Analiza

Binjakët e pushtetit

Një pyetje vërtitet në këto orë, nëpër kanceleritë e gjysmës së botës: “Putin forever?” Putini përgjithmonë? Në ditët e fundit, qeverive u ka ardhur edhe një lajm i thatë: “Xi Jinping forever!” Dje, dy udhëheqësit kanë shkëmbyer përgëzime për rikonfirmimet reciproke në pushtet.

Presidenti rus do të qëndrojë në detyrë të paktën deri në vitin 2024, pasi u rizgjodh me një shumicë të dukshme të bashkëkombësve të tij. Presidenti kinez do të qëndrojë në vendin e tij deri në vitin 2023, por mund të rikandidojë (dhe të konfirmohet) kur të dojë dhe deri kur të dojë. Të fortët e dy superfuqive të Eurazisë, nga ky këndvështrim janë binjakë: askush nuk e rrezikon pozicionin dhe pushtetin e tyre.

Ndonjë ngjashmëri e gjen edhe në sistemin e tyre të kontrollit politik të brendshëm. Rusia është tashmë një regjim autoritar në të gjithë kuptimet, e dominuar nga një klan oligarkësh dhe funksionarësh që e gjen pikën e vet të ekuilibrit udhëheqës, tek Putini. Zgjedhjet i manipulojnë – sepse rusët janë mësuar të votojnë dhe nuk mund të kthehesh pas – dhe për gjashtë vitet pasardhëse menaxhojnë, pothuaj pa asnjë kontroll, jetën e vendit: në ekonomi, në media, në ushtri, në gjykata, në shërbimet e fshehta, në burgje. Kina është një diktaturë në të cilën klani në drejtim është kupola komuniste, dhe ku arsyeja shtetërore dhe ajo partiake përkojnë: që nga fundi i viteve Shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, kapitalizmi i centralizuar funksionon por të drejtat civile vazhdojnë të mos ekzistojnë, zgjedhjet janë të kota.

Në Moskë, demokracia “menaxhohet”, manipulohet, në Pekin nuk ekziston.

Ngjashmëria e tretë mes Putin dhe Xi qëndron në faktin që të dy janë duke shtrënguar kontrollin e aparatit të pushtetit. Presidenti i Dumas në Rusi, Vyacheslav Volodin thotë se “Pa Putinin, Rusia nuk ekziston”. Me kalimin e kohës (është në pushtet që nga viti 2000), udhëheqësi ka nxjerrë jashtë loje elitën politike dhe tendencat demokratike dhe është rrethuar nga teknokratë dhe oligarkë, pa bindje të veçanta ideologjike, por të interesuar në ruajtjen e pushtetit. Xi nryshoi kushtetutën kineze, ka shfuqizuar limitin e dy mandateve dhe tani mund të emërohet si kreu i përjetshëm i shtetit, përveçse i partisë. Për më tepër, fushata e tij kundër korrupsionit i ka lejuar të eleminojë kundërshtarët dhe të ndërtojë përreth vetes një aparat besnik.

Por dallimet mbarojnë këtu. Dy ndryshime të mëdha ndajnë Putin dhe Xi, Moskën dhe Pekinin.

Janë të dy themelorë për të kuptuar dy fuqitë sot. Mbi të gjitha, ekonomia e Rusisë është e dobët, ajo e Kinës është shumë e fortë. GDP i Federatës Ruse – shteti më i madh në planet – është më i vogël se ai i Italisë. Varësia nga sektori energjetik dhe lëndët e para mbetet shumë e lartë. Kapaciteti për inovacion është i ulët, pavarësisht bollëkut të inteligjencës, shenjë kjo e dobësimit të sistemit. Pasuria e prodhuar shkon drejt rrathëve të pushtetit dhe vetëm pjesërisht mbërrin tek qytetarët e zakonshëm. Sanksionet e Perëndimit pas aneksimit të Krimesë, deri tani nuk kanë goditur Putinin, por sigurisht që nuk kanë ndihmuar ekonominë.

Ndërsa Kina vazhdon të rritet me ritme midis 6 dhe 7 përqind. Ekonomia e saj është tashmë e para në botë, nëse matet në terma të fuqisë blerëse. Çekuilibrat e brendshëm dhe korrupsioni janë të fortë, por deri tani udhëheqësit e partisë kanë shfaqur një aftësi të madhe për të menaxhuar krizat reale dhe ato të mundshme.

Efiçenca e drejtimit shtetëror është ajo që i ka mundësuar udhëheqjes së partisë, që të mohojë të drejtat civile dhe demokratike, në këmbim të një rritjeje të mirëqenies. Kjo projekton idenë e një hegjemonie kineze globale, jo shumë të largët: nëse shihet forca digjitale, SHBA janë pranë një “Sputnik Moment”, ose momenti i befasisë, kur kuptuan se Bashkimi Sovjetik ishte më i përparuar në garën hapësinore.

Dallimi i dytë, i lidhur me të parin, qëndron në politikën e jashtme të dy udhëheqësve, e si pasojë në të ardhmen e dy vendeve. Pikërisht sepse nuk ka një pikë të fortë në ekonomi, Putini eksporton konflikte apo pjesëmarrjen në to, nga Krimea, në Siri dhe Ukrainë. Dhe i beson, gjithmonë si armë të politikës ndërkombëtare, poloniumit dhe agjentëve kimikë. Shumë pak tërheqëse si politikë. Ndërsa Kina është në një fazë të grumbullimit të mbështetjes ndërkombëtare, për modelin e saj të kapitalizmit autoritar, efiçient dhe i pafrenuar nga litarët e demokracisë. Dhe e shoqëron me forcimin ushtarak, mbi të gjitha në dete, por edhe me ndërtimin e një korridori infrastrukturash mes tokës mëmë dhe Evropës, përmes Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme, Nisma “Belt and Road”, që parashikon ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, porteve dhe rrugëve detare.

Binjakë në autoritarizëm, por të ndarë nga e ardhmja. / Nga Danilo Taino / Burimi: Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button