Analiza

Babeli i xhihadit global

Udhëtim mes luftëtarëve të huaj evropianë që luftojnë për xhihad:sa janë, ku jetojnë dhe ku mund të godasin

Screen Shot 2015-04-05 at 23.37.41

Një nga nëntë qytetarët britanikë të arrestuar në Turqi për shkak se donin të kalonin kufirin me Sirinë, ndoshta me synimin për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it, është djali i një këshilltari laburist në qytetin anglez të Roshdejlit. Vendimi i 22-vjeçarit Waheed Ahmed, ka vënë jo pak në siklet babain e tij Shakil Ahmed por edhe partinë e tij, pikërisht në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 Majit.

Por përtej mundësive të mëdha apo të vogla të një spekullimi politik mbi këtë çështje, të vjen natyrshëm të pyesësh se çfarë kërkonte një i ri nga një familje e mirë në kufirin turk. Një pyetje, që gjen përgjigje tek një raport shqetësues i Kombeve të Bashkuara të publikuar sot nga “Huffington Post”: vitin e fundit, numri i luftëtarëve të huaj, u rrit me 71 përqind. Vetëm në gjirin e Shtetit Islamik, janë rreshtuar 25 mijë luftëtarë të huaj, nga mbi 100 vende të botës. 6.500 të tjerë gjenden në Afganistan, ndërsa qindra të tjerë po luftojnë në Jemen, Libi dhe Pakistan.

Madje edhe midis militantëve të etur për gjak si Al-Shabaabi somalez apo edhe terroristët e Boko Haramit nigerian, ka luftëtarë të huaj. ”Mijëra luftëtarë të huaj, të cilët kanë shkuar në Siri dhe Irak- thotë raporti i OKB-së – jetojnë dhe punojnë në një shkollë të vërtetë që perfeksionon terroristët, sikurse ndodhte në Afganistan në vitet ‘90”.  Sipas analistëve të Kombeve të Bashkuara, kjo nuk është një çështje vetëm e myslimanëve të brezit të dytë ose të tretë, siç ishin vëllezërit franko-algjerianë Kuashi, përgjegjës për kasaphanën në redaksinë e së përjavshmes satirike “Charli Hebdo” apo maliani Kulibali, përgjegjës për masakrën në supermarketin hebre në “Porte de Vincennes”, por edhe të konvertuarit rishtaz në fenë islame.

“Numri i të konvertuarve është i rëndësishëm, sepse përfaqëson një të katërtën e luftëtarëve të huaj – shpjegon studuesi Oliver Roj – Nuk hasim këtë përqindje të të konvertuarve, në asnjë shoqëri tjetër myslimane”. Kjo për shkak se të rinjtë nuk radikalizohen, në një shoqëri tradicionalisht islame, por nëpërmjet rrjeteve sociale dhe forumeve në internet. Është pikërisht interneti, që i vendos në kontakt dhe i përgatit ata për betejë.

Në fakt, sipas të dhënave që zotëron Roj, në mesin e luftëtarëve të huaj ka pak nga të gjitha:të rinj në moshë për shkollën e mesme, por edhe ata tek të tridhjetat, dhe sidomos gratë. Pjesa rozë e luftëtareve, shkon deri në 16 përqind. Të gjitha këto, sipas Roj, “nuk janë prurje as nga xhamitë apo mjediset myslimane”. “Ata pasqyrojnë një fenomen atomizimi dhe individualizmi. Radikalizohen mes të rinjve në rrjetet sociale”- përfundon ai.

Është Evropa, toka e thirrjes së miliona emigrantëve, kontinenti ku propagandohet më shpejt embrioni i xhihadit. Myslimanët e radikalizuar dhe luftëtarët e huaj, shkojnë dhe vijnë pa ndonjë problem. Këtë e dëshmojnë kontaktet e vëllezërve Kuashi me Al-Kaedan në Jemen, duke i shpëtuar prej kohësh shërbimeve inteligjente franceze, apo edhe kapilariteti i celulës britanike “Beatles”, i cila përfshin Muhamed Emvazin (i njohur më mirë si xhihadisti Xhon, xhelati i pengjeve amerikane Xhejm Folej dhe Steven Sotlof), si dhe milicia që e ndjek në ekzekutimet që kryen.

Edhe ata u kanë shpëtuar kontrolleve të agjentëve 007 të shërbimit sekret britanik MI6. Në Evropë, vendin që “ka furnizuar më shumë luftëtarë të huaj, në raport me popullsinë është Belgjika:440 luftëtarë, në një popullsi 11.4 milionë banorë. Pastaj është Franca (1200 luftëtarë), Britania (zyrtarisht 600, por mund të mbërrijnë në 2000 persona), Gjermani (mes 500- 600 militantë, megjithatë mbajnë role të rëndësishme udhëheqëse në hierarkinë xhihadiste), Suedia (në mes 250 dhe 300), Holanda (200-250) , Danimarka (100-150), dhe më pak  Spanja (50-100), Norvegjia (afro 60), Finlanda (50-70) dhe Irlanda (30). Nga Italia mendoset se kanë shkuar për xhihad afro 80 persona. Një vëmendje të veçantë meriton Austria:nga aty janë nisur 150 luftëtarë, por sipas shërbimeve inteligjente, janë rikthyer tashmë 60 prej tyre. Këta pra janë tërësisht të lirë, dhe mund të enden në gjithë Evropën. Edhe nga Ballkani, OKB-ja ka konstatuar një bum nisjesh:Shqipëria ka “eksportuar” 90 luftëtarë, Serbi 70, Bosnje dhe Hercegovina 340, dhe Kosova 150. Shifra këto që të ngrijnë gjakun./ilgiornale/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button