhive të çelikut” tregon se çfarë gjurmësh la tek ai lufta, të cilat nuk u shëruan me të vërtetë.
Në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë e përshkroi Erich Maria Remarque Luftën e Parë Botërore. “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” është portreti i një brezi, i cili shkoi që nga bankat e shkollës me eufori në luftë dhe që u vra në fund nga makina vrastare e luftës.
“Ne mësuam se një kopsë, që shkëlqen, është më e rëndësishme se katër vëllime të Shopenhauerit. Në fillim të habitur, pastaj të hidhëruar dhe më në fund indiferentë, ne pranuam se me sa duket se nuk është mendja vendimtarja, por (…) stërvitja e disiplinuar.” Përleshjet në llogore, nata në breshërinë e granatave, mërzia midis sulmeve, të gjitha këto rekruti i ri i Remarque, që tregon në vetën e parë, i përjeton shumë afër. Nxënësi fin kthehet në gjysmëqënie të shurdhët.
“Një tetar (…) tërheq pas vetes gjunjtë e thërrmuar; një tjetër shkon të ndërrojë fashot dhe mbi duart që i mbajnë derdhen zorrët. (…) Tmerri durohet po të strukesh e të mos e vështrosh; po ai vret, po të mendosh për të.”
Trupat e policisë para kinemasë, ku shfaqej filmi asgjë e re nga fronti i perëndimit, inskenim i Holivudit
Trupat e policisë para kinemasë, ku shfaqej filmi “asgjë e re nga fronti i perëndimit”, inskenim i Holivudit
“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” u botua në vitin 1929 dhe u bë brenda natës një nga librat më të suksesshëm të letërsisë gjermane. Kritikë në të gjithë botën e brohoritën romanin si “aktakuzë pacifiste kundër luftës.” Pak më vonë librin madje e filmoi edhe Hollywood-i.
Qarqe të djathta në Gjermani, nga ana tjetër, thanë se është ndotur kujtimi i ushtarëve të tyre. Në vitin 1933, pas ardhjes në pushtet të nazistëve, libri i Remarque-t u dogj publikisht dhe u ndalua. Autori i librit në këtë kohë kishte emigruar prej kohësh në Zvicër.
Derisa vdiq, Remarque gëzoi imazhin si pacifist dhe jetonte me lavdinë e dikurshme. Vepra të tjera të ngjashme ai nuk shkroi dot më. Vite më vonë ai pranoi se kishte qenë gjithmonë njeri apolitik.
Linku: http://www.dw.de/antipode-t%C3%AB-luft%C3%ABs-ernst-j%C3%BCnger-dhe-erich-maria-remarque/a-17678739
4 minutes read