Analiza

Bashar al Assadi dhe “Lëvizja e Djallit”

Bashar alUdhëheqësi sirian është shndërruar në një aleat de facto i Perëndimit. Si ia doli?

Dominic Tierney

Një vit më parë, Bashar al-Assadi, Presidenti i Sirisë gjendej përballë një kryengritjeje të forcuar dhe perspektivës së një lufte kundër SHBA dhe aleatëve të saj. Pasi forcat qeveritare siriane përdorën armë kimike për të vrarë më shumë se 1 mijë civilë në gusht të vitit 2013, Barack Obama kërcënoi me sulme ajrorë kundër Damaskut – përpara se një marrëveshje e minutës së fundit, për të shkatërruar arsenalin kimik të Sirisë e shmangu konfliktin.

Sot, Assadi është pothuajse një aleat zyrtar i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS), një forcë ekstremiste sunite e cila është shtrirë nga Siria, në Irakun fqinjë. Historia e mbijetesës politike të udhëheqësit sirian ofron një leksion brutal, se si diktatorët mund të përdorin dhunën për të radikalizuar kundërshtarët e tyre dhe çimentuar regjimin e vet.

Tiranët e përgatitur për luftë si Assadi, zakonisht nuk munden të fitojnë aleatë ndërkombëtarë me anë të një ofensive joshjeje. Shpresa e tyre më e madhe për të fituar mbështetje të jashtme është që të zbatojnë thënien e vjetër: armiku i armikut tim, është miku im. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchilli ka thënë: “Nëse Hitleri do të kishte pushtuar ferrin, unë do të bëja të paktën një deklaratë në favor të djallit në Parlament”.

Diktatorët munden të bëjnë Lëvizjen e Djallit: të fitojnë simpatinë ndërkombëtare, duke radikalizuar qëllimisht kundërshtarët e regjimit, me qëllim që këta kundërshtarë të duken si Hitlerë të kohëve moderne. Kjo qasje është cinike, e përgjakshme, dhe potencialisht efektive. “Eshtë e qartë se strategjia e Bashar al-Assadit është që të na vërë përballë zgjedhjes, ISIS-in ose atë, me qëllim që ne të zgjedhim Assadin”, ka vërejtur Senatori John McCain.

Si funksionon kjo “Lëvizje e Djallit”? Qëllimi është që të bësh opozitën të duket edhe më e rrezikshme se sa regjimi. Nëse je despot si Assadi, kjo nuk është gjë e lehtë. Së pari, Damasku ka një të kaluar të frikshme sa i përket të drejtave të njeriut, si dhe një listë aleatësh që të ngjan me Boshtin e të Keqes, edicioni 2014, duke përfshirë këtu Iranin dhe Hezbollahun.

Përtej kësaj, në vitin 2011, rezistenca origjinale siriane fitoi shumë miq ndërkombëtarë. Në opozitë kishte një numër të madh të moderuarish, të cilët kërkonin ndryshime demokratikë përmes përdorimit të protestave masive dhe grevave. Këto taktika të rezistencës jo të dhunshme munden që ta dëmtojnë një diktaturë, përmes rritjes së pjesëmarrjes masive në rezistencë, sprapsjes së mbështetësve të regjimit dhe fitimit të mbështetjes së huaj.

Lëvizja e Djallit kërkon transformimin e opozitës në diçka shumë më radikale dhe të rrezikshme. Nëse rezistenca jo e dhunshme është e suksesshme në rrëzimin e tiranëve, atëherë diktatorët mund të nxisin rebelët që të përdorin taktika ekstreme si terrorizmi. Autokratët duan që të shndërrojnë Gandët e sotëm në xhihadistë të nesërm. Këtu diktatorët mund të përfitojnë prej natyrës vicioze të luftës civile. Një cikël masakrash dhe hakmarrjesh është si një forcë centrifugale, që i çon të gjithë palët drejt ekstremeve. Qendra nuk mundet të mbajë, pasi katalizatori i dhunës ashpërson sjelljet, margjinalizon të moderuarit dhe e shtyn opozitën drejt një njësie më militante.

Në Siri, tre vite luftë e tokës së djegur, që ka shkaktuar 170 mijë të vdekur dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të vendit, e kanë eleminuar vetëpërmbajtjen e luftës. Me kalimin e kohës, peshorja e fuqisë brenda opozitës është zhvendosour nga grupe relativisht të moderuar si Ushtria e Lirë Siriane, tek ekstremistë si ISIS-i.

Diktatorët që përdorin Lëvizjen e Djallit mund ta çojnë më tej këtë proces radikalizimi, duke vënë në shënjestër grupe të moderuar për t’i shkatërruar, ose për t’i provokuar që të kryejnë akte terrorizmi. Assadi vetëparaqitet si gardian i kombit përballë xhihadistëve sunitë, por ai vetë ka inkurajuar qëllimisht rritjen e ekstremizmit. Forcat e presidentit sirian kanë lejuar ISIS-in që të konsolidojë një kalifat në Sirinë verilindore, si një paralajmërim të dukshëm, se si do të ishte alternativa ndaj sundimit të Assadit. Në të vërtetë, trupat e tij rrallëherë luftojnë me ato të ISIS-it, duke e ruajtur zjarrin e tyre për armiq më të moderuar. Thuhet madje se regjimi ka liruar xhihadistë nga burgu për të nxitur ekstremizmin brenda opozitës, dhe ka blerë naftë nga ISIS-i, duke e rritur kështu influencën e grupit.

Për Assadin, ISIS-i është i vyer. Gogoli ekstremist sunit ka çelësin e mbijetesës së tij politike. Teksa ISIS-i vazhdon sulmet në Irak, duke përdorur taktika që përfshijnë prerje kokash, kryqëzime dhe tortura sistematike, Assadi ka çimentuar aleancën e tij me Bagdadin, si edhe me Iranin, Hezbollahun dhe Rusinë.

Edhe armiqtë e Assadit po e rishikojnë strategjinë e tyre. Shtetet europianë shqetësohen për mijëra europianët që kanë udhëtuar drejt Sirisë për të luftuar Assadin – si dhe për kthimin e tyre të mundshëm si militantë të dhunshëm. Ndërkohë, SHBA ka dërguar qindra këshilltarë për t’iu bashkuar luftës ndaj ISIS-it në Irak. Pjesëtarë të administratës Obama po sprapsen nga objektivi i rrëzimit të Assadit. “Cdokush që kërkon ndryshim regjimi në Siri”, tha një zyrtar, “është i verbër përballë dekadës së fundit, apo edhe kolapsit të Sirisë lindore, rritjes së Xhihadistanit, që po shkaktojnë 30 deri 50 sulme vetëvrasës në muaj në Irak”.

Lëvizja e Djallit është një manovër që nuk ofron siguri, përderisa radikalët që krijohen si pasojë e saj mund të rriten dhe bëhen shumë të fuqishëm për t’u kontrolluar. Për një diktator, idealja do të ishte një forcë ekstremiste që do të shkaktonte frikë jashtë, por jo aq e aftë sa duhet për të rrëzuar regjimin – dhe pikërisht e tillë është ISIS-i sot. Nëse militantët bëhen shumë të fuqishëm, Assadi ndoshta do të hidhet kundër tyre me furi.

Po, Lëvizja e Djallit është me risk – por është një risk i përllogaritur. Një diktator që ndodhet para mundësisë së ndryshimit të regjimit mund të jetë i prirur të vërë bast. Ndoshta Muammar Qaddafi dhe Hosni Mubaraku e humbën pushtetin sepse nuk arritën ta luajnë lojën në mënyrë aq të pamëshirshme sa Assadi.

Cfarë mund të bëjë Uashingtoni? Lëvizja e Djallit funksionon pikërisht se i paraqet Perëndimit një alternativë të qartë: një të keqe më të madhe, apo një të keqe më të vogël. Megjithatë, përpara se të “votojmë” për Assadin, ne duhet të mendojmë jo vetëm për zgjedhjen e sotme, por edhe për panoramën kohëgjatë. A është Damasku origjina e problemit? A është e mundur një zgjidhje e qëndrueshme, nëse Assadi mbetet në pushtet? A ka një alternativë të tretë?

Më shumë se çdo gjë tjetër, lëvizja e djallit ofron një tjetër argument për veprim të hershëm me qëllim parandalimin e shpërthimit ose përshkallëzimit të luftërave civile. Përndryshe, do të zbulojmë se armiku i armikut tonë është një dreq. /The Atlantic/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button