Analiza

BLOOMBERG: “Njerëzve u interesojnë shërbimet, jo ideologjitë”

bloombergSi ish kryetar i Bashkisë së New Yorkut, Michael Bloomberg e di mirë se me çfarë sfidash përballen qytetet sot, dhe si u duhet përgjigjur atyre.

Z. Bloomberg, ju keni qenë nismëtari i “Sfida e Kryebashkiakëve”, një konkurrencë mes qyteteve për të gjetur mënyra të reja për zgjidhjen e problemeve urbane. Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat më të mëdha që ndeshin qytetet sot?

Praktikisht të gjithë problemet e shoqërisë, janë probleme që e kanë origjinën dhe zgjidhjen në qytete. Mendoni ndryshimin e klimës: Më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qendra urbane, dhe nëse e redukton konsumin e energjisë në to, atëherë mund të ngadalësosh ndryshimin e klimës. Krimi, arsimi apo krijimi i vendeve të punës janë shembuj të tjerë që vërtetojnë se qytetet janë në qendër të gjithçkaje Kjo për shkak të përqëndrimit të njerëzve, por edhe politikës së qyteteve.

Si ndryshon politika lokale, nga politika kombëtare?

Qytetet normalisht kanë një kryebashkiak që është një drejtues i fortë, dhe për gazetarët është më e lehtë për të parë nëse qeverisja e qytetit ofron shërbimet që premton. Ose i mbledh mbeturinat, ose nuk i mbledh. Ose ka një trup në rrugë, ose nuk ka. Dikush është në radhë për bukën e gojës, ose ka gjetur një punë. Nuk është e vështirë të vlerësosh sa efektiv apo jo efektiv është një kryebashkiak. Nëse mund të masësh efektivitetin, atëherë gazetari mund të shkruajë për të dhe publiku do të zhvillojë një interes për këto gjëra. Në nivel shtetëror, është shumë më e vështirë, sepse gazetarët shkruajnë për proceset, por pa konkluzione të qartë. Ka disa gjëra që mund të zgjidhen vetëm në nivel shtetëror – nisja e luftërave për shembull – por në përgjithësi, si problemet, edhe zgjidhjet janë në qytete.

Cili është avantazhi i qyteteve, kundrejt shteteve-kombe?

Do ju jap një shembull nga SHBA: Pavarësisht paralizës politike kur vjen puna tek probleme si ndryshimi i klimës, ka patur përmirësime shumë të mëdha në mjedis. Këta përmirësime vijnë si rezultat i qeverisjes së mirë në nivel qyteti. New Yorku e reduktoi lëshimin e karbonit me 19%. E bëmë këtë duke reduktuar konsumin e energjisë dhe duke ndërmarrë hapa shumë të thjeshtë, si përshembull lyerja me ngjyrë të bardhë e çative të ndërtesave. Po kështu, prej qyteteve vjen filantropia. Nisma si Klubi Sierra, që unë dhe filantropistë të tjerë e mbështesim, kanë arritur të reduktojnë numrin e impianteve me qymyr në nivel federal në SHBA. Qeveria qendrore nuk është e interesuar në këtë gjë dhe shpesh herë neglizhon problemet e mëdhenj si mjedisi, arsimi apo krimi.

Pra qytetet janë një laborator i përsosur për të testuar zgjidhet për probleme globalë?

Absolutisht po. Dhe është e rëndësishme të mbajmë parasysh që këta “laboratorë” janë pak a shumë të njëjtë në të gjithë botën. Mund të kesh më pak krime apo papunësi në një vend, por në themel është e njëjta strukturë – vetëm madhësia ndryshon. Kështu që, gjetja e zgjidhjeve ndaj këtyre problemeve në një qytet do të na mundësojë t’i testojmë në qytete të tjerë, që kanë probleme të ngjashëm. Një prej kritereve për të fituar këtë çmim është se idetë duhet të jenë të transferueshme, ndoshta jo ekzaktësisht, por në përgjithësi, zgjidhjet e propozuara duhet të jenë zgjidhje që gjithkush mund t’i përdorë.

