Analiza

Armiku nuk është feja

Christian Caryl*

Salman Rushdie fajëson “fenë” për vrasjet në Charlie Hebdo. Ka gjetur fajtorin e gabuar

feja

Kishte kuptim që njëri prej të parëve që folën pas masakrës në revistën Charlie Hebdo të ishte Salman Rushdie, njeriu që kaloi vite të jetës duke sfiduar një kërcënim me vdekje, pasojë e një akuze për blasfemi. Ndonëse Rushdie nuk është një prej shkrimtarëve të mi të preferuar, e kam admiruar gjithmonë qëndrimin e tij të palëkundur në mbrojtje të lirisë së fjalës – dhe jam i kënaqur që qeveria britanike i mbrojti të drejtat e tij.
Po kështu, nuk dua të vë aspak në diskutim të drejtën e tij për të bërë deklaratën që bëri dje – ndonëse jam tërësisht kundër saj. Ja se çfarë tha ai:
Feja, një formë mesjetare e mosarsyes, kur kombinohet me armët moderne shndërrohet në rrezik për liritë tona. Ky totalitarizëm fetar ka shkaktuar një mutacion vdekjeprurës në zemër të Islamit, dhe pasojat tragjike i shohim në Paris sot. Unë jam me Charlie Hebdo, ashtu si të gjithë duhet të jemi, për të mbrojtur artin e satirës, i cili ka qenë gjithmonë një forcë për lirinë kundër tiranisë, pandershmërisë dhe marrëzisë. “Respekti për fenë” është bërë një frazë e koduar që do të thotë “frikë nga feja”. Fetë, ashtu si të gjithë idetë e tjera, meritojnë kritikë, satirë dhe, po, mosrespektin tonë, pa u trembur.
Nuk kam aspak problem me fjalinë e fundit. Nuk e kuptoj se si mund të kesh një shoqëri të lirë, nëse nuk lejon mundësinë e mosrespektit. Nëse kushdo prej nesh mundet të mbyllë një bisedë duke pretenduar se jemi “të fyer” nga diçka që ka thënë dikush tjetër, atëherë nuk do të kemi fare bashkëbisedime. Kështu që, jam dakord me këtë fjali.
Ato që më shqetësojnë janë fjalët e para të deklaratës së Rushdies. “Feja”. Të gjithë fetë. Jo një besim i caktuar (gjë që edhe kjo në vetvete do të kish qenë një përgjithësim i madh), por praktikisht, të gjithë ata që besojnë. Ma do mendja që ky pretendim me shtrirje kaq të gjerë bëhet i kualifikueshëm prej shprehjes “kur kombinohet me armët moderne”, por gjithësesi unë e kam të vështirë ta pranoj. Fraza “një formë mesjetare mosarsyeje” tregon se është vetë ideja e besimit fetar që përbën thelbin e problemit për Rushdie. Nëse je i bindur që të gjithë besimet janë një formë mosarsyeje, atëherë me siguri që nuk mund të presësh të kesh një bashkëbisedim racional me to.
Eshtë e mundur që Rushdie të ketë thënë “feja”, si një sinonim diplomatik për “Islamin”. Në fund të fundit, atentatorët, që thanë se i përkisnin al Kaedës, është e qartë që vunë në shënjestër Charlie Hebdo për shkak të karikaturave të revistës për Islamin. Megjithatë, tingëllon e tepruar që për këtë sulm të fajësosh anëtarët e një komuniteti fetar 1.7 miliardësh. Shumë myslimanë përreth botës e kanë denoncuar me shpejtësi vrasjen. Lidhja Arabe dhe një sërë qeverish me shumicë myslimane e kanë dënuar. Universiteti Al Azhar, instituti më i lartë arsimor i myslimanëve sunitë e ka quajtur sulmin “një akt kriminal”.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka shumë probleme në pjesë të ndryshme të botës islamike sot. Intoleranca ndaj pikëpamjeve kundërshtuese – gjë që manifestohet në ligjet për blasfeminë, për shembull – është një problem i madh. (Provoni të ndërtoni një sinagogë në Riad). Por është shumë e kollajtë të fajësosh për gjithë këto një “Islam” monolit. Sapo kam lexuar një koment të një konservatori amerikan që argumenton se “mungesa e tolerancës ndaj lirisë së shprehjes i ka rrënjët në Islamin klasik” – ndonëse, ma do mendja, definicioni i tij i “klasikes” nuk përfshin periudhat kur bota Islamike mburrej me më shumë tharm kulturor dhe mendim të lirë se sa pjesët e krishtera të botës.
Mund të tingëllojë tronditëse, por në jetën time kam takuar shumë myslimanë, dhe askush prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë interes për të më vrarë për shkak të besimit tim. Me sa duket ata thjeshtë nuk e kanë kuptuar “Islamin klasik”.
Atëherë, çfarë mund të them për pretendimin tjetër të Rushdie – se feja është në vetvete një lloj sëmundje mendore që mund të shndërrohet në një “rrezik real për liritë tona”, në çdo moment? Kjo është një pikëpamje që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje mes ndjekësve të mendimtarëve ateistë si Richard Daëkins dhe Sam Harris, të cilët vetëlëvdohen për ndershmërinë dhe gatishmërinë heorike për të hedhur tutje patericat e besimit joracional.
Problemi me këta argumenta është se radhët e besimtarëve përfshijnë njerëz të cilët kanë bërë gjëra të mëdha për të mirën e njerëzimit. Fushata jo e dhunshme e Martin Luther Kingut për drejtësi ishte e paimagjinueshme, pa të kaluarën e tij si një predikues baptist. Pastori luteran, Dietrich Bonhoeffer u ekzekutua nga nazistët sepse denoncoi Holokaustin dhe qortoi kriminalitetin e regjimit të Hitlerit. Budistë si Aung San Suu Kyi dhe Dalai Lama ia kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Murgu augustinian Gregor Mendel besonte se po bënte punën e Zotit kur hidhte themelet e gjenetikës moderne.
Fitues të Cmimit Nobel kohët e fundit, si iraniania Shirin Ebadi dhe jemenesja Tavakkol Karman na kujtojnë se myslimanët besimtarë mund të jenë edhe aktivistë shoqërorë të përsosur. Jo shumë kohë më parë, pashtunët thellësisht besimtarë të Pakistanit të sotëm “prodhuan” Abdul Ghaffar Khanin, një antikolonialist pacifist dhe mysliman, pikëpamjet e të cilit ishin të krahasueshme me ato të Gandhit.
Po kështu, të jesh ateist nuk është garanci për sjelljen e mirë. Krimet e xhihadit janë të urryer, por edhe al Kaedës dhe Shtetit Islamik u duhet edhe shumë rrugë për të bërë, përpara se të mbërrijnë shifrat e të vdekurve që shkaktuan ateistët e shekullit 20 si Mao, Stalini dhe Pol Poti, të cilët të gjithë së bashku i shkaktuan dhjetëra milionë të vdekur kësaj bote. (Hitleri ëndërronte ditën kur do të mund të varte Papën në Sheshin e Shën Pjetrit). Regjimi më jotolerant në botë sot është me siguri Korea e Veriut, ku edhe një qytetar që shfaq qoftë edhe një minimum besimi në çdo gjë tjetër veç Kim-ëve, mund të presë dënimin me vdekje apo dërgimin në një kamp përqëndrimi.
Problemi i vërtetë nuk është feja. Eshtë një dështim më i thellë psikologjik që prek qeniet njerëzore të të gjithë llojeve, qofshin këta besimtarë ose jo. Quhet “fanatizëm” – ajo cilësi e frikshme që mund të shtyjë edhe mënteligjentët e më të arsimuarit që të besojnë se pimëpamjet që kanë, justifikojnë çdo formë egërsie. Po, shumë prej këtyre njerëzve shtyhen drejt formave absolutiste të fesë – por historia tregon se ata janë njësoj të tërhequr edhe prej formave laike të ekstremizmit politik. Kam dyshime që kjo është diçka që mundemi ta çrrënjosim ndonjëherë prej përvojës njerëzore; mendoj që lufta kundër saj do të vazhdojë sa kohë që njerëzimi do të ekzistojë.
Por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë. Dhe këtë javë, kjo do të thotë që të ngrihemi dhe mbështesim vlerat që vrasësit në Rue Nicolas-Appert donin të shkatërronin. Fajësimi i fesë nuk është vendi më i mirë për t’ia filluar. /foreign policy/
Christian Caryl është autor i “Rebelë të çuditshëm: 1979-a dhe lindja e shekullit 21”
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button