Franc Ferdinandi ishte paralajmëruar. Pas aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës nga kurora e Habsburgëve, do të ishte mirë që askush nga monarkët e Vjenës të mos shkonte në Sarajevë. 28 qershori, festa e Shën Vitas, ishte një datë që u kujtonte serbëve humbjen e pësuar nga osmanët dhe fillimin e pushtimit të urryer turk.
Nuk ishte e vështirë të imagjinohej, që vizita shumë pompoze e trashëgimtari të fronit Austro-Hungarez, për të marrë pjesë në stërvitjet e mëdha ushtarake të qershorit 1914, iu duk një provokim i rëndë nacionalistëve serbë, Rusisë që i mbështeste ata, aktivistëve të pavarësisë së Bosnjes, dhe madje edhe Francës, aleate e Carit në Antantë. Habsburgët dhe bota u zhytën shpejt në Luftën e Madhe.
Ja si bota shkoi drejt luftës
Por Arkiduka nuk i dëgjoi paralajmërimet, e përsëritura edhe nga kryeministri serb. Ai udhëtim, në të cilin monarkia vjeneze duhej të tregonte gjithë fuqinë e saj ushtarake për të transformuar Bosnjë-Hercegovinën në një shtet të bashkuar dhe të integruar në perandori, ishte për të misioni më i rëndësishëm.
Atë ditë ai shoqërohej nga gruaja, kontesha boheme Sofia Shotek, me të cilën ishte martuar kundër vullnetit të xhaxhait të tij Franz Jozefit. Ajo ishte ulur pranë tij në makinë. Sigurisht, fitimi i luftës së gjatë kundër oborrit mbretëror në favor të Sofias, e bëri atë më pak të kujdesshëm. Dhe kjo gjë bëri të mundur ndodhjen e atentatit të shekullit, që ishte shkëndija solli shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Dy të shtëna fatale me pistoletë
Makina po kthehej mbrapsht dalëngadalë, mbi një urë të qytetit të Sarajevës, kur një boshnjak i ri doli papritmas para makinës ku ndodhej çifti dhe qëlloi 2 herë mbi ta, duke i vrarë. Ishte ora 10:45 e mëngjesit të 28 qershorit 1914. Pikërisht një muaj më vonë, më 28 korrik, Austria i shpalli luftë Serbisë, e mbështetur në vendimin e saj nga Gjermania.
Si në një lojë dominoje, aleancat e kryqëzuara shkaktuan veprime dhe reagime midis fuqive evropiane, që nuk kishin luftuar prej vitesh kundër njëri-tjetrit, por që ishin të armatosur deri në dhëmbë (sidomos Gjermania) dhe nuk prisnin asgjë tjetër përveç pretekstit.
Rezultati ishte masakra e pamasë e Luftës së Parë Botërore e cila përfundoi në nëntor 1918.
Djali që hyri në histori me ato dy të shtëna quhej Gavrilo Princip, dhe ishte një nga 9 fëmijët e një familje të varfër me origjinë fshatare, që jetonte në Obljaj, një nga fshatrat më të thellë të Bosnje Hercegovinës, afër kufirit me Kroacinë e sotme.
Kur u pagëzua, prifti bëri një gabim në regjistrimin e datës së lindjes së fëmijës: ai shkroi 13 korrik 1894 në vend të 13 qershorit (sipas kalendarit Julian). Një detaj i parëndësishëm? Jo dhe aq, pasi pa atë gabim sipas ligjeve të Perandorisë Austro-Hungareze, Gavrilo do të kishte qenë në moshë madhore kur vrau Arkidukën dhe gruan e tij, çka që do të thoshte dënim me vdekje. Ndërkohë duke qenë 1 muaj më i vogël, u dënua vetëm me burg.
Shtatë djem pa përvojë, por idealistë
Gjykuar nga sot, është mbresëlënëse që 7 djem shumë të rinj, të gjithë 17- 19 vjeç, vendosën të kryejnë vrasjen e një personi kaq të rëndësishëm (përveç organizatorit, mësuesit Danilo Iliç, që ishte 27 vjeç), pa përvojë në përdorimin e armëve, bombave dhe në planifikimin e atentateve.
Shtatë djem të pastërvitur por shumë idealistë, të cilët menduan se do të dëbonin të huajt duke eleminuar një simbol të pushtetit të tyre. Në veçanti Gavrilo, ishte një nxënës imcak kishte ndjekur shkollën e mesme në Sarajevë.
I apasionuar pas artit, letërsisë dhe poezisë, ai nuk ngurroi te merrej me politikë, kur ra në kontakt me “Bosnja e Re”, grupimin studentor revolucionar, të cilit i lindi ideja e vrasjes së trashëgimtarit të fronit të Habsburgëve, që kishte guxuar të përfshinte Sarajevën në turin e tij.
I gjithë itinerari i vizitës bashkë me oraret e udhëtimit me makinë në qytet, ishin botuar prej ditësh në shtypin vendas. Ndaj atentatorët kishin të gjithë informacionin, dhe kohën e duhur për t’u organizuar.
Të gjithë u dënuan me vdekje
Më 28 qershor 1914, të 7 atentatorët u pozicionuan përgjatë lumit që kalonte në qytet. Ata kishin nëpër duart 6 bomba dhe 4 pistoleta me nga 7 plumba secila, plus 4 karikatorë të tjerë me nga 6 plumba secili. Do të vepronte ai që do të qëllonte më afër makinës ku udhëtonte “tirani” dhe gruaja e tij.
Por kush ishin të tjerët që ishin gati të rrezikonin jetën e tyre për të vrarë Arkidukën? Përveç Gavrilo Princip dhe Danilo Iliç, grupi përbëhej nga Vaso Çubriloviç (më i riu 17 vjeç), Nedeljko Çabrinovic, Trifko Grabez, Muhamed Mehmedbasiç dhe Cvjetko Popoviç, të gjithë anëtarë të grupimit “Bosnja e Re”.
Pastaj ishin gjithë ata (fshatarë dhe mbështetës të lëvizjes së pavarësisë), që i kishin strehuar midis Beogradit dhe Sarajevës, duke i ndihmuar edhe me armë. Asnjëri prej tyre nuk foli, dhe as i tradhtoi komplotistët. Në total, të paktën 15-20 persona u përfshinë në atentatin e 28 qershorit kundër Arkidukës.
Pas një hetimi të kryer me shpejtësi, të gjithë u dënuan me vdekje. Bota jashtë ishte në flakë, ndërkohë ai kishte mbushur 21 vjeç vetëm një ditë më parë. Princip, që në burg ankohej se nuk mund të lexonte, tentoi 2 herë vetëvrasjen, ndërsa vdiq nga tuberkulozi më 28 prill 1918. / Focus – Bota.al