Qytetet ngjajnë më shumë mes tyre se sa shtetet-kombe, por megjithatë ka shumë ndryshime, si për shembull mes New Yorkut dhe Shangait. A mendoni vërtetë se inovacioni mund të ripërsëritet nga një qytet në tjetrin?

Kam besuar gjithmonë se qeveritë ekzistojnë vetëm me vullnetin e shumicës së popullit, dhe nuk ka shembull më të mirë se sa qyteti ku po qëndrojmë tani (Berlini). Nuk ishte as ushtria ruse, as ajo amerikane që rrëzoi Murin e Berlinit, por populli në njërën anë që shihte popullin në anën tjetër që bënte një jetë më të mirë. Qeverisë në fund iu desh të përulet. Idetë janë të fuqishme nëse njerëzit e kuptojnë se si mund të ndikojnë ato në jetët e tyre. Distancat gjeografike, ose dallimet rajonalë janë të një rëndësie dytësore.

Cfarë doni të thoni?

Probleme të të ardhmes, si ndryshimi i klimës mund t’i afrosh në të tashmen. Fëmija yt mund të duhet të shkojë në spital për shkak të një ataku astme. Doktori mund t’ju thotë se atakun e ka shkaktuar uji që ke pirë, apo ajri që ke thithur. Në atë moment, këto probleme të të ardhmes kapin vëmendjen tënde, sepse ti kupton që nuk janë aq larg, por që tani kanë impakt mbi jetën tënde. Mund të zgjidhësh disa prej atyre problemeve më kohëgjatë, nëse i bind njerëzit se këto gjëra nuk mund të injorohen apo neglizhohen. Shenjat e para të këtyre problemeve nisin të shfaqen në qytete, dhe prandaj qytetet reagojnë më shpejt se sa shtetet.

Pak muaj më parë, ne kemi intervistuar ish këshilltarin e Clintonit, Benjamin Barber, i cili ka shkruajtur një libër “Nëse botën do e qeverisnin kryebashkiakët”. Në libër, ai argumenton se qytetet janë tashmë më të fuqishëm se sa shtetet dhe si pasojë janë më të përshtatshëm si zgjidhës problemesh. Jeni dakord?

Eshtë një vlerësim i drejtë – të paktën në SHBA. Ka një mungesë ekuilibri sa u përket kompetencave, jo thjeshtë mes shteteve dhe qyteteve, por edhe mes qyteteve dhe shteteve federalë. Dallimi i madh është mes shpërndarjes gjeografike dhe shpërndarjes së popullsisë. Në SHBA, ne kemi dy degë legjislative: njëra e bazuar në popullsinë, tjetra në gjeografinë. Shteti i Oklahomës ka shumë më pak përfaqësues në nivel shtetëror se sa shteti i New Yorkut, ndonëse i dyti është më i vogël.

Sa e rëndësishme është politika partiake në nivel qyteti?

Në përgjithësi, kryebashkiakët punojnë në nivel dypartiak. Ish kryebashkiaku i New Yorkut, Fiorello LaGuardia ka thënë një herë se nuk ka mënyrë republikane apo demokratike për të mbledhur mbeturinat. Dhe kishte të drejtë! Në New York, unë kandidova si republikan se nuk mund të hyja në zgjedhje si demokrat. Në New York City nuk ka republikanë në fakt, por unë fitova se njerëzit duan shërbimet.

Sepse njerëzit në qytete duan të dinë për rezultatet, dhe jo për ideologjitë politike?

Ata mendojnë në mënyrë shumë pragmatiste. Ti do që fëmijët të jenë të shëndetshëm dhe të sigurtë nga krimi. New York City ka qenë një vend shumë i rrezikshëm, por sot mund të shëtisësh në çdo lagje pa e kthyer kokën pas – kjo nuk është e sigurtë në çdo qytet apo shtet amerikan. Njerëzit donin pikërisht këtë ndjesi sigurie, dhe unë isha i suksesshëm në krijimin e saj. Prandaj isha shumë popullor dhe u rizgjodha. /The European/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button