Kinema & TVMAIN

Bob Redford / Sa shumë dhimbje në një jetë prej OSCAR-i

Ai pati gjithçka: talent, bukuri, sukses. Por vuajti shumë. Për nënën e humbur kur ishte djalë i ri, për dy fëmijë të cilët I humbi kur ishte gjallë dhe për dy muaj të tmerrshëm në Firence që...

Robert Redford vdiq në gjumë, aty ku prehen të drejtët, në moshën 89-vjeçare, por ishte shuar prej kohësh: yje si ai, aq përsosmërisht hollywoodianë e megjithatë i huaj ndaj sistemit, nuk prodhohen më. Ndoshta s’janë prodhuar kurrë; i vetmi përjashtim tjetër është Paul Newman, i cili u përpoq me këmbëngulje që ta merrnin në western-in Butch Cassidy (producenti John Foreman nuk e donte sepse «ende nuk ishte mjaft i famshëm»), duke i hapur dyert e lavdisë.

Bob Redford mori si dhuratë dy gjëra në sasi të madhe: bukuri dhe famë. Dhe urreu dy gjëra me intensitet të madh: bukurinë dhe famën. Megjithëse për karrierën dhe virtytet e tij është thënë gjithçka — aftësia për të mishëruar Amerikën më të mirë, ndonëse në brendësi ndihej «thellësisht europian»; aktivizmi mjedisor, përqafuar përpara se të kthehej në urgjencë apo modë; suksesi si aktor dhe regjisor pa iu dorëzuar Hollywood-it dhe kompromiseve – ka një aspekt që mbeti në hije, ndoshta i ekranizuar nga ajo buzëqeshje dhe ato flokë biondë të dendur, që ishin ftesë për optimizëm: Roberti është një njeri që ka kaluar përmes shumë tragjedive. Duhej të kalonte tre kohë shkatërruese dhe të «kapërcente» një përvojë rinore në Itali, në Firence, e cila e preku në palcë, duke e ndryshuar rrënjësisht: «Pas atyre muajve nuk kam qenë më i njëjti», tha në intervistat e para.

Plaga e parë është ikja nga kjo botë e nënës së adhuruar, Martha, e cila vdiq nga septicemia në maj 1955, kur Redford ishte 19 vjeç. «Ishte aq plot gëzim dhe kishte një buzëqeshje aq të ndritshme, sa besoja se ishte e pavdekshme», i tha aktori biografit të tij Michael Feeney Callan. Nuk është thjesht një humbje. Është një humnerë që hapet. Sepse nëna ishte «dritë dhe dije» – ajo ia mësoi ngarjen e makinës (kur Bob ishte 8 vjeç!), vizatimin dhe me të zhytej me të në lojërat me role, që ishte kontakti i parë me aktrimin – ndërsa i ati, Charles, ishte hije dhe censurë. Shumë i pashëm, por belbëzues dhe i pasigurt, Charlie kishte dështuar si muzikant, e pastaj kishte bërë pak karrierë në zyrat e kompanisë së naftës Standard Oil. Me të birin, që ishte rebel dhe kishte të njëjtat prirje artistike, ishte i rreptë. «Më kritikonte në çdo fushë, nga sporti te vizatimet; mënyra e tij e komunikimit ishte heshtja», thoshte Bob.

NJË ZBRITJE NË FERR

Për t’i shpëtuar dhimbjes, në pranverën e 1956-s Redford vendosi të linte studimet e artit në University of Colorado dhe të nisej drejt Europës, me dy destinacione në mendje: Parisin dhe Firencen. Donte të studionte piktorët e tij të parapëlqyer – Utrillo, Modigliani, Gauguin – dhe të kuptonte nëse mund të jetonte me vizatimet e tij, kryesisht portrete dhe skica humoristike. Kapitali fillestar ishte i vogël: 600 dollarë. Gjysma shkoi për udhëtimin me klasin e tretë në transatlantikun United States. I ati, Charles, pranoi t’i dërgonte 100 dollarë në muaj, të cilat «megjithatë», siç ka treguar Jack Brendlinger, shoku me të cilin nisi aventurën europiane, «ai i harxhonte për një javë: pjesën tjetër të kohës jetonte me paratë e mia». Në Paris u regjistrua në École des Beaux-Arts, por gjeti një ambient të ngurtë. Dhe kur policia e rrahu me shkopinj gjatë një proteste kundër shtypjes sovjetike në Hungari, në dhjetor 1956 vendosi të niset drejt Italisë me Jackun.

Në Romë flinte jashtë, në të ftohtë. Sipas një legjende që Redford e ka konfirmuar – «Është e vërtetë. Qesharake, por e vërtetë» – për t’u mbrojtur nga i ftohti dy miqtë mbuloheshin me… pleh stallash (një ide që Bob e kishte marrë nga një rrëfim i Jack Londonit). Në janar 1957 u nda nga Jack dhe shkoi në Firence.

