Apple ka arritur të bëhet kompania me shitjen më të madhe të telefonave të mençur duke mposhtur rivalin e përhershëm Samsungun, ka njoftuar hulumtuesi i tregut teknologjik “Gartner”. Kjo kompani hulumtuese thotë se Apple ka shitur 1.8 milionë telefona më shumë se Samsungu në tremujorin e fundit të vitit 2014. Apple ka shitur 74.8 milionë iPhone në total, kurse Samsungu, që tash është i dyti, shiti 73 milionë njësi, transmeton koha.net. Një vit më parë Samsungu “shkelte” të gjitha kompanitë. Atëkohë kompania koreane kishte shitur 83.3 milionë telefona të mençur, ndërsa Apple 50.2 milionë. “Samsungu po vazhdon të ngecë në kontrollimin e tregut të telefonave të mençur”, tha Gartner pas publikimit të statistikave të fundit. Pas dy gjigantëve teknologjikë është Lenovo (që përfshin edhe brendin e Motorolas) duke shitur 24.3 milionë telefona të mençur. Huawei është i katërti me 21 milionë, ndërsa Xiaomi me 18.5 milionë njësi të shitura përmbyll top-pesëshen. Këto shifra pritet të ndryshojnë së shpejti pas lansimit të telefonave të rinj të Samsungut, Galaxy S6 dhe Galaxy S6 Edge.
1 minute read