Ekonomi

“Avaria” e madhe

avariaNë 2014-ën, Ishte një “avari” e politikës që shkaktoi tre dekada të tmerrshme për ekonominë botërore. Tregjet dhe veprimtaria ekonomike mund të përballojnë një pjesë të madhe të stresit dhe pasigurisë politike – deri në pikën kur rendi ndërkombëtar pëson “avari”
Kemal Derviş
Ky muaj – 100-vjetori i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore – është një kohë e përshtatshme për të reflektuar mbi risqet e mëdhenj. Siç paralajmëronte kohët e fundit Michael Spence, defiçiti në rritje i sigurisë së rendit ndërkombëtar, i cili reflekton dobësimin e çfarëdolloj qeverisjeje globale që ne kemi, po shndërrohet me shpejtësi në rrezikun më të madh që po përballet ekonomia e botës. I njëjti konkluzion mund të ishte nxjerrë një shekull më parë.
Në 30 qershor 1914, anijet austriake të luftës bombarduan Beogradin, pesë javë pas vrasjes së Dukës Ferdinand në Sarajevë. Në mesin e gushtit, bota ishte zhytur në luftë. Marrëveshja e Paqes që u firmos katër vjet më vonë, pasi kishin vdekur rreth 20 milionë njerëz, solli vetëm një interlud, përpara se të vinin tmerret e Luftës së Dytë Botërore.
Në vitet para gushtit 1914, deri kur u vra Duka, ekonomia globale kishte patur një performancë relativisht të mirë: tregtia ishte zgjeruar në mbarë botën, tregjet financiarë dukeshin të shëndetshëm, dhe komuniteti i biznesit nuk u kushtonte vëmendje problemeve politikë, duke i konsideruar ose të përkohshëm, ose të parëndësishëm. Ishte një “avari” e politikës që shkaktoi tre dekada të tmerrshme për ekonominë botërore.
Tregjet dhe veprimtaria ekonomike mund të përballojnë një pjesë të madhe të stresit dhe pasigurisë politike – deri në pikën kur rendi ndërkombëtar pëson “avari”. Sot, për shembull, fryma mbizotëruese në ekonomi është optimiste. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje me 4% për ekonominë botërore në vitin 2015, ndërkohë që indekset e bursave janë rritur në shumë pjesë të botës. Doë Jones, për shembull, arriti pikën më të lartë historike në muajin korrik.
Megjithatë, muajt e fundit, një avion civil është rrëzuar në Ukrainën lindore, prej një rakete të sofistikuar prodhim rus, tensionet janë rritur përreth ishujve të diskutuar në Detin e Lindjes dhe Jugut të Kinës, dhe kaosi në Lindjen e Mesme ka vazhduar të përhapet. Konflikti izraelito-palestinez është në një prej fazave më të këqia në disa dekada, teksa zemërimi po arrin majat për shkak të vrasjes së civilëve të pafajshëm në Gaza, gjë që po nxit reagime ekstremë. Terroristët mund të jenë në prak të projektimit të armëve më pak të gjurmueshme.
Ka edhe rreziqe të tjerë, më pak “politikë”. Afrika Perëndimore është goditur prej shpërthimit të tmerrshëm të virusit të Ebolës, i cili do të shkaktojë vdekjen e mijëra personave. Deri tani shpërthimi ka mbetur rajonal, por ai shërben si kujtesë që, në një epokë transporti ajror të përdorur nga miliona vetë, askush nuk është i sigurtë nga përhapja e sëmundjeve infektive. Frenimi i një sëmundjeje apo një sulmi terrorist përmes zvogëlimit të trafikut ndërkombëtar do ta shkatërronte ekonominë botërore.
Tek mendojmë për gushtin 1914, duhet të kujtohemi se katastrofat e mëdha materializohen gradualisht. Udhëheqësit mund të jenë “somnambulë” që nuk arrijnë të menaxhojnë riskun, duke krijuar për shembull institucione që mund të kanalizojnë interesat që përplasen dhe pretendimet që nxisin konflikte ndërkombëtarë. Një somnambulizëm i tillë nga politikëbërësit shkaktoi krizën e madhe të vitit 2008. Pasojat e saj nuk ishin aq katastrofike, ndonëse efektet politikë të papunësisë masive dhe perceptimin në rritje të pasigurisë ekonomike i kemi të pranishëm mes nesh.
Këta shembuj duhet të shtyjnë botën që të gjejë mënyra për bashkëpunim. Por e kundërta duket se po ndodh. OKB duket më e paralizuar se kurrë. Kongresi i SHBA nuk ka miratuar ende paketën e reformave të FMN, për të cilën u ra dakord në vitin 2010, duke dobësuar kështu një prej institucioneve ndërkombëtarë më të rëndësishëm. Pjesërisht për arsye se SHBA e bën kaq të vështirë rritjen e kapitalit dhe reformat e qeverisjes të institucioneve financiarë globalë, vendet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) kanë lançuar Bankën e tyre për zhvillim, e cila do ta ketë qendrën në Shangai.
Po kështu, më vend të ofrojnë një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit mbikombëtar dhe sovranitetit të përbashkëzuar për shekullin 21, Bashkimi Europian mbetet i mbërthyer në grindje të parëndësishme. Ndërkohë që ende nuk bie dakord për projektin e unionit të tij bankar, BE po lejon kryeministrin Viktor Orban të HUngarisë, një vend anëtar ky, që të denigrojë vlerat demokratike dhe liberale, mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian.
Rruga përpara nuk mund të jetë një rikthim në të shkuarën, me shtetet-kombe që përplasen mes tyre. E ardhmja mund të sigurohet vetëm përmes një bashkëpunimi të fortë mes gjithë atyre që janë të përkushtuar ndaj demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit, pa standarte të dyfishtë dhe pa justifikime, si dhe përmes një forcimi të duruar të institucioneve ndërkombëtarë që mishërojnë këto vlera dhe mund t’i vënë ato në praktikë.
Sa herë që një fuqi rajonale apo globale vepron në mënyra që bien ndesh me këta vlera, apo bën aleancë me ata që veprojnë kështu, ajo dëmton rendin ndërkombëtar, i cili duhet të ofrojë siguri dhe rritje të begatisë (në një farë mase e ka bërë). Ekonomia globale premton shumë, por është një premtim që mund të përmbushet vetëm në një sistem ndërkombëtar të bazuar mbi rregullat, konsensusin, respektin dhe një kuptim të përbashkët të drejtësisë.
Fakti që as kaosi në Lindjen e Mesme dhe as kriza në Ukrainë nuk prekin tregjet financiarë, nuk duhet të na joshë të biem në vetëkënaqësi. Kujtimi i gushtit 1914 na tregon se si bota shkoi me shpejtësi drejt katastrofës. Siç e dimë – apo duhet ta dimë – nga shembulli i ndryshimit të klimës – risqet e mëdhenj duhet të menaxhohen, edhe nëse probabiliteti për skenarin më të keq të mundshëm është i ulët. /Project Syndicate/
Kemal Derviş, ish Ministër i Cështjeve Ekonomike të Turqisë dhe ish Administrator i UNDP, është zëvendës president i Institutit Brookings

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button