Me kalimin e viteve i ka kujtuar me mall muajt e tij në Itali, por ai pushim-studim qe një zbritje në ferr. «Vendosa të ndahesha nga Brendlinger për një arsye mazokiste: doja të përballesha i vetëm me dhimbjen për humbjen e nënës sime». Në Firence humb 19 kilogramë për pak javë. E konsumojnë frika e dështimit («Do të më duhej të kthehesha në Los Anxhelos, të jetoja me tim atë») dhe kilometrat që bënte çdo ditë në një rutinë “ushtarake” në antikonformizmin e tij. Ngrihej pas mesditës, hante penne a ravioli, rrëkëllente një kafe në stacion, nisej drejt Ponte Vecchio-s me një bllok fletësh të bardha nën sqetull, që shërbente për gjysmë ditar dhe për gjysmë album vizatimesh: «Në faqet e djathta shënoja mendimet; në të majtat hidhja skicat».

Strehohej te familja Barbieri: «Ata nuk flisnin anglisht, prandaj nuk kishte komunikim, tamam si me tim atë. Dhe nuk shiheshim kurrë, sepse unë jetoja natën». Edhe këtu problemi kryesor ishte i ftohti. «Pija duhan 20 orë në ditë», i ka rrëfyer Callan-it, «i thyeja më dysh cigaret Alfa dhe i “thithja” derisa më digjnin gishtat: isha i bindur se nëse e mbushja dhomën me tym do të isha ngrohtë».

Kolapsi nervor do të vinte në fund të shkurtit: rrinte për ditë të tëra duke fiksuar sytë te fytyra e vet në pasqyrën sipër lavamanit — donte të çmontonte “si Picasso” tiparet e veta dhe njëkohësisht «të kuptoja kush isha vërtet» — dhe një natë, befas, «nuk e njoha më veten, pata halucinacione, ndjeva një entitet të papërshkrueshëm nën lëkurën time. Nuk kam qenë më i njëjti person pas asaj nate».

Fatmirësisht, Tony Reeves, mentori i tij në shkollën e artit, kuptoi vështirësitë e Bob Redfordit dhe organizoi një ekspozitë me vizatimet e tij. Bob mblodhi 200 mijë lireta dhe shkoi me tren në Mynih, ku e priste Brendlinger. Më 14 mars 1957 u kthye në Shtetet e Bashkuara. Pak kohë më pas njohu gruan e parë, Lola Van Wagenen, e cila e shpëtoi nga demonët fiorentinë. U martua në 1958 dhe u regjistrua në American Academy of Dramatic Arts. Pjesa tjetër është histori, madje legjendë. Edhe pse, përpara trumfeve, erdhi tragjedia më e tmerrshme.

«NJË KATASTROFË KREJT E IMJA»

Lola mbeti shtatzënë pothuaj menjëherë. Më 1 shtator 1959 lindi Scott Anthony Redford. Roberti do të kujtonte: «Isha euforik nga gëzimi». Dy muaj e gjysmë më pas, më 17 nëntor, i vogli Scott vdiq në gjumë. Reagimi i Bobit, që tashmë luante në Broadway, ishte ai i përhershmi: të lëvizte, të arratisej. Për tre ditë, ai dhe Lola lëvizën pa pushim mes Maryland-it dhe Pensilvanisë. Aktori ka folur rrallë për atë dramë dhe e ka quajtur «një plagë që s’u zhduk kurrë krejt», por i ka pranuar biografit se përveç «një dhimbjeje të vështirë për t’u shprehur me fjalë», ndjeu edhe një ndjenjë faji të pafund: «Kisha hedhur poshtë arsyen e shëndoshë për të ndjekur një jetë të rrezikshme. Im atë më thoshte se isha i papërgjegjshëm. Prindërit e Lolës më thoshin se isha i papërgjegjshëm. Kështu unë ndjeva se vdekja e Scott-it ishte një katastrofë tërësisht e krijuar prej meje». Çifti, që u nda në 1985, pati tre fëmijë të tjerë: Shauna, James dhe Amy.

Nga të tre, James ishte ai që ndoqi më në thellësi hapat e të atit. Të njëjtat tipare, e njëjta buzëqeshje, u bë një regjisor i shkëlqyer dokumentarësh. Vdiq në vitin 2020, pas dy transplantesh të mëlçisë dhe një sëmundjeje të pamëshirshme. Një tjetër goditje për Redfordin. Që e kishte të qartë ç’kishte rëndësi vërtet në jetë. Për revistën People, në fakt, ka thënë: «Po, kam bërë filma interesantë dhe kam marrë kënaqësi në punë, por nëse dikush do të paketonte gjithçka dhe do të më pyeste: “Cili është suksesi yt më i madh?”, s’do të kisha dyshim. Do të përgjigjesha: “Fëmijët e mi. Janë gjëja më e mirë që më ka ndodhur”». / bota.al

Back to top button