Analiza

Armenia, humbja e pestë e Turqisë

Screen Shot 2015-04-24 at 20.12.53

Nga Bernard Guetta

Ankaraja mund të fajësojë vetëm veten. Nëse do të kishte braktisur qëndrimin e saj mohues cinik, dhe do të ishte përgatitur për 100-vjetorin e gjenocidit armen, duke njohur realitetin e fakteve, nuk do të gjendej tashmë në një pozitë të vështirë. Në vend të kësaj, zgjodhi të denoncojë paturpësisht cilindo që shprehu solidaritetin (duke filluar nga Papa) me tragjedinë e armenëve, duke bezdisur të gjitha vendet, si p.sh Shtetet e Bashkuara, që pavarësisht nga çdo gjë, nuk do të deshin të përplaseshin me qeverinë turke.

Në këtë mënyrë Turqia i shkaktoi vetes, edhe një disfatë në skenën ndërkombëtare. Deri pak kohë më parë, vendi ishte një model politik, sepse islamikët turq kishin mësuar të mbysnin çdo tejkalim të dhunshëm dhe çdo lloj shfaqeje fanatizmi, duke fituar pushtetin përmes zgjedhjeve të rregullta dhe u konfirmuar pa ndërprerje që nga viti 2002, duke respektuar demokracinë dhe duke nxitur një zhvillim të shkëlqyer ekonomik.

Të konvertuar në islamin konservator, versionin islamik të demokracisë kristiane, turqit janë konsideruar për një kohë të gjatë si bartës të modelit të shpresës. Por tani udhëheqësi i tyre Rexhep Taip Erdogan, presidenti aktual i vendit, pasi ka qenë më herët kryeministër, nuk ka asgjë për t’u marrë si shembull. Edhe nëse nuk është kthyer tek bindjet e tij rinore, duke u përpjekur të imponojë një teokraci, Erdogan ka mbetur megjithatë i tunduar nga një autoritarizëm, gjithnjë e më shqetësues. “Putini turk”, siç njihet gjerësisht në vendin e tij, nuk është më lideri i admiruar nga të gjithë, dhe kjo pasojë personale, dëmton thellësisht ambicjet e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kjo është humbja e dytë e Turqisë, sepse anëtarësimi në Evropën e bashkuar, tashmë i komprometuar nga vështirësitë e brendshme, dhe nga refuzimi i shumicës së popullsisë evropiane, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Humbja e tretë, vjen nga fakti se Turqia, përveçse nuk ka për momentin një horizont evropian, nuk mund të ëndërrojë as edhe të zhvendoset në Lindjen e Mesme, ambicje që e kishte zëvendësuar, me aspiratën për të hyrë në Bashkimin Evropian. E spikatur në normën e saj të rritjes ekonomike, me ritme aziatike dhe konkurrencën e ndërmarrjeve të saj të mesme e të mëdha, Turqia ia kishte dalë të rishkelte territoret e ish-Perandorisë së saj të humbur një shekull më parë, duke rindërtuar ndikimin e saj, jo me forcë, por me fuqinë ekonomike.

Ky projekt u duk edhe më e besueshëm, kur revolucionet arabe sollën në pushtet një grup islamikësh, të interesuar thellësisht për rrugën e ndjekur nga kushërinjtë e tyre turq.

Humbja e katërt e Turqisë, është se po e humbet edhe këtë ndikim, të tretur në kaosin aktual të një Lindje të Mesme, ku është padyshim Irani, ai që po fiton forcë. Nuk është e thënë që situata të mbetet e pandryshuar, por tani për tani gjërat po shkojnë keq për Ankaranë, dhe refuzimi i saj për të njohur gjenocidin armen, me siguri nuk do të ketë një efekt pozitiv. /“Internazionale”/ Perkthimi: a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button