Shkence

Betohem, kam parë një fantazmë! Aty ku shkenca takon (dhe shpjegon) të mbinatyrshmen

Fantazma, “prani” ose zëra të çuditshme: bëhet fjalë për eksperienca aspak të rralla, të cilave kanë nisur t’u zbulohen mekanizmat

Screen Shot 2015-07-08 at 09.44.59

Pallati “Hampton Court” në Londër, që përveçse banesë historike e shumë sovranëve anglezë, është konsideruar edhe si vendi më i magjepsur i botës. Vizitorët tregojnë për eksperienca të çuditshme: hije misterioze që lëvizin në korridore, zëra dhe zhurma, edhe kur dhomat janë bosh, rryma ajri të akullta, ndjesia e të qënit i prekur nga qënie të padukshme. Duke ia ngulur sytë njërës prej pasyrave të lashta, dikush tregon të ketë parë të shfaqet një fytyrë monstre… të gjitha trillime? Apo ka diçka të vërtetë në eksperimentimin e “pranisë” së mbinatyrshme, për të cilën flitet?  Pyetjet janë gjithmonë të njëjta. Por risia sot, është që ndaj këtij tipi ekperiencash – që janë herë frut i sugjestionimit ose i mashtrimit, e herë të tjera jo – po interesohet shkenca. Me rezultate të çuditshme.

E VARROSUR PER SE GJALLI. Ata që kanë parë një fytyrë të frikësuar në pasqyrë, sa për të filluar, nuk kanë qenë vetëm vizitorët e Hampton Court-it. Sipas një legjende angleze, në fakt, kjo është një eksperiencë që munden ta provojnë të gjithë. Për ta bërë të ndodhë duhet të vendosesh përpara një pasqyre, në një dhomë pothuajse të errët, të fiksosh pamjen tënde tek pasqyrohet, dhe të përsërisësh “Bloody Mary, Bloody Mary, Blody Mary…” , në fillim ngadalë, e më pas gjithmonë e më fortë, për 13 herë resht.

Bloody Mary është nofka e një vajze të vogël, e varrosur për së gjalli nga i ati, në Tetëqindën, pasi ishte e sëmurë nga tifoja, një sëmundje atëherë e pakurueshme. Vajza, sipas legjendës, i kishte gjakosur duart në përpjekje për t’u larguar, dhe sot kthehet të trazojë ata që e thërrasin. “Një mikja ime, thotë se shoqja e saj e dhomës e ka provuar dhe ka dalë duke bërtitur nga banjoja”, tregon një vajzë që ka shkruajturr në Facebook, një nga të shumtat që interesohen pas këtij argumenti. “Dridhej si gjethe nga tmerri dhe refuzonte të fliste, por kur miqtë i panë duart, vërtejtën se i kishte gishtat të mbuluar me gjak, pikërisht si të Bloody Mary-t”.

FANTAZI?

Përveç disa detajeve (gjakut), eksperienca si kjo mund të verifikohen realisht. E ka demonstruar Giovani Caputo, një studiues i Departamentit të Shkencave mbi Njeriun, në Universitetin e Urbino-s, me një eksperiment. I ka kërkuar 50 personave të fiksojnë vështrimin  mbi vetë fytyrën e reflektuar në një pasqyrë, për 10 minuta, në një dhomë me pak dritë. Pas më pak se një minute, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve filloi të perceptonte shformime të çuditshme të fytyrës së vet, që dukej se më pas konvertohej në atë të afërmve, të gjallë ose të vdekur, në fytyra prototipe, si ajo e një plake, e një fëmije ose portreti i një paraardhësi, në fytyrën e kafshëve, ose në atë të krijesave montruoze dhe të fanatazisë… Motivi? Një shpjegim i mundshëm është, të paktën pjesërisht, efekti “Troxler”, një iluzion perceptimi për të cilin, nëse fiksohesh pas një pike për pak sekonda, gjithçka që gjendet përreth qendrës së vëmendjes dhe që nuk ndryshon, priret të zhduket. “Ndodh sepse neuronet ndalojnë së transmetuari sinjale ndaj trurit, nëse stimuli mbetet identik”, shpjegon Suzana Martinez-Conde në Institutin Barrou të Neurologjisë në Feniks, në Arizona (USA). “Mjafton të pulisësh qepallat ose të zhvendosësh lehtë vështrimin, dhe ajo që ishte zhdukur, kthehet e pranishme në fushëpamje. Në të njëjtën mënyrë, edhe gjurmët e një fytyre në pasqyrë priren të zhduken e të rishfaqen, në varësi të lëvizjeve të syrit dhe të trurit tonë, dhe kështu rimbushin “hapësirat boshe”, duke krijuar imazhe të prodhuara nga eksperiencat tona dhe shpresat tona”. Gjysëmerrësira është një gjendje që rrit praninë e këtyre boshllëqeve, e kështu lehtëson rolin aktiv të trurit.

KUSH MË PREK? Sado interesant mund të jetë ky eksperiment, sigurisht nuk mund të shpjegojë të gjithë fenomenet e shfaqjeve ose të “pranisë”. Duke filluar nga ato fantazma që, në vend që të bëhen të dukshme, “ndjehen”.

B.D. është një zonjë që ka mbetur e ve, e cila, para ekspertëve të Komitetit Italian për kontrollin e pohimeve ndaj pseudoshkencave (CICAP), ka treguar sesi më shumë sesa një herë, ndërkohë që ishte e zënë duke zgjidhur disa llogari ose gjatë leximit, ka patur ndjesi shumë të qartë se dikush e prekte, një krah ose një shpatull… Sa keq që ishte vetëm në shtëpi.

