Tek Barcelona kanë nisur të mendojnë prej javësh për sezonin e ri dhe për merkato e verës. Teksa skuadra është në përgatitje e sipër për javët e mbetura në “La Liga” ku objektivi parësor mbetet titulli, si dhe për finalen e Kupës së Mbretit kundër Alaveshit, mediat katalanase janë marrë gjerë e gjatë me atë çfarë pritet të ndodhë në verë në Barcelonë. E sigurt është se jo pak nga lojtarët që kemi parë në këtë sezon nuk do të jenë më pjesë e gjigantëve spanjollë në sezonin e ri. Barcelona po përgatitet për një fushatë të rëndësishme blerjesh që mund të kulmojnë me Filipe Kutinjon e Liverpulit. Por për të blerë duhen miliona euro dhe fillimisht Barcelona duhet të shesë për të menduar më pas për blerjet e verës.
Afrimet – Gazeta e Barcelonës “Mundo Deporivo” është e sigurt se në orët e fundit përfaqësues të Barcelonës kanë kontaktuar me Seviljen në lidhje me sulmuesin Vitolo. Sipas gazetës spanjolle në fjalë, kjo ka qenë një kërkesë e trajnerit Horge Sampaoli, nëse do të jetë ai tekniku i zjedhur për të drejtuar Barçën. Të gjithë presin që Sampaoli të firmosë me Argjentinën, por në Barcelonë nuk e përjashtojnë ndonjë surprizë të orës së fundit. “Mundo Deportivo” ka nënvizuar se Sevilja ka kërkuar rreth 40 milionë euro për lojtarin e vet, i cili pëlqehet shumë edhe nga Atletiko e Madridit dhe Mançester Siti i Guardiolës. Po ashtu në planet e Barcelonës është dhe ylli i Liverpulit, Filipe Kutinjo edhe pse çmimi për brazilianin është shumë i kripur, duke u rrotulluar diku tek 90 milionë eurot.
Largimet – Në ndryshim nga gazeta “Mundo Deportivo”, sportivja tjetër e Barcelonës “Sport” është marrë me largimet dhe me bilancin ekonomik. “Sport” ka bërë të qartë se Barcelona ka nevojë për miliona euro për t’u futur seriozisht në merkato. Në këto kushte ajo është e detyruar të shesë disa lojtarë nga ku pritet të përfitojë rreth 75 milionë euro. Në listën e lojtarëve që pritet të largohen janë emra të rëndësishëm si Arda Turan, Aleiks Vidal, Matjë, Munir, Vermalen, Tejo dhe Masip.
Vitolo gati të shkojë tek Barça
Mediat spanjolle pranë Barcelonës kanë bërë me dije se katalanasit janë gati të afrojnë yllin e Seviljes, Vitolo. Ndërkaq, vetë lojtari i Seviljes ka folur për “Marca”, duke u shprehur i lumtur për interesimin e Barcelonës për të. “Interesimi i një klubi të madh si Barcelona është gjithnjë i mirëpritur dhe të bën të ndihesh mirë. Por për merkato merret agjenti im. Detyra ime është të bëj më të mirën në fushë”- ka thënë ai. Vitolo ka një kontratë deri në vitin 2020 me Seviljen.