BotaMAIN

B-52 amerikanë lëshojnë bombat antibunker mbi Iranin. Trump: E kemi eliminuar programin bërthamor

Pak para orës 2 të mëngjesit, të dielën e 22 qershorit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se ka goditur tre objekte bërthamore iraniane. Shtetet e Bashkuara janë përfshirë kështu në luftën e nisur nga Izraeli kundër Iranit për të shkatërruar programin e tij bërthamor.

Irani kishte paralajmëruar se, nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin një sulm, çdo objektiv amerikan në rajon do të konsiderohej si shënjestër “legjitime”.

Natën e të enjtes më 13 qershor, Izraeli kishte kryer një sulm të fuqishëm kundër Iranit, pas një konflikti të gjatë me intensitet të ulët mes të dy vendeve.

Tel Avivi kishte goditur infrastrukturën bërthamore iraniane, kishte likuiduar udhëheqësit ushtarakë, kishte vrarë shkencëtarë të nivelit të lartë dhe kishte shkatërruar radarët dhe pozicionet raketore, duke përdorur avionë luftarakë dhe drone të futur në mënyrë klandestine më herët. Irani iu përgjigj me disa sulme me raketa. Bombardimet mes dy palëve po vazhdojnë.

Çfarë tha Trump

“Ne kemi goditur objektet në Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjithë i njohin këto emra, i kemi dëgjuar për vite me radhë sepse Irani ka ndërtuar një aktivitet shkatërrues. Qëllimi i sulmit tonë është t’i japë fund kërcënimit bërthamor nga shteti i parë që sponsorizon terrorizmin.”

Sipas Trump-it, sulmi ishte një operacion ushtarak “me sukses spektakolar. Objektet bërthamore iraniane janë pothuajse plotësisht të shkatërruara. Dhe tani ka ardhur koha që Irani të bëjë paqe. Për 40 vjet ata kanë thënë ‘vdekje Amerikës, vdekje Izraelit’. Kanë vrarë njerëzit tanë, kanë hedhur në erë këmbët dhe krahët e tyre, kanë vënë në rrezik mijëra jetë. Shumë njerëz kanë vdekur.

Unë e falënderoj Netanyahu-n dhe dua ta përgëzoj, kemi punuar si një ekip, si kurrë më parë. Dua të falënderoj ushtrinë izraelite për punën e madhe që ka bërë, por mbi të gjitha patriotët tanë të mëdhenj që sollën këto makina të mrekullueshme mbi qiellin e Iranit. Ne kemi nevojë për aftësinë dhe kompetencën e tyre. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit brilantë që morën pjesë në këtë sulm. Kështu nuk mund të vazhdohet më, tani ka nevojë për paqe. Ka ende shumë objektiva për të goditur, por nëse nuk arrihet paqja, ne do të vazhdojmë. Shumica e këtyre objektivave mund të shkatërrohen për disa minuta. Nuk ka ushtri në botë që mund të bëjë atë që bëmë ne sonte.”

12 bomba “bunker buster” të lëshuara nga 6 B-2

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar 12 bomba “bunker buster” nga gjashtë avionë B-2 mbi objektin bërthamor iranian të Fordow. Kështu ka deklaruar një burim amerikan për CNN, duke saktësuar se nëndetëset kanë lëshuar 30 raketa cruise Tlam ndaj dy objekteve të tjera në Natanz dhe Isfahan dhe se një avion B-2 ka lëshuar dy bomba të tjera bunker buster edhe mbi Natanz.

SHBA përgatitet për kundërpërgjigjen

Administrata Trump po përgatitet për kundërpërgjigje të mundshme nga Irani dhe 48 orët e ardhshme konsiderohen veçanërisht shqetësuese. Këtë e raporton rrjeti amerikan NBC, duke cituar dy zyrtarë të Pentagonit dhe një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Nuk është e qartë nëse ndonjë kundërpërgjigje do të ndodhë jashtë vendit apo në territorin amerikan – apo në të dyja bashkë – thanë zyrtarët. Dy ekspertë të planifikimit ushtarak deklaruan në fillim të javës se Irani tashmë ka planifikuar të godasë bazat dhe burimet amerikane në Lindjen e Mesme, nëse do të jetë e nevojshme. Bazat dhe burimet amerikane ndodhen në gjendjen më të lartë të gatishmërisë prej muajsh, por pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Iranit më 13 qershor, shqetësimet për një kundërpërgjigje të Iranit ose të përfaqësuesve të tij në rajon janë shtuar ndjeshëm.

Teherani: “E drejta jonë të rezistojmë me çdo mjet të nevojshëm”

Shtetet e Bashkuara kanë nisur një “luftë të rrezikshme kundër Iranit” duke goditur objektet e tij bërthamore. Kështu thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme iraniane, të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim.

“Bota nuk duhet të harrojë që ishin Shtetet e Bashkuara, në mes të një procesi diplomatik, që e tradhtuan diplomacinë,” thuhet në deklaratë, ku SHBA-të akuzohen për nisjen e “një lufte të rrezikshme kundër Iranit.”

Sipas Teheranit, sulmet përbëjnë shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, dhe qeveria amerikane “mban përgjegjësi të plotë për pasojat e rënda dhe të tmerrshme të këtij krimi të rëndë.”

“Irani ka të drejtën legjitime të rezistojë plotësisht dhe vendosmërisht ndaj agresionit ushtarak amerikan dhe ndaj krimeve të kryera nga ky regjim bandit, dhe të mbrojë sigurinë dhe interesat kombëtare të Iranit me të gjitha mjetet e nevojshme,” vijon deklarata, duke u bërë thirrje OKB-së dhe agjencive të saj, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), që “të përballen me këtë akt flagrant dhe kriminal të paligjshmërisë.”

Irani ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në një letër të publikuar sot, Teherani i bën thirrje Këshillit që të dënojë sulmet amerikane ndaj objekteve të tij bërthamore.

Në mesazh, ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, e përshkruan sulmin amerikan si një “kërcënim të rëndë për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare” dhe konfirmon detajet e sulmit, që goditi objektet bërthamore të Fordow, Natanz dhe Isfahan në orët e para të ditës së sotme./ bota.al

Back to top button