Një grup studiuesish të Politeknikut të Lozanës, i udhëhequr nga Olaf Blanke, kanë demonstruar që edhe haluçinacionet e “prekjes” të këtij lloji ekzistojnë, mund t’i provojnë të gjithë dhe munden të studiohen në laborator. Studimi nisi nga një kërkim mbi mekanizmat neurologjike të pacientëve të prekur nga shqetësime epileptike, me haluçinacione dhe perceptime fantazmash. Por është zbuluar në fakt që, në persona të tillë, fenomeni do t’i detyrohej një “vonese” në komunikimet ndijore dhe motore në sistemin nervor: futet kështu, në tru, dyshimi i pranisë së mundshme të një personi tjetër. Ato që përfshihen janë tre zona cerebrale, të cilat përpunojnë informacionin, i cili vjen nga shqisa të ndryshme, dhe krijojnë kështu perceptimin e trupit.

NUK MUNDEM MË!

Duke u nisur nga ky zbulim, Blanked dhe kolegët e vet kanë ideuar një sistem për të riprodhuar këtë “stonim ose mosmarrëveshje”. Disave prej pjesëmarrësve (të shëndetshëm) u ishin lidhur sytë dhe u ishte kërkuar të kryenin disa lëvizje me duart, ndërkohë që në shpinën e tyre një krah robotik u përgjigjej në kohë reale, duke prekur shpinën e të interesuarve. Deri këtu asgjë nuk është e çuditshme. Por më pas, eksperimenti është përsëritur duke futur një vonesë midis lëvizjeve të duarve dhe atyre të robotit: në këto kushte, subjektet kanë përjetuar shtrembërime të forta perceptive, duke paralajmëruar “prani” të ngjashme me fantazmat. Për disa, ndjesia ishte totalisht e bezdisshme, aq sa kanë kërkuar të ndërpritej eksperimenti.

FANTAZMA ROMANJOLE. Përveçse me shfaqjen dhe me prekjen – ose me një ndjesi më të paqartë të “pranisë” – fantazmat munden të shfaqen edhe me zë. Siç do të ndodhte në Kështjellën e Montebellos, në provincën e Riminit, ku thuhet se mund të ndjehet zëri jo i qetë i një fantazme me emrin Azzurrina. Edhe pse ka qënë demonstruar që disa nga këto zëra mund të jenë në realitet kënga e një palloi, në raste të tjera nuk është gjetur shpjegimi.

Por perceptimi i zërave pa trup është një eksperiencë jo e rrallë. Vlerësohet që, në Itali, e kanë provuar, në gjendje të zgjuar, mbi 2 milionë njerëz. Ndoshta ka të bëjë me haluçinacione të dëgjimit dhe jo gjithmonë janë simptoma të shqetësimeve psikiatrike. Jashtë disa patologjive mendore si skizofrenia, në fakt, është konsideruar normale të dëgjosh zëra. Ndodh edhe më shpesh në fazat e përgjumjes e të rizgjimit, ose pas vdekjes së një personi të dashur (dëgjimi i zërit të të ndjerit). Studime të fundit kanë dokumentuar megjithatë, që haluçinacione të ngjashme munden të manifestohen edhe në persona jo në zi, pa patologji dhe me një jetë sociale e pune normale.

ZHURMA DHE AJRI I FTOHTË

Zhurma mundet, në fund, të influencojë perceptimin që kemi për trupin tonë në hapësirë, siç e demonstron një eksperiment i kryer nga studiuesja Ana Tajadura-Jimenez, nga London University College (Britani e Madhe). Shkencëtarja i ka kërkuar një grupi vullnetarësh të godasë mbi një tavolinë, ndërkohë që disa altoparlantë të fshehur riprodhonin zhurmën në distance të shtuar. Kur zhurma vinte nga një distancë më e madhe në krahasim me pikën që godiste, vullnetarët e mbivlerësonin gjatësinë e vetë krahut, sikur të ishte zgjatur. Dhe efekti është maksimal kur distanca nga e cila vjen zhurma, është dyfish në krahasim me atë që pritet. Jo vetëm kaq. Një eksperiment i ngjashëm, në të cilin zhurma e një topi që kërcen është e vonuar, krijon një iluzion të zgjatjes së këmbëve.

Për t’u kthyer në Hampton Court, edhe aty nuk mungojnë studimet. Një skuadër e udhëhequr nga Richard Viseman, psikolog në Universitetin e Hertfordshire (Britaninë e Madhe), ka siguruar që në pika të caktuara të pallatit ka me të vërtetë rryma ajri të ftohtë. Por nuk janë fenomene konfidenciale: ka të bëjë me rryma ajri (ndjesia e një rënie të temperaturës mundet, megjithatë, të shkaktojë një ndjesi alarmi dhe frikësimi). Në vazhdën e studimit, në një pikë të caktuar, skuadra e Viseman ka menduar edhe të ketë zbuluar një prani të vërtetë të mbinatyrshme. Në 6 të mëngjesit, telekamerat termike kishin individualizuar një figurë që lëvizte në një korridor. Por, kur figura është afruar në një dollap dhe ka marrë thithësen e pluhurave, ekspertët kanë kuptuar që nuk kishte të bënte me një fantazmë.

Aironte